E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuja pa zë e Elektrës

Vargjet e tragjedisë së Sofokliut nuk arrijnë të komunikojnë, e të trondisin në premierën shqiptare. Protagonistja Xhuvani krijoi një Elektrën inatçore, të mpirë nga vuajtjet dhe të burrëruar


Në katër net, 11 deri më 14 mars, Teatri Kombëtar shfaqi të parën premierë për këtë vit, tragjedinë "Elektra" të Sofokliut, me regji të Adonis Filipit.


Në të gjitha shfaqjet salla qendrore e Teatrit ishte e mbushur plot dhe publiku përshëndeti lojën e aktorëve pas rënies së perdes. Personazhet e Sofokliut u interpretuan nga Luiza Xhuvani (Elektra), Roza Anagnosti (Klitemnestra), Laert Vasili (Oresti), Monika Lubonja (Kristotema), Vasjan Lami (Kujdestari), Bujar Asqeriu (Egisti), Ahmet Pasha (Rrëfimtari) dhe Elida Janushi (Korifeu).


Historia e "Elektrës", princeshës së Argosit, bijë e mbretit të Atridëve, Agamemnonit të vrarë nga e shoqja e tij Klitemnestra nuk është e huaj për spektatorin. As teksti dhe gjuha që Sofokliu ka gdhendur në tragjedinë e Elektrës, gruaja fatkeqe që vuan prej 8 vjetësh vdekjen e të atit të shuar nga dora gjakatare e të shoqes dhe e vëllait të tij, Egistit. Vepra e shqipëruar nga Laert Vasili e freskoi kujtesën për peshën e veprës.


Kureshtja për "Elektrën" lidhjen me shfaqjen për herë të parë dhe me mënyrën se si do ta kishte kuptuar dhe do ta përcillte tek spektatori regjisori Adonis Filipi këtë tragjedi, interpretimin e aktorëve në role që flasin për mort, kujë, dhembje cfilitëse, urrejtje që të djeg shpirtin, shpagim pa mëshirë.


Kureshtje edhe për "vendin e ngjarjes", skenografinë dhe kostumet e një kohe që ekzistojnë vetëm nëpër shkrime, për koreografinë dhe lëvizjet që i flasin spektatorit për fatkeqësitë që mban shpirti njerëzor dhe që Sofokliu i ka derdhur në gjithë veprën, me forcën që buron nga shpirti dhe mendja.


Sofokliu kishte vënë në gojën e personazhit kryesor, Elektrës, fjalët britmë, lot të hidhur, rënkim, përpëlitje, këngë zie, fjalë që shëmbëllenin të huaja në interpretimin e Xhuvanit në mbrëmjen e premierës. Ato fikeshin ende pa goditur tek spektatori. Elekta e Xhuvanit erdhi si një grua inatçore, hakrryese. Mpirja nga vuajtjet, lodhja nga fatkeqësitë nuk do të thotë se e burrërojnë gruan, personazhin tonë, siç e burrëroi aktorja.


Kishte një kumbim artificial në zërin e saj, që e gjente shpejt rrugën deri në fund të sallës, por e kishte të vështirë të depërtonte tek ndjesitë e spektatorit më të afërt.
"Do të qaj me kujë e lot të hidhur/sa të shndrijnë zjarret e yjeve/sa të shkëlqej dita do të qaj/ Do të rënkoj pashterrshëm kënga e dhimbjes/ në vesh të të gjithëve të kumboj nga ky zë", vajton Elekta me të dalë në skenë.


Zëri i aktores Luiza Xhuvani nuk ta bën të afërt fatkeqësinë e gruas, që ka hequr dorë së jetuari dhe shtyn ditët deri ditën e gjyqit: kur vrasësit e t'et të dënohen. Në këtë interpretim të jepet përshtypja sikur të gjitha ngjarjet ndodhin jashtë Elektrës, ajo nuk i përjeton, nuk i njeh, është aty vetëm për të klithur për një ngjarje që i ka ndodhur dikujt tjetër.


Kjo lloj Elektre ishte lineare në interpretimin: i njëjti ritëm, edhe kur vuante, edhe kur ndiente dhembje, kur provonte urrejtje, inat, kur i ndizej shpirti për hakmarrje edhe kur mallkonte. Vuajtes së Elektrës i mungonte zëri i brendshëm.


Edhe kur mëson për vdekjen e Orestit, e në atë çast marrin fund të gjitha shpresat dhe ëndërrimet e saj, kur natyrshëm pritet një çast shpërthimi, nga Elektra dëgjohet veç vajtimi i mbytur: "O... mora fund. Sot...tani", që nuk prekin, nuk mallëngjejnë.
Klitemnestra, e interpretuar nga Anagnosti, u shfaq mbretëreshë e zhveshur nga autoriteti, pa dorezën e pushtetit dhe egërsisë, kryeneçësisë së përshkruar nga Sofokliu.


Në tragjeditë greke, kori ka një rëndësi të veçantë. Ai është si një pasqyrë që shpërfaq gjendjen e vërtetë të personazhit, bën më të qartë për publikun me fjalë, gjeste, këngë, gjendjen e vërtetë të tij, frikërat, sekretet që ai mban brenda vetes.


Tek "Elektra" kori kërkon që ta nxjerrë atë nga izolimi, me ngushëllime dhe këshilla. Kori i "Elektrës" sonë i përbërë nga Violeta Trebicka, Marjana Kondi, Eglantina Cenoimeri, Eriona Kakeli, Ermela Teli, Nigela Ruka dhe Klea Konomi ishte më tepër spektator i vuajtjeve të saj. Ishte një tjetër atmosferë, në momentet kur ai reagonte dhe merrte pjesë në përjetimet e Elektrës.


Kur mallkimet e saj shoqëroheshin nga përplasje gurësh. Ndihej nevoja e një ritmi që të mbante ndezur energjitë e personazhit, të fliste më shumë për gjendjen e tij shpirtërore dhe të mos ishte figurant në skenë.


Skenografia e realizuar nga Fatbardh Marku, i vinte në ndihmë lëvizjeve të aktorëve, shpërthimeve të tyre, zhvendosjes së objekteve.


Ngrehina simbolike e Pallatit të Atridëve ku binte një ndriçim i kuqërremtë, dukej vendi i duhur për të kryer një hakmarrje. I njëjti zjarr i cili dukej se jetonte edhe në shpirtin e Orestit dhe Elektrës.


"Elektrës" së Filipit i mungoi shpërthimi i energjive. Aktorët dukeshin të bllokuar nga një tekst i vështirë. Në këto kushte është e vështirë të flitet për shpërthim energjish.
Tragjedia shfaqet në ditët e fundjavës në Teatër Kombëtar.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›