Kujt i dhimbset KOASH?
Pas 23 vjetësh drejtimi si një hibrid shqiptaro-grek, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë sot duket se ka arritur kulmin e përçarjes brenda shoqërisë shqiptare dhe çështja e kishës së Përmetit e ka demaskuar tërësisht situatën absurde të një hierarkie të huaj në një institucion me vlera të patjetërsueshme shpirtërore historike e kombëtare. Së pari, dua të saktësoj se në mendimin tim KOASH ka tërësisht të drejtë mbi çështjen e kishës së Përmetit. Kjo jo vetëm sepse aty ka ekzistuar një kishë e shkatërruar nga regjimi ateist, por edhe prej faktit të thjeshtë se në një pretendim të tillë shteti shqiptar duhet të tregohej tolerant ndaj cilitdo prej katër komuniteteve fetare, të cilat në fakt janë pasuri kombëtare. Nëse i njëjti rast do të kishte ndodhur me ndonjë komunitet tjetër fetar, atëherë reagimi shoqëror do të ishte i atillë sa do të detyronte shtetin shqiptar të kthehej pas dhe t'í njihte të drejtat komunitetit përkatës fetar. Por pse e njëjta gjë nuk ka ndodhur dhe me KOASH? Përgjigja në fakt është e dukshme dhe e thjeshtë: KOASH në 23 vjet drejtimi si një kishë greke, ka arritur të krijojë një përçarje të atillë në shoqërinë shqiptare saqë për diçka të cilën ka tërësisht të drejtë askush nuk i del në krah. Jam i bindur se i njëjti fenomen do të ndodhte nëse për Xhaminë e Namazgjasë, për shembull, do të fliste ministri i Jashtëm i Turqisë apo i Arabisë Saudite e ndonjë vegël e tyre në Tiranë, ashtu sikurse përfshihet në çështjen e KOASH Ministria e Jashtme greke dhe veglat e saj në Tiranë. E kam të vështirë të besoj se dikush do të dilte t'i bënte jehonë deklaratës së një Ministrie të Jashtme, turke, greke apo arabe mbi një çështje të brendshme të Shqipërisë. Dhe kjo nuk është përzgjedhje e shoqërisë shqiptare, por është e një pjesë e hierarkisë së KOASH që ka vendosur të kërkojë "mbrojtjen" e Athinës a të ndonjë partize etnike minoritare dhe të mos kërkojë mbështetjen e bazës së vet të shëndoshë që janë ortodoksët shqiptarë, shteti shqiptar dhe shqiptarët në përgjithësi. Nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Vetëm pak kohë më parë, pas vdekjes së Aristotel Gumës, KOASH shpejtoi që të sintonizohej me Ministrinë e Jashtme greke dhe Omonian, ashtu sikurse ka bërë sa herë që ka pasur përplasje me karakter kombëtar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Është institucioni që financoi, ndërtoi dhe mirëmbajti, në mënyrë të paligjshme, pa leje dhe pa të drejtë varrezat e ushtarëve grekë në Bularat, qartësisht me mbështetjen dhe ndihmën ekonomike të Ministrisë së Jashtme greke. Është institucioni i vetëm shqiptar që me anë të një ligji të posaçëm grek, nuk paguan taksa dhe merr dhurime të pataksuara nga shtetasit grekë, e shembuj të tillë vazhdojnë pambarimisht. Aq më tepër kjo ndodh në një mitropoli si ajo e Gjirokastrës, ku hierarkët kanë refuzuar akoma edhe të mësojnë shqip, ku në fshatrat minoritare, por edhe në qytete shqiptare si Himara dhe Saranda meshohet vetëm greqisht e ku në fshatrat e tjera tërësisht shqiptare meshohet në dy gjuhë. Në atë mitropoli, ku prej vitesh çdo 25 mars zhvillohet dhoksologjia e një flamuri të huaj dhe ku asnjë 28 nëntor nuk zhvillohet dhoksologjia e flamurit shqiptar. Në një mitropoli, ku neonazistët grekë hyjnë e dalin nëpër kisha, dëbojnë priftërinjtë dhe bëjnë si zot në shtëpi të huaj, e ku asnjëherë nuk është kërkuar ndihma e policisë së shtetit shqiptar. E gjithë kjo në një mitropoli ku më shumë se tre në katër besimtarë ortodoksë janë shqiptarë. Ky është vazhdimi i një përplasjeje të fortë, që ka nisur prej dy dhjetëvjeçarësh e që ka pasur pikun e vetë regjistrimin e fundit të popullsisë, ku ortodoksët shqiptarë u zvenitën në 1/3 e popullsisë që mendohej se ishte. E Kisha atëherë rendi të hidhte poshtë rezultatin, të deklaronte se po bëhej një sulm ndaj ortodoksisë. Edhe sikur një tendencë antiortodokse të ishte i vërtetë, çka duket absurde, kjo tregon sërish pikën ku e ka çuar drejtimi joshqiptar i KOASH besimin e shoqërisë ndaj këtij institucioni historik të kombit tonë. Por përgjigja mund të jetë më e thjeshtë, që një pjesë e madhe e ortodoksëve shqiptarë nuk e ndjejnë veten mirë në një institucion që nga fetar është kthyer në institucion i marrëdhënieve ndërkombëtare të shtetit grek, një kuaziambasadë sikurse Patriarkanat e Aleksandrisë, Kostandinopojës apo Jeruzalemit. KOASH nuk ka humbur betejën për një Kishë, por një betejë shumë herë më të madhe, betejën për sintoninë e vetë me shoqërinë shqiptare. Mosreagimi i shoqërisë ndaj aktit të shëmtuar të shpronësimit të një kishe tregon se një pjesë e hierarkisë së KOASH tashmë ia ka arritur pas vitesh njëanshmërie etike e kombëtare, të gjejë vetëm përkrahjen e shtetit që e financon dhe ndonjë partize që bashkëfinancohet me të. Kjo është e trishtë për një institucion historik të kombit shqiptar, ku kanë shkëlqyer Noli, Xhuvani, Kisi, ku kanë ngritur atdhedashurinë Negovani, Luarasi, Melani, etj. Faji këtu u mbetet përsëpari hierarkëve grekë të Kishës e sidomos të Mitropolisë së Gjirokastrës që po korrin atë që mbollën për 23 vjet, por i pafalshëm është edhe qëndrimi i shtetit shqiptar. Shteti ka gjithë fuqinë që të mos përsërisë gabimet e së shkuarës qoftë në diskriminimin e një grupi fetar, qoftë në lejimin e vazhdimit të një politike antishqiptare nga një pjesë e vogël e hierarkëve të një feje historike e tradicionale të kombit tonë. Pa dyshim ka ardhur momenti që në hierarkinë e KOASH të jenë shtetas shqiptarë, me kombësi shqiptare apo minoritare, por që kanë lidhje e përputhje me territorin e popullin që i shërbejnë. Kjo, në mënyrë që KOASH të mos u dhimbset qeverive të huaja, por qytetarëve të cilëve u shërben dhe shtetit të cilin nderon, sikurse ka ndodhur prej vitit 1923 e deri në ateizëm. Por, shpesh ndodh që memoria kolektive e kombeve të jetë aq e shkurtër saqë të harrohet se çfarë pasojash mund të ketë një hierarki e huaj në një institucion fetar, qoftë edhe vetëm 100 vjet pas problemeve të ngjashme.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)