Zahia: Riberi? Isha dhurata për ditëlindjen
Frenk Riberi po kalon momentin më të vështirë në karrierën si profesionist. Ylli i Bajernit të Mynihut nuk do të luajë në finalen e Champions League, pas pezullimit me tri ndeshje nga Disiplinori i UEFA-s, për kartonin e kuq në sfidën e parë me Lionin. Por imazhi i 27-vjeçarit, që cilësohet si një prej lojtarëve më të fortë në botë, ka pësuar rënie të jashtëzakonshme, prej skandalit seksual të shpërthyer në përfaqësuesen franceze. Gjithçka pas frekuentimit me prostitutën me origjinë algjeriane, Zahia Dehar, me të cilën Riberi ka pasur marrëdhënie të përsëritura në një kohë kur vajza ishte ende minorene. Nga ana e saj, Zahia është hedhur në kundërsulm dhe për revistën “Paris Match” ka zbuluar disa detaje të “takimeve” me futbollistin: “Ndodheshim në një hotel luksoz të Mynihut. Kryem marrëdhënie seksuale dhe ai më pagoi. I dhashë atë që kërkonte. Nuk ishte aspak i përqendruar, nuk tregoi edukatë dhe mund të them se nuk ishte as simpatik”.
Vajza duket se ka qenë dhurata për 26-vjetorin e lindjes së lojtarit të Bajernit. Sipas “Paris Match”, lojtari i parë me të cilin Zahia ka pasur marrëdhënie ishte sulmuesi i Realit të Madridit, Karim Benzema (në këtë çështje është përfshirë edhe Guvu i Lionit), që e njohu në një diskotekë në vitin 2008. Ai frekuentohej me vajzën, e cila në atë periudhë ishte minorene, pa i kushtuar shumë vëmendje moshës. Ndërkohë, në materialet e hetuesve konfirmohet fakti se “shoqëruesja” kërkonte të paguhej me 200 euro për një “natë të nxehtë”. Ky skandal mund t’i kushtojë shtrenjtë Riberisë, që rrezikon të mos marrë pjesë në Botërorin 2010. Përveç dënimit (maksimal) me tri vjet burg, ai mund të mos luajë në aktivitetin më të rëndësishëm në botë. Ministri francez i Sporteve, duket se e ka këshilluar trajnerin Domenek që mos të grumbullojë Riberi dhe Benzema, nëse dy lojtarët do të jenë nën hetim. Ndërkohë, imazhi i Frenk Riberisë, i cili cilësohej një futbollist serioz dhe një bashkëshort i mirë, vazhdon të shkërmoqet nga dita në ditë.