E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtimet e Hasan Prishtinës

Tue lanë botimin e nji libri ma të plotë për atë herë kur kam me pasë në dorë dokumentat qi përkasin kryengritjes shqiptare të vjetit 1912, të cilat më gjinden në Stambollë e Kosovë; tash për tash, po e shoh të nevojshme vetëm me qitë kët broshurë me qëllim për me ndritsue pjesërisht mendimin e përgjithshëm e me forcue pa vjeftsin e disa çpifjeve pa-logjikë qi përfliten për punë të kësaj kryengritje, kështu shkruan në parathënie të librit të tij Nji shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare të vjetit 1912 autori i tij Hasan Prishtina.

Ky libër sapo është ribotuar në Prishtinë nga Shtëpia Botuese Rrokullia dhe të gjitha të ardhurat nga shitja e tij do ti dedikohen arsimimit të fëmijëve jetimë, mu ashtu siç e ka lënë amanet vet autori. Fitimin qi ka me u nxjerrë prej kësaj broshure, kam me kushtue për sigurim tarësimit të fëmivet jetima të Kosovës, Dibrës e të Çamëris qi gjinden në Shqypni, ka shkruar ai në parathënie të librit.

Në këtë libër, ndër të tjera, mund të njiheni me shkaqet e kryengritjes shqiptare të vitit 1912; reagimin e më se 200 deputetëve të Parlamentit Osman kur Hasan Prishtina thotë: nëse vazhdon kjo politikë mizore, kam me kenë njeni e ndoshta i pari i atyne, qi kam për ta ngrehë flamurin e kryengritjes; ku dhe si merren vesh Hasan Prishtina e Ismail Qemali për fillimin e kryengritjes shqiptare të vitit 1912?; Pse Ismail Qemali nuk e përmbush detyrën që merr përsipër për sigurimin e 15 mijë pushkëve mauzer dhe 10 mijë napolonave të arit për fillimin e kryengritjes?; pse Hasan Prishtina e shet pasurinë e vet dhe me shumën e tubuar e nis kryengritjen?; Për se bisedon Hasan Prishtina me ambasadorët e Bullgarisë dhe të Britanisë së Madhe në Shkup para se ta nisë kryengritjen?; çka shkruajnë për kryengritjen shqiptare të vitit 1912 gazetat e huaja si Times, Neu Freu Presse, Novoje Vremja?; çthotë Hasan Prishtina në intervistat e dhëna për këto gazeta?; pse sipas Hasan Prishtinës, Isa Boletini e Riza Gjakova jo që nuk mendonin për pavarësi, por as për autonomi? e po ashtu mund të lexoni edhe shumë gjëra të tjera.

Shkëlzen Gashi, nga shtëpia botuese Rrokullia është shprehur për Express se janë disa motive të forta për të ribotuar kujtimet e Hasan Prishtinës. Motivi i parë është se vdekja fizike e Hasan Prishtinës nuk do të duhej të nënkuptojë edhe shuarjen e njohurisë tek breznitë e reja mbi nismëtarët e luftës për pavarësi, ka thënë ai. Po ashtu, sipas tij, të rinjtë duhet të njihen me sakrificat e këtij patrioti vetëmohues dhe, siç u shpreh ai, ti bëjë të kuptojnë se kombi shqiptar ka ditë me pasë edhe udhëheqës politikë që vendin e vet jo veç nuk e kanë vjedhë, po madje për të e kanë shkri edhe pasurinë vetjake.

Gashi tregoi se promovimi i librit do të mbahet më 28 nëntor. Ka mundësi që për shkak të simbolikës promovimi të mbahet në shkollën fillore Hasan Prishtina, por ende nuk është bërë i ditur vendi ku do të mbahet promovimi.

Këto kujtime janë shkruar për herë të parë në gjuhën frënge në vitin 1921, të cilat në shqip i ka përkthyer Bedri Pejani dhe kur janë botuar, ai ka thënë se paratë e shitjes do të shkojnë për fëmijët jetimë, pastaj janë botuar edhe njëherë në vitin 1925 në Napoli të Italisë. Gashi tha se edhe në vitin 1983 është botuar një libër Dokumente Hasan Prishtina me fjalime të tij, letra e tij që ia ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, letra që ia ka dërguar Presidentit amerikan Woodrow Wilson kur është mbajtur Konferenca e Versajës, ka punime të ndryshme që kanë të bëjnë me Hasan Prishtinën dhe në mesin e tyre janë edhe këto kujtime të tij, por të cilat janë të censuruara. Kritikat që ia jep Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit janë të hequra. Në Kosovë këto kujtime nuk janë botuar asnjëherë, tani po botohen për herë të parë dhe po botohen të pacensuruara dhe paratë prej shitjes prapë do të shkojnë për fëmijët jetimë, tregoi Gashi. Ky libër i ka veç 50 faqe dhe mund të lexohet për një orë, ndërsa çmimi është tri euro.

Duke e ndjekë shembullin e vënë prej vet Hasan Prishtinës, Shtëpia Botuese Rrokullia ka vendosë që fitimet prej këtij botimi ti dhurojë për arsimimin e fëmijëve jetimë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›