E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufizimet që ndaluan filmat e animuar…

08/04/2011  Flet regjisori Vlash Droboniku. Si u krijua filmi i parë i animuar në Shqipëri, “Zana dhe Miri”, pengesat e kohës, vështirësitë sot dhe jeta në SHBA e artistit…

Ky muaj është “i tëri” për animacionin në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit. Prej së mërkurës në kinemanë e Arkivit kanë filluar të shfaqen filma të disa prej autorëve më në zë të kësaj gjinie, ndërkohë që emrat që kanë kontribuar për të dhe kanë lënë gjurmë janë shumë herë më tepër. Një prej tyre është edhe Vlash Droboniku, një nga pionierët e filmit vizatimor (Artist i merituar, Artist i karrierës). Emri i tij lidhet me filmin e parë të animuar shqiptar, “Zana dhe Miri”, gur themeli mbi të cilin më vonë u hodhën edhe të tjerë krijime… Edhe pse që nga dhjetori i 1975-ës kanë kaluar shumë vite, Droboniku e ruan të freskët në mendje atë dimër kur bashkë me Tomi Vason dhe grupin realizues vunë në lëvizje ca kartonë që flisnin shqip…. Në këtë intervistë ai sjell në mendje këtë përvojë të parë, por edhe flet për atë se si e sheh filmin e animuar sot…

Prilli është cilësuar si Muaji i Filmit të Animuar në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit. ǒmendoni për këtë nismë?

Përzgjedhja e katër autorëve me zë në animacionin shqiptar: Bujar Kapexhiu, Artan Maku, Artur Dauti, Gjin Varfi është e mirëmenduar për atë çka këta autorë denjësisht i kanë dhënë kinemasë së animacionit. Unë do të referoja diçka më ndryshe. Do të më pëlqente të shihja edhe grupime autorësh, si dhe të krijueseve si: E. Konomi, M. Agolli apo Varvarica e Nova. Dhe është e natyrshme se në ditët e sotme shohim një grup të talentuar krijuesish që mund të përmblidhen si fryma e re e këtij zhanri kinematografik mes shprehjes së lirë të mendimit dhe realizimit artistik.

Jeni një ndër themeluesit e animacionit në Shqipëri, njëkohësisht krijuesi i të parit film të animuar shqiptar “Zana dhe Miri”. Çfarë kujtoni nga ky realizim i parë?

Është e natyrshme si për çdo krijimtari: puna e parë lë mbresën që shpesh kur e kthen në kohën e tanishme e sheh me shumë emocion në të gjithë etapat e krijimit. Ajo që më kujtohet është momenti kur në shkurt të 1975-ës, udhëheqësi artistik Kristaq Dhamo firmosi skenarin. Kartonët e prerë u gjallëruan dhe filmi filloi të merrte jetë. Jetoja mes një bote ëndrre dhe shpesh deziluzioni, por çdo gjë u kapërcye suksesshëm falë asaj eksperience shumë të shkurtër specializimi në animacion me operatorin T. Vaso në Bukuresht. “Zana dhe Miri” ( autor realizues Vlash Droboniku, Tomi Vaso, kompozitor Limos Dizdari, montazhi Elsa Bushati) do të mbetet kujtimi më i bukur i jetës sime krijuese, por vlera e tij është se çeli një rrugë të re të kinematografisë në Shqipëri. Vërtet ai erdhi shumë vonë në krahasim me gjithë ato mrekulli të kinematografisë botërore dhe fillimeve të dy zhanreve: filmit artistik dhe dokumentar. Por një gjë erdhi fatlume dhe e sigurt: Kjo gjini e re do të pushtohej që në fillim plot pasion nga artistë të talentuar si: B. Kapexhiu, G. Leka, T.Vuksani, B. Ikonomi, E. Konomi, M. Agolli, A. Maku, A. Dauti, A. Muharremi, J. Zhonga, S. Taçi, R. Qafzezi, Delia Fagu deri tek të rinjtë e talentuar: Veseli, Kaso, Faja, Nova, Malltezi, Shijaku. Shoh se në 35 vjetët që kaluan animacioni në Shqipëri kaloi një rrugë të gjatë plot sakrifica, ëndrra pasionante, por krijoi një arkiv të pasur mes filmash të prezantuar denjësisht për botën fëmijërore, publikun dhe audiencë profesionale nëpër festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, me çmime përkatëse. Ndihesh se një pjesë e mirë e kësaj krijimtarie e ka luajtur misionin e vet dhe është pikërisht kjo arsyeja që sot Arkivi Shtetëror i Filmit sipërmerr këto aktivitete mes autorëve, zhanreve të kinematografisë nga e kaluara në ish-Kinostudion “Shqipëria e re”. Ky është një ballafaqim që nuk i ngjan më atyre diskutimeve të hershme në vizionimin e filmave dhe etheve krijuese, por një debat mes një fryme të lirë kritike nëse ka interes dhe ka synime. Në të kundërtën ato mbesin vetëm vizionime dhe kritika mbetet e përgjumur.

