Trupi gjykues i Gërdecit: Fatmira Hajdari, Ridvan Hado dhe Shefkije Demiraj
Vendimmarrja e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, ndaj 29 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, siç duket nuk ka qenë i lehtë për treshen gjykuese të kësaj çështje, të cilët nuk i kanë shpëtuar debatit juridik dhe parimor mes tyre brenda dhomës së këshillimit. Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare të kësaj gjykate, ku mësohet se kryesuesi i treshes gjykuese, gjyqtari Rdivan Hado disa herë është përplasur juridikisht me anëtarët Fatmira Hajdari e Shefkije Demiraj dhe anasjelltas. Debate kishte, si në çdo vendimmarrje por, thuajse në të gjitha vendimet për persona të caktuar ishte vendimmarrje unanime. Kishte ca kundërshtime në lidhje me masat e dënimit dhe kualifikimin e veprës penale për disa të pandehur, por, u kalua me konsensus-thanë burimet pranë treshes gjykuese.
Sipas këtyre të dhënave, mësohet se kryesuesi Hado, kishte disa ditë që mblidhej së bashku me dy gjyqtarët Hajdari dhe Demiraj, për të vendosur në lidhje me përgjegjësit penale për secilin nga të pandehurit, masat e dënimit dhe kualifikimin e veprave panele. Këto takime janë zhvilluar në një nga zyrat e tre gjyqtarëve, ku edhe sekretarja gjyqësore nuk është lejuar brenda, për shkak të frikës së dekonspirimit të debateve mes tyre apo edhe vendimeve që do merrnin. Si pasoj e disa takimeve radhazi, tre gjyqtarët arritën në përfundimin që u lexua dy ditë më parë në seancë gjyqësore. I gjithë debati dhe vendimmarrja për secilin nga të pandehurit, kuptohet në shkurtim vendimi është përpiluar me shkrim dore në disa faqe A4-thanë burimet e Gjykatës. Ky vendim i shkurtuar, i shkruar me shkrim dore, ra në sy edhe gjatë leximit të tij nga kryesuesi i treshes gjykuese, gjyqtari Ridvan Hado, që herë pas here shfaqte edhe nervozizëm gjatë këtij leximi.
Por, pavarësisht se u lexuan masat e dënimit dhe akuzat për secilin nga të pandehurit të renditura në shkurtim vendimi, zbardhja dhe arsyetimi i këtij pritet ti marr shumë kohë gjyqtarit Hado. Mësohet se kjo zbardhje e argumentuar për secilin nga të pandehurit mund të bëhet brenda 20 dite, kohë kjo e mjaftueshme për renditjen e argumenteve ligjore dhe provave e materialeve të kësaj dosje. Ndërkohë, edhe pse nuk është zbardhur i argumentuar ky vendim, mbrojtësit e të pandehurve, të dënuarit dhe prokurorët e çështjes, sipas Gjykatës mund ta bëjnë ankimimin pranë Gjykatës së Apelit për të kapur afatin e parashikuar 10 ditë që nga dhënia e vendimit. Ata që nga ky vendim ishin më të kënaqurit, janë 9 të pandehurit që morën pafajësi, avokatët e disa prej të cilëve u shprehen se nuk do të apelonin çështjen, pasi për klientët e tyre u dha drejtësi. Drejtësi kjo, që për përfaqësuesit e akuzës, disa avokatëve dhe të pandehurve që u dënuan, ishte jo i drejt dhe alogjik.
Kontestime
Sipas konstatimit të bërë dhe ajo që bie në sy, është fakti se të gjithë ata punonjës që ishin pranë zyrës apo kishin vartësi apo të emëruar direkt nga ish-Ministri i Mbrojtjes deputeti Fatmir Mediu morrën masa më të ulëta dënimi apo edhe pafajësi. Nga ana tjetër, personat që ishin larg kësaj zyre u dënuan dhe morën dënime të ndryshe. Kështu, të gjithë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Çmimeve të fishekëve të vegjël, sipas shkurtimit të vendimit, morën pafajësi. Ndërsa të gjithë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Çmimeve për predhat e mëdha dhe shtimjet, të parashikuara në kontratën e dytë pak muaj para shpërthimit u dënuan. Gjithashtu, sipas këtyre të dhënave, bie në sy edhe masa e ulët e dënimit për të pandehurin Mihal Delijorgji. Ky i fundit përfundimisht u dënua me 10 vjet burg dhe 5 vite heqje e të drejtësisë së ushtrimin e detyrave të drejtuesit për akuzat e Shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive. Nga ana tjetër mësohet se është debatuar mes gjyqtarëve, për njësimin e masës së dënimit të këtij të pandehurit me Ylli Pinarin dhe Dritan Minxhollin.
