Kujtimet fëminore të Berluskonit
Në interes të biznesmenëve tanë të papërtuar
Parathënia e Berluskonit e një libri për një biznesmen me intuitë, ka aktualitet edhe sot për të nxitur nismat dhe intuitën e biznesit të ndershëm shqiptar. Kur ishte fëmijë, Silvio takohej shpesh me Xhovani Borxhin në një lagje të Milanos, me emrin “Ishulli Garibaldi”. Kjo miqësi ishte përforcuar se Xhovani ishte kushëri me Fedele Konfalonierin, mikun e përhershëm të Silvios.
Ajo që mund të merret si thelbi i shkrimit të Berluskonit, është shprehja e tij: - “Kemi nevojë për shembuj”. Borxhi ka 35 vjet që ka vdekur (27 vjet kur u shkruan kujtimet). Por veprimtaria e tij mund t’i frymëzojë njerëzit edhe sot.
Mbase Silvio, shkruan në mënyrë të tërthortë edhe për suksesin e tij vetjak në veprimtarinë e aferave të veta, duke u përqendruar te miku i tij për të cilin është shkruar libri.
Cili ishte Borxhi?
Ai ishte një afarist i thjeshtë, me intuitë të mprehtë parashikuese. I mbushi shtëpitë italiane me frigoriferë, në një kohë tepër të përshtatshme. Rrezikoi për këtë veprimtari, se e nuhati perspektivën. Shiti dyqanin, si edhe të gjitha pasuritë e tjera, dhe iu përkushtua elektroshtëpiakëve. Por nuk shpërfilli as sponsorizimin. Ishte i pari që mendoi se paret që jepeshin për këtë punë zëvendësoheshin dhe tejkaloheshin, përmes zgjerimit të veprimtarisë. Kishte një formulë magjike të vetën, të cilën po e japim në dialekt, siç e shprehte ai: ghe pensi mi. Në italisht do të thuhej : Ci penso io”. Këtë s’ka nevojë ta përkthejmë, se e kuptojnë të gjithë shqiptarët! Kështu u thoshte Borxhi bashkëpunëtorëve të tij, kur ndodheshin përpara një vështirësie të veçantë. Dhe gjente zgjidhjen më të mirë. Prandaj Berluskoni thotë në parathënie të librit se duhet përfituar nga shembujt. Në të vërtetë është fjala për shembuj që kanë dhënë një ndihmesë të padyshimtë në boom-in italian.
Duke u vënë në dijeni se çka ndodhur në një vend fqinj (Italia), kur ky vend ishte i varfër dhe arriti ta shporrë varfërinë, édhe neve na ngjallet dëshira që të kemi një afarizëm të tillë të suksesshëm, përmes afaristëve të talentuar, të cilët do të pasuroheshin nga një shërbim me vlerë që do t’i bënin ekonomisë kombëtare. Mundësia e suksesit rritet me konkurrencën e lirë dhe të ndershme, për të cilën flitet me ngulmim dhe me përkushtim nga një qeveri e certifikuar për rritjen ekonomike, siç është ajo jona, sot. Nihilizmi i një opozite destruktive, mohuese për gjithçka, që s’merr parasysh as shifrat konkrete, bie ndesh, natyrisht, me ato frymëzime që gjejmë në këtë parathënie.
Le t’ia japim fjalën Silvio Berluskonit:
-Edhe unë jam rritur në lagjen “ishulli garibaldi” të Milanos, sikundër borxhi, që ishte xhaxhai jo ende i famshëm i mikut tim, fedele konfalonieri. Kam një kujtim të kthjellët se ku ndodhej dyqani në sheshin “miniti”, një dyqan materialesh eklektrike, në të cilin shiur (zotëri) guido borxhi, milanez safi, u mësonte djemve po ato gjëra që më thoshte edhe mua babai, luigji: të kishim ndjenjën e detyrës, aftësinë për të flijuar, dashurinë për punën, respektin për fjalën e dhënë. Djemtë e zotit guido ishin gaetanua, xhovani dhe xhuzepja.
Nuk jam shumë i sigurt, por besoj se e kam takuar për herë të parë Borxhin në sheshin para faltores së Shën Antonit, një vend ku mblidheshin banorët e “Ishullit”; në atë kohë Milano ishte gjysmë e shkatërruar nga bombardimet. Vendi ku takoheshim ishte një qendër zbavitjeje dhe takimesh.
Unë dhe Fedele Konfalonieri ishim gjimnazistë të rinj, me prirje të njëjta për ekipin Milan dhe për muzikën. Ai, mbreti i ardhshëm i frigoriferëve, ishte një djalë tërë jetë; për të rrumbullakosur rrogën e një punëtori, madjè edhe të kamerierit, vinte t’i binte edhe pianos pranë një shoqërie kinematografike duke shoqëruar, me motive të kohës, filma bardhë e zi e pa zë. I binte pianos edhe e ëma, Maria, ndërsa Konfalonierin senior e quanin Hernani, me emrin e personazhit të operës së Verdit.
(...) Sesi hyn, - e nëse në ndonjëfarë mënyre mund të hyjë, - prirja për muzikën me suksesin në fushën e prodhhimtarisë, kjo është e vështirë të thuhet. Por ja që duhet të them se hyn , meqë Xhovani Borxhi u bë isndustrialisti simbol i mrekullisë ekonomike italiane; por édhe unë vetë kam qenë instrumentist në anijet e lundrimeve. Të dy, pra, e kemi bërë pjesën tonë si sipërmarrës në afera. Por mbase ka ndikuar edhe ajri i “Ishullit”, që e ka bërë personin që e ka thithur dhe e ka nxjerrë nga mushkëritë që në moshë të mitur, të frymëzohet për të dhënë afsh, fantazi, nismë, artin për të bërë diçka të re.
Kjo do të thotë shpikje: Xhovani Borxhi ka pasur një nuhatje të mrekullueshme duke kuptuar se, pas shtrëngimit të rripit që solli lufta, do të vinte koha e konsumit. Dhe italianët, duke imituar amerikanët, do të kërkonin komoditete për banesat e tyre: frigoriferin, lavatriçen, larësen e enëve. Kërkohej emërtimi me një markë të lehtë: pesë shkronja, Ignis, fjalë që në latinisht do të thotë “zjarr” ndonëse, në mënyrë paradoksale, të sjell ndërmend qysh prej pