E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Kemi kërkuar ekspertizë, ende pa vendim

Lëvizja Socialiste për Integrim pritet të jetë vendimtare për ratifikimin e marrëveshjes së kufijve detarë Shqipëri-Greqi. Nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço, njëkohësisht deputet nën siglën e LSI-së në Qarkun e Beratit, thotë se për këtë projektligj është kërkuar informacion shtesë nga ekspertët. "Duhen dëgjuar edhe subjektet e tjera dhe për këtë ne kemi kërkuar informacion shtesë", u shpreh Naço. I njëjti qëndrim për transparencë u përsërit dje edhe nga zëvendëskryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto. Kjo parti kërkon ekspertizë për këtë marrëveshje dhe grupimi politik i katër deputetëve të LSI-së në Kuvend nuk ka ende një vendim përfundimtar zyrtar për këtë çështje. Pavarësisht se marrëveshja ka kaluar në Komisionin Ligjeve, ku ka marrë edhe votën "pro" nga deputeti i LSI-së, Nasip Naço, duket se forca politike që ai përfaqëson është frenuar për të kërkuar më shumë informacion lidhur me këtë marrëveshje që ka ngjallur debate si në sferën politike, ashtu edhe në opinionin publik. Disa ditë më parë, lidhur me këtë marrëveshje, kreu i LSI-së, Ilir Meta, është shprehur se këtë punë e ka Kuvendi tashmë në dorë. Por, zyrtarisht LSI-ja nuk ka preferuar të mbajë një qëndrim të prerë lidhur me këtë marrëveshje në këtë pikë ku debati është shumë i nxehtë. Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar më shumë kohë që kjo marrëveshje të shqyrtohet nga ekspertët, por nuk është treguar e qartë se në cilën formë do të shqyrtohet ajo dhe cila është pritshmëria që do të sjellë ky inspektim i ekspertëve. Marrëveshja ishte parashikuar të shkonte në Kuvend në datën 19 tetor, por me një vendim të Kryetares së Kuvendit, seancat parlamentare do të mbahen vetëm ditën e enjte. 19 tetori përkon me ditën e hënë dhe si rrjedhojë kjo do të jetë shtyrja e parë e ratifikimit të marrëveshjes nga Parlamenti. Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme kanë hedhur poshtë çdo zë që pretendon se nëpërmjet kësaj marrëveshjeje Shqipëria del e humbur, duke theksuar se vija kufitare ujore përcaktohet në bazë të parimit të baraslargimit nga bregu detar. Tashmë, marrëveshja që përcakton kufijtë detarë Shqipëri-Greqi ka kaluar një nga pengesat kryesore, atë të diskutimit në Komisionin e Ligjeve, i cili e miratoi atë disa javë më parë me unanimitetin e të gjithë deputetëve dhe pa asnjë kundërshtim. Pro saj në Komisionin e Ligjeve, votoi edhe deputeti i LSI-së, Nasip Naço, pavarësisht se forca që ai përfaqëson, vetëm pak muaj më parë, gjatë legjislaturës së shkuar, e kundërshtoi fort një marrëveshje të tillë, duke e konsideruar atë në disfavor të Shqipërisë, por edhe duke akuzuar qeverinë e kryesuar nga Sali Berisha se po i falte ujërat tona territoriale Greqisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›