Prej asaj kohe ju realizuat dhe filma të tjerë të animuar disa prej të cilëve nuk u arritën të shfaqeshin në ekran për shkak të kufizimeve të kohës…

Si të gjithë zhanret e arteve edhe filmi vizatimor ishte i kontrolluar dhe i drejtuar mes ideve që paraqiteshin për diskutim. Filmi vizatimor kishte redaksinë e vet me redaktorët përkatës të drejtuar nga udhëheqës artistik. Shumë krijues të talentuar kanë pasur dëshirën të kalonin hendekun që ishte si frenim i ideve të tyre. Një shembull tipik kanë qenë krijimet e Kapexhiut, Qafzezit etj. Nëse fatkeqësisht krijimtaria e Bujarit u pa mes periudhash të ndryshme, e frenuar, ai ka qenë i vetmi që e vuajti fuqishëm dhe fatmirësisht e përballi mes vetes së tij me dinjitet. Dy filmat “Autogol” dhe “Kur shefi merr flakë” u ndaluan për vizionin, për autorin B. Shehu. Natyrisht që regjisori kishte haraçin e vet. E them me bindje, nëse liria artistike s’do të ishte e kufizuar, ne sot do të kishim filma akoma më të bukur. Kërkimet tematike shpesh vinin në siklet redaktorët V. Musta dhe S. Pone në komunikimin me regjisorët dhe autorët e skenarëve, mes asaj që frenohej dhe asaj që dëshirohej për një gjuhë sa më të lirë shprehëse në tërësinë e vet.

Sa e vështirë ishte të ishe krijues në ato vite? Në këtë linjë si e shihni sot gjendjen e filmit të animuar në Shqipëri?

Krijuesit e vizatimorit kanë punuar me shumë pasion. Vërtet shkolla dhe eksperienca botërore mungonte. Ata zgjodhën rrugën më të vështirë duke mësuar dhe eksperimentuar mes punës. Po të shohim sot filmat do të vëmë re se të gjithë teknikat klasike janë eksperimentuar si kërkesë e çuarjes më tej të niveleve artistike nga krijues të ndryshëm, por mes tyre ka dhe mosarritje. Duhet të kuptojmë e dallojmë një gjë që është më se e rëndësishme për sot në kohën e privatizimit. Filmi vizatimor krijoi një fizionomi të vetën me autorë të suksesshëm, por me grupe xhirimi të mangët dhe kohën e duhur për realizimin e një filmi gjë që të kujton një punë të mundimshme dhe orësh të vona. Me shumë respekt më kujtohet puna e skenaristëve, redaktorëve, regjisorëve, operatorëve, kompozitorëve, montazhierëve dhe ekzekutuesve që kaluan në duart e tyre me mijëra e mijëra vizatime. Së pari, filmat financoheshin nga shteti, drejtoheshin prej shtetit dhe shfaqeshin ose bllokoheshin po nga shteti. Autori nuk vinte dorë te shpenzimet, por mbi autorin rëndonin të tjera probleme. Mund të them që pagesa e kësaj krijimtarie ishte nga më të ulëtat. Sot është e kundërta, krijuesi kërkon sponsor dhe Qendra Kinematografike jep ndihma. Sa mbështet dhe sa mund të jetë e mjaftueshme për këtë gjini e dinë vetë krijuesit, por mendoj që ndihmesa duhet të jetë më e lartë financiarisht dhe të krijohet mundësia që subjektet që meritojnë të realizohen në krijues të ndryshëm të mund të sponsorizohen. Së pari, prodhimi i dikurshëm nga 14 filma në vit ka arritur në 34 dhe kryesisht me filma- autorë që sponsorizohen nga Qendra Kinematografike, një ose dy projekte duke pasur parasysh dhe një grup të rinjsh nga departamenti i filmit në Akademinë e Arteve apo Marubi. Një e ardhme më prestigjioze është në rrugë më të suksesshme. Nëse deri dje TIFF pranonte këtë zhanër, sot ka një vlerësim përmes “AnifestRozafa”. I aprovuar nga instancat e kulturës u arrit suksesshëm në edicionin e parë në qytetin e Shkodrës në 2010. Është i vetmi festival i këtij lloji në fushën ndërkombëtare, i cili përkoi në një prezantim në vigjilje të 35- vjetorit të filmit vizatimor shqiptar. Por a mundet “Maku production” të mbajë një peshë të tillë për çuarjen më tej. Isha vetë prezent dhe pashë një festival dinjitoz me pjesëmarrjen e 16 vendeve, me vlerësime dhe për kinematografinë shqiptare. Ky festival nga fëmijët dhe për fëmijët do të çelin një tjetër hapësirë jo vetëm për krijues të rritur, por do të zbulojë talente fëmijërore mes takimeve të shkollave të ndryshme evropiane për fëmijë. Me siguri kjo vë përpara shumë problemesh filmin vizatimor dhe krijuesit e tij në atë çka kanë për detyrë tek fëmijët. Kur sheh që televizionet private apo ai shtetëror japin me dhjetëra filma të huaj të lind pyetja: mes kësaj armate krijuesish që akoma ekziston a kërkohet bashkëpunim? Besoj se përgjigja lë për të dëshiruar.