Pasi nuk mund të dënohet për këtë akuzë i pandehuri Delijorgji, ndërsa Pinari dhe Minxholli të dënohen për akuzat e Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë dhe Shkatërrimit të pronës nga pakujdesia. Një interpretim tjetër ligjor dhe logjik, sipas të dhënave nga gjykata, është edhe ajo e masës së dënimit ndaj Shpëtim Spahiut. Ky i fundit u dënua me 4 vjet burg dhe më pas u vendos që ky dënim ti pezullohet me kush për tre vite burg. Nga ana tjetër, 12 të pandehur të tjerë u dënuan me më pak vite burg dhe kjo Gjykatë nuk i pezulloi dënimin me kusht. Gjithashtu, debat mes gjyqtarëve mësohet se ka qenë edhe shpallja e pafajshëm e gjeneralit Zija Baja, për të cilin, vetë Ministria e Mbrojtjes kishte konstatuar një dëm prej 800 mijë lekëve që ky shtetas i ka shkaktuar shtetit nga veprimet dhe mos veprimet e tij. Por, ajo që u diskutua dhe shkaktoi edhe debate mes gjyqtarëve, është fakti i shpalljes së pafajshëm të shtetasit Ardian Mullai dhe dënimi i dy vartësve të tij, Shkëlzen Madani dhe Ndue Marku, ndërkohë që këta dy të fundit nuk kanë kryer asnjë veprim pa miratimin e ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes.
Gjyqtarët
Gjyqtari Ridvan Hado, prej shumë vitesh është gjyqtar karriere pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Karriera e tij në këtë fushë është zhvilluar nëpërmjet dhjetëra proceseve gjyqësore ku ka qenë kryesues apo edhe anëtar. Kryesisht njihet si gjyqtar i trupave penale, pavarësisht se pas ndarjes së seksioneve, ai është caktuar si anëtar i seksionit civil. Me ardhjen në detyrë të Presidentit të Republikës z.Bamir Topi gjyqtari Hado ishte njëri ndër juristët që u dekoruan me medalje.
Gjyqtarja Fatmira Hajdari, njihet ndryshe si bashkëshortja e heroit të demokracisë të ndjerit Azam Hajdari. Si gjyqtare u emërua pas vdekjes së bashkëshortit dhe ushtron prej vitesh punën e gjyqtares pranë Gjykatës së Shkallës së Parë. Karriera e saj në këtë fushë, është ngritur bazuar në shumë procese penale dhe civile. Ajo njihet edhe si gjyqtare penaliste, por, prej disa kohësh ka kaluar si gjyqtare pranë seksionit civil. Gjatë ushtrimit të detyrës, ka gjykuar shumë procese të rëndësishme, ndër ata rasti Basha për afatet e hetimit të dosjes nga prokuroria. Gjykimin dhe pafajësinë e shtetasit Arben Isufi nga Fieri i njohur ndryshe si Ben Qimja, dënimin e Aldo Bares dhe shumë procese të tjera.
Gjyqtarja Shefkije Demiraj, prej disa vitesh është transferuar si gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, nga ushtrimi i kësaj detyrë në Tropojë. Transferimi i saj është bërë pas vitit 2005 dhe është pjesë e gjyqtarëve penalist të kësaj Gjykate. Gjatë ushtrimit të kësaj detyre, ajo ka qenë kryesuese apo edhe anëtare e trupës gjyqësore, ku janë dënuar disa nga të pandehurit e bandës së Lushnjës, dënimin e britanikëve për akuzën e pedofilisë. Ndërkohë, njihet edhe si motra e dy vëllezërve të vrarë gjatë vitit 1996-99 në Tropojë, që dyshohet se i kanë vrarë familja Haklaj.
Avokatët e familjarëve të viktimave: Vendimi çnjerëzor
Mbrojtësit ligjor të familjarëve të viktimave të Gërdecit, me anë të një deklarate shprehen dje indinjatën e thellë dhe zhgënjim njëkohësisht për rrëzimin e pa shoqëruar me argumentim ligjor nga ana e Gjykatës së Rrethit gjyqësor Tiranë, të akuzës kryesore ndaj të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit që ishte vrasje në rrethana të cilësuara të 26 personave. Drejtësia dështoi në mbrojtje të drejtës së jetës, e garantuar kjo, jo vetëm nga Kushte
