E Diel, 1 Nëntor 2026

MAP shpall fituesin pas anulimit të tenderit

Prishtinë, 30 - Ministria e Administratës Publike ia ka dhënë tenderin për sistemin e menaxhimit të shpenzimeve të automjeteve qeveritare kompanisë kosovare “PBC” në konsorcium me kompaninë estoneze “Navirec”, ndonëse të njëjtin tender kjo ministri e kishte shpallur të anuluar paraprakisht dy herë me radhë. Tenderi i hapur më 13 mars të këtij viti në të cilin ofertuan 11 kompani, fillimisht është shpallur i anuluar më datën 21 korrik, ndërkaq herën e dytë është anuluar më 6 gusht. Një javë më pas, më 13 gusht, Ministria e Administratës Publike ka shpallur fitues të tenderit për menaxhimin e shpenzimeve të automjeteve qeveritare me sistemin GPS kompaninë “PBC” në konsorcium me “Navirecin” e Estonisë, pas ripoentimit nga komisioni vlerësues i tenderit.
Ministria e Administratës Publike ende nuk e ka nënshkruar kontratën e tenderit për blerjen e pajisjeve dhe instalimin e sistemit për menaxhimin e shpenzimeve të automjeteve, ndërkaq fjalën përfundimtare për ligjshmërinë e shpalljes së fituesit të tenderit do të japë Organi Shqyrtues i Prokurimit. Ky organ të shqyrtojë ankesën e deponuar nga kompania “Logistic Plus” për mënyrën e diskualifikimit nga gara të kësaj kompanie, si dhe procedurat e shpalljes së fituesit nga Ministria e Administratës Publike.
Në njoftimin mbi anulimin e aktivitetit të prokurimit, të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, thuhet se “një urdhër i lëshuar nga autoriteti kompetent kërkon anulimin e njoftimit për vendimin e autoritetit kontraktues mbi anulimin e aktivitetit të prokurimit të datës 22 korrik 2010”. Sipas njoftimit, anulimi i tenderit është bazuar në shkresën e Organit Shqyrtues të Prokurimit të datës 5 gusht 2010.
Kompania “PBC” ka dhënë çmimin 187 mijë  e 500 eurove për montimin e pajisjeve të menaxhimit të shpenzimeve me GPS. Në lotin e parë të këtij tenderi do të pajisen me sistemin GPS mbi menaxhimin e shpenzimeve rreth 2.500 vetura qeveritare, të agjencive buxhetore, por edhe të komunave. Oferta më e shtrenjtë në tender ishte 728 mijë e 900 euro (gjerësisht në numrin e sotshëm të “Kohës Ditore”).

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›