Mendoni se filmi i animuar është një gjini për të rriturit po aq sa edhe për të vegjlit?

Kinemaja e animacionit është një art i magjishëm i lëvizjes në idetë e saj. Ajo shpesh nuk ka moshë, ndryshe nga kinemaja e gjallë. Natyrisht ka subjekte që i adresohen moshës së fëmijëve mes fabulave apo legjendave, por ato shikohen me po aq interes dhe nga të rriturit. Nga 210 realizime të mëparshme në Kinostudio, 80 për qind e tyre i takonin moshës fëmijërore. Po të shohim personazhet si Pipiruku, Çufo, Robinsoni, Piku, Genti, Ilira etj., janë bërë shumë të dashur për fëmijët. Po sot, kinemaja e animacionit ka pushuar për realizime të tilla dhe ky është një minus shumë i madh. Tendenca për tematika filozofike ka pushtuar pjesën më të madhe të krijimeve. Do të ishte me interes shumë të frytshëm rikthimi i disa autorëve që kanë përparësi në tematikën fëmijërore, qoftë edhe me serialë, të cilët janë më të aplikueshëm dhe të preferueshëm nga televizioni dhe tregu. Një tjetër mundësi realizimi ndryshe nga teknikat klasike ka në sistemet 2d dhe 3d, është një kinema e ardhur në shtëpi në një ambient komod ku bota e avancuar e ka në qendër të vëmendjes si për filmat autor, ashtu dhe për kompanitë. Kjo ka të bëjë direkt dhe me financimin dhe distribucionin si pika më kryesore për fatin e filmit. A mundet që shoqëritë botuese të shfrytëzojnë si libra filmi shumë nga këto krijime siç bën mbarë bota?!

Prej vitesh jetoni në SHBA ku jeni angazhuar si artist në fushën e animacionit, madje edhe jeni vlerësuar për punën tuaj. Sa mendoni ju ka rritur përvoja në Shqipëri?

Unë kam lënë shumë krijimtari në Shqipëri, por Shqipërinë e kam marrë me vete në gjithë universin e saj mes njerëzve, familjes prindërore, mes kujtimesh, punës dhe krijimtarisë. Jeta ime është e dyfishtë: një punëtor i mëngjeseve të shpejta dhe një krijues i mbrëmjeve të vonta në studion time. Fillimi për mua ka qenë tepër i vështirë. Kur shihja konvenierin që sillte mallrat që do të mbanin duart e mia mes metamorfozës, gjithçka më dukej si pelikula e filmit në moviol. Por kur shihja që ishte vetëm një përfytyrim ndihesha i trishtuar dhe i thosha vetes: jepi Vlashuk se të mbuluan mallrat. Por ajo që më mbante ishte se që në fillim kuptova një gjë: ç’ duhej të bëja në këtë vend që është zemra e animacionit! Të rikthehesha tek animacioni?! Për këtë kam bërë shumë sakrifica duke kërkuar mes së panjohurës e të njohurës dhe akoma më keq pa ditur gjuhën. Fatmirësisht nuk iu dorëzova kotësisë, pasi koha më duket gjëja më e shtrenjtë që asnjëherë s’duhet vrarë. Punova me shumë pasion e mundim dhe kam realizuar shtatë filma, kryesisht nga eksperienca në Shqipëri gërshetuar me të rejat që teknologjia jep. Iu bashkova shoqatave krijuese të artit e filmit, festivaleve dhe ekspozitave dhe kam ndjerë një kënaqësi dhe vlerësim, por më tepër shpirtëror. Në filmin e fundit “New York Sky” jam vlerësuar me disa çmime të para ndërkombëtare. Ky ka qenë sadisfaksioni më i madh i punës sime. Tani jam përsëri në një subjekt tjetër, “Amerikan Hudson River Miracle”, duke pasur përherë në shpirt dhe axhendë filmin e filluar dhe lënë përgjysmë të legjendës së Beratit, ëndrrën dhe dashurinë time të hershme. Asnjëherë punën time krijuese nuk e kam parë të shkëputur nga kolegët e mi, qoftë në Shqipëri apo diasporë. Sukseset e tyre kanë qenë një lumturi për mua kudo që ndodhen.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›