E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, nëntë të plagosur në 24 orët e fundit

QARKULLIMI/ Një furgon pasagjerësh u përplas me një automjet në Fier, ndërsa dy prej pasagjerëve u plagosën

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, 5 aksidente me të plagosur janë regjistruar. Shpejtësia rezulton shkaku kryesor i aksidenteve, ndërkohë që statistikat vijojnë të jenë shqetësuese


Fier, një furgon pasagjerësh përplaset me autoveturën
Një furgon tip taksi është përplasur me një mjet tjetër tip BMV me targa të Tiranës. Aksidenti i rëndë ka ndodhur mesditën e së hënës në aksin rrugor Fier-Patos, rreth 4 kilometra larg qytetit të Fierit.


Nga ky aksident janë plagosur dy pasagjerë që ndodheshin në furgonin me targa FR 0356 D, ndërsa persona të tjerë edhe këta pasagjerë të këtij furgoni kanë pësuar më shumë trauma psikike. Aksidenti ndodhi rreth orës 12:45 në vendin e quajtur Portëz. Një furgon pasagjerësh po udhëtonte nga Patosi në drejtim të Fierit.


Brenda furgonit ndodheshin mbi 6 pasagjerë, të cilët janë tronditur mbas kësaj përplasjeje ku dy prej tyre mbetën të plagosur. Ngjarja ndodhi në afërsi të një karburanti në një kthesë, e cila njihet si kthesa e vdekjes për vetë faktin se aty kanë ndodhur shumë aksidente automobilistike.


Pikërisht te kjo kthese furgoni është përplasur me mjetin me targa të Tiranës, i cili sipas policisë rrugore, ka kryer parakalim të gabuar. Drejtuesi i furgonit nuk ka mundur të manovrojë në kohë dhe për pasojë përplasja ka qenë fatale. Dy vetë janë plagosur, ndërkohë që trafiku është bllokuar për rreth 30 minuta.


Mësohet se të plagosurit janë Rexhep Troka dhe Fiqerete Sulaj, i pari banues në Kafaraj dhe tjetra banuese në Verbas të Fierit. Mësohet se Troka ka përplasur kokën në xhamin e përparmë të mjetit furgon, ndërsa makina ka dalë nga rruga duke u përplasur përsëri me një mur rrethues të një pike servisi.


Automjetet kanë pasur dëme të mëdha, ndërsa transporti i të plagosurve drejt spitalit është bërë me mjete të rastit. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes disa minuta pas aksidentit. Shkak për këtë përplasje mësohet të ketë qenë shpejtësia me të cilën udhëtonin dy mjetet.


Elbasan, tre aksidente me të plagosur


Një 69-vjeçar i cili ishte duke lëvizur me biçikletë është përplasur nga një automjet i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Burime të policisë rrugore bëjnë të ditur se një mjet tip "Benz" me ngjyrë të zezë ka aksidentuar 69-vjeçarin me inicialet A.B me banim në Thanë të Cërrikut.


I moshuari është dërguar në spitalin kirurgjik të Elbasanit ku ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Nga dëshmitë nuk qe e mundur të identifikohet targa e mjetit.


Aktualisht policia po verifikon mjetet tip "Benz" me ngjyrë të zezë ndërsa kërkon ndihmën e banorëve për të identifikuar autorin e aksidentit. Identifikimi i drejtuesit do të sjellë edhe procedimin e tij për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe largim nga vendi i aksidentit. Ndërkohë nga një përplasje të regjistruar në Peqin janë dëmtuar rëndë dy persona, të cilët janë transportuar drejt spitalit ushtarak të Tiranës.


Ndërkohë, në mbrëmje është aksidentuar një fëmijë 6 vjeç. Aksidenti ka ndodhur në lagjen nr 3 Cërrik. Një mjet tip "Fiat Iveko" me targa EL5596B ka aksidentuar një fëmijë 6 vjeç që po kalonte rrugën. Fëmija është dërguar me urgjencë në spital. Policia ka nisur hetimet për aksidentin. Ndaj 46-vjeçarit Ardian Skora ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.


Durrës, plagosen tre turq


Tre shtetas turq kanë qenë duke udhëtuar me një mjet tip fuoristradë kur kanë përfunduar në kanalin anësor të rrugës në ndërtim e sipër.


Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjësit të së hënës, ndërsa dyshohet se shkak për ngjarjen ka qenë shpejtësia e madhe e mjetit, por edhe rruga e cila është në ndërtim dhe pa sinjalistikën e duhur. Mësohet se fuoristrada me targa të Tiranës ka dalë nga rruga nacionale Fushë - Krujë - Milot, në afërsi të fshatit Thumanë të rrethit të Krujës.


Pasi ka ndodhur aksidenti, ata që kanë shkuar për ndihmë kanë konstatuar se në mjetin e përmbysur në kanalin anësor të autostradës po udhëtonin tre shtetas me kombësi turke.


Të dhënat e marra në vendngjarje (emrat e të dëmtuarve nuk bëhen të ditur) tregojnë se ata kanë qenë duke udhëtuar me fuoristradën me targa TR 8062N nga Tirana në drejtim të veriut kur automjeti i tyre ka dalë nga rruga. Banorët treguan se autovetura është rrotulluar disa herë dhe më pas ka përfunduar jashtë rrugës.


Policia thotë se tre shtetasit e huaj kanë pësuar plagë të rënda dhe janë shoqëruar në spitalin ushtarak në Tiranë, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›