E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani në flakë nga zjarret e dimrit, 46 raste në një muaj

ELBASAN – Plot 46 raste zjarresh, rënë vetëm gjatë një muaji në qarkun e Elbasanit, kanë detyruar prefektin Shefqet Deliallisi që të mbledhë në takim përfaqësues të Policisë, Zjarrfikëses dhe Drejtorisë së Pyjeve dhe Kullotave. Pasi ka bërë një analizë të situatës së krijuar, prefekti ka kërkuar ndëshkimin e të gjithë zjarrvënësve, pasi sipas tij shumica e rasteve të zjarreve janë vënë me qëllim. “Jemi akoma në stinën e dimrit dhe është e pafalshme që rastet e zjarreve të vijnë duke u shtuar, ndërkohë që kemi edhe verën përpara”, tha prefekti. Nga ana e tij, drejtori i Pyjeve e Kullotave, Luan Duzha, ka deklaruar se zjarret në pyje dhe kullota janë vënë me qëllim nga banorët. Sipas tij, ka pasur denoncime nga vetë banorët që deklarojnë se bashkëfshatarë të tyre i kanë vënë zjarrin me pishtarë zonave të pyllëzuara, me qëllim shfrytëzimin e tokave të djegura për mbjelljen e ullinjve. Por, Duzha tha se me vendim të fundit nga Ministria përkatëse, asnjë tokë e djegur nuk do të kalojë në pronësi të banorëve dhe se në këto parcela nuk do të mbillen me ullinj, por sërish pisha nga vetë Drejtoria. Ndërsa situata në fjalë ka ardhur duke u rënduar në qarkun e Elbasanit, kreu i Policisë, Emri Vata, ka kërkuar ndërgjegjësimin e komunitetit, në veçanti të personave përgjegjës që ruajnë pyjet dhe kullotat, që të denoncojnë në polici rastet në flagrancë. Sipas tij, deri më tani numri i denoncimeve shkon në tetë raste dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë. Gjatë këtij takimi, shqetësim për të pranishmit ka qenë komuniteti, neglizhenca e këtij të fundit për t’i ardhur në ndihmë shërbimit të zjarrfikëses në raste zjarri. Shefi i sektorit të PMNZH-së, Aleksandër Hodo, deklaroi se pjesa më e madhe e zjarreve bien në terrene të thyera ku është shumë e vështirë që të hyjë mjeti i zjarrfikëses.                                           m.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›