Kufiri detar, i njëjti prej 100 vitesh

Shefi i Kapitanerisë së Sarandës, Gjin Nikollaj
“S’di që greku të veprojë me harta të reja. Ujërat territoriale, në dorë të instancave të larta”
Kreu i Kapitanerisë së Sarandës: Peshkatarët të bëjnë denoncimet.
Kërkesat e peshkatarëve nuk janë paraqitur zyrtarisht në zyrën e shefit të Kapitanerisë së Portit të Sarandës. Ndonëse ishte paralajmëruar një takim i dytë i ngushtë mes krerëve të Kapitanerisë dhe drejtuesve të Shoqatës së Peshkatarëve, dje askush nga këta të fundit nuk paraqiti kërkesat e tyre në mënyrë zyrtare. Në një intervistë për “Panoramën”, marrë një ditë pas takimit me peshkatarët, shefi i Kapitanerisë së Sarandës, Gjin Nikollaj, ka thënë se vërtet Kapitaneria është avokati i peshkatarëve, por pretendimet e tyre të paraqitura në takimin me ta janë të pafaktuara. Nikollaj deklaron se nuk ka asnjë dijeni se pala greke punon me harta të reja, ndërsa thekson se çështja e ujërave territoriale zgjidhet nga instancat e larta shtetërore.
Zoti Nikollaj, pas takimit të një dite më parë me peshkatarët, cilat janë konkluzionet?
Sot kisha lënë takim me kryetarin e Shoqatës së Peshkatarëve për të sjellë me shkrim shqetësimet e tyre, por çuditërisht ende nuk po shoh të vijë. Një javë para shkova i takova peshkatarët e Sarandës në molin e Limionit, me qëllim për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Vërtetësisht, për sa kohë unë jam në krye të Kapitanerisë së Sarandës, ata nuk kanë bërë asnjë ankesë dhe pretendimi i tyre ka qenë vetëm në kuadrin e fjalëve. Shpeshherë u kam thënë që në rast se keni probleme me palën greke printoni shenjën në aparaturat që keni në anije dhe bëni denoncim në Kapitaneri, gjë e cila nuk ka ndodhur deri tani.
Ç’do të thotë për ju ky shqetësim i peshkatarëve?
Ky është një problem që duhet ta zgjidhin instancat e larta të shtetit. Problemet mes ujërave territoriale duhet të zgjidhen nga instancat e larta të shtetit. Gjithë pretendimet e peshkatarëve janë pa fakte konkrete. Unë do t’i mbroj peshkatarët nëse preken në ujërat territoriale të Shqipërisë. Por, nuk gaboj nëse them edhe se që nga janari e deri tani nuk është regjistruar asnjë incident konkret dhe se pretendimet e tyre janë pa fakte. Peshkatarët kanë aparatura në anijet e tyre që vërtetojnë se deri ku janë ujërat që ata duhet të peshkojnë.
Sipas jush, pse kanë frikë peshkatarët kur dalin në gjueti?
Për një gjë të jenë të sigurt peshkatarët, se policia greke nuk vendos gjoba në asnjë rast pa qenë vetë peshkatarët prezentë, gjë që nuk ka ndodhur. Gjithashtu, s’kanë pse të tremben peshkatarët kur shkojnë të blejnë karburant se mos ndodh gjë, kjo për faktin se edhe në Greqi karburanti është biznes. Ndërsa dimë se kufiri ujor për peshkatarët shqiptarë është aty ku ka qenë që para 100 vitesh, siç edhe i kanë në hartat që ka secili në anijet e tyre.
Ju thatë se keni një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Kapitanerisë për këtë problem?
Po, ditën e enjte kam takim me drejtorin e Përgjithshëm të Kapitanerisë, Gazmir Tahiri. Qëllim i takimit janë problemet e paraqitura nga peshkatarët në takimin e ditës së hënë. Kërkesa për takim ka qenë e dyanshme nga vetë drejtori, por edhe nga unë.
A do të ketë takim me autoritetet portuale dhe ato kufitare të Korfuzit për të diskutuar për problemin e shtruar para jush nga peshkatarët sarandjotë?
Me sa di unë ka një marrëveshje të nënshkruar nga të dyja policitë kufitare, ajo shqiptare dhe greke, dhe në këtë kuadër besoj se do të realizohet takimi. Por, në bisedë me drejtorin e Përgjithshëm të Kapitanerisë, Gazmir Tahiri, do ta parashtroj edhe këtë kërkesë të peshkatarëve dhe natyrisht që do të ketë interesim edhe nga ata për realizimin e takimit.
Është e vërtetë që policia greke vepron duke respektuar hartën ku përcaktohet kufiri, sipas marrëveshjes për ndryshim të kufirit detar, e cila është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese?
Nuk e di me çfarë hartash punon policia greke për kufirin, por di që peshkatarët sarandjotë punojnë me hartat që kanë kufirin real të Shqipërisë, atë të para 100 viteve.
Peshkatarët: Kufitarët grekë na kërcënojnë
Nga ana e tyre, peshkatarët reaguan dy ditë më parë gjatë takimit me kapitenin e Portit të Sarandës se ndihen të kërcënuar nga rojet kufitare greke. Sipas tyre, nuk dinë se ku ndodhen ujërat kufitare, pasi dhe kur ata mendojnë që janë në ujërat shqiptare, grekët i kanosin me bllokim të mjeteve, duke pretenduar se shkelin ujërat e tyre.
AK: Mesi i kanalit të Korfuzit, vija ndarëse
Aleanca Kuq e Zi reagoi dje në lidhje me këtë çështje, duke deklaruar se bëhet fjalë për një skandal të radhës të qeverisë shqiptare, e cila hesht përpara cenimit të integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Myslym Pashaj, ka shprehur shqetësimin për situatën që po përjeton flota shqiptare e peshkimit në kanalin e Korfuzit. “AK denoncon faktin që qeveria shqiptare ka fshirë ligjet e brendshme të kufirit tokësor dhe detar, me qëllim favorizimin e të tilla situatave, ku Greqia të ndihet zot në ujërat shqiptare. Aleanca Kuq e Zi deklaron se: Mesi i kanalit të Korfuzit është vija e vërtetë ndarëse detare dhe shkelja e saj është cenim i hapur i integritetit territorial të Shqipërisë”. Pashaj deklaroi se pikërisht fshirja e ligjeve të brendshme për territorin ka lënë këtë hapësirë të pambrojtur dhe të pamenaxhuar, e për rrjedhojë po krijohen situata delikate dhe të dëmshme në kurriz të shqiptarëve.
SARANDE/ SHPRESA DINE