E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujtesë kinematografike për regjizorin italian Federiko Felini në Pallatin e Kulturës

Në sallën e sapo inauguruar "Nënë Tereza" të Pallatit të Kulturës në Tiranë, ka nisur kujtesa kinematografike e regjisorit të famshëm italian Federiko Felinit të "La Dolce Vita-s", në 50 vjetorin e filmit që bëri revolucion në stilin e jetesës, guston dhe mentalitetin e brezit të viteve gjashtëdhjetë në Itali e në mbarë Evropën deri në Shqipëri ku ishte i ndaluar nga diktatura. Retrospektiva e realizuar në Stinën Italo Shqiptare "Dy popuj një det një miqësi" ka si kurator Dr. Roberto Kiezin kritikun e kinematografisë të ardhur nga Bolonja për këtë ngjarje 4 ditore.
Në orën 17.00 udhëtimi në të shkuarën e kinemasë së Felinit starton me projektimin e La Dolce Vita të shoqëruar me prezantimin kritik të Dr. Kiezit. Në ditët në vijim nga datat 4 deri në 7 maj në orën 15.30 do të projektohen filmat e tjerë të njohur të kineastit italian si "Xhinxher e Fred" historia e dy legjendave amerikane të kërcimit, filmi "Felini Satirikon" dhe "Kazanova" ose i dashuruari i përjetshëm i botës femërore. Homazhi do të vijojë edhe në Teatrin e Operas dhe Baletit me shfaqjen e mbrëmjesë së të martës në orën 19.00 të baletit bashkohor I Bislacchi, Omaggio a Fellini dhe koncertit të së enjtes nga Roberto Porroni dhe Ansambli Duomo me kolonën zanore të filmave të zgjedhur të Felinit nga Nino Rota.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›