E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshohet për mbi 50 të vdekur pas një aksidenti në Mianmar

Mbi 50 persona dyshohet të kenë vdekur, pasi që një anije e mbushur përplot me udhëtarë është përplasur me një anije për transportimin e naftës, në Mianmar, kanë njoftuar sot zyrtarët.

Anija me rreth 180 udhëtarë është fundosur, pasi që është përplasur me një anije për transportimin e naftës. Deri me tani kemi zbuluar 34 kufoma dhe 16 persona tjerë konsiderohen të zhdukur dhe ne besojmë se edhe ata kanë vdekur, deklaroi një zyrtar, i cili deshi të mbetet anonim.

Udhëtarët tjerë janë shpëtuar dhe ata tashmë janë kthyer në fshatrat e tyre, tha ky zyrtar, i cili shtoi se aksidenti ka ndodhur në momentin kur anija po lundronte ndërmjet qyteteve Pathein dhe Thetkelthaung.

Aksidenti ndodhi në rajonin Irravady, i cili në maj të vitit të kaluar u godit nga cikloni Nargis, si pasojë e së cilit humbën jetën 138 mijë njerëz, ndërsa me qindra mijëra të tjerë mbeten pa kulm mbi kokë.

Pjesa më e madhe e banorëve të Mianmarit jetojnë në rajone të rrafshëta, më pak të zhvilluara të këtij shteti të izoluar dhe varën në pjesë të madhe nga transporti ujor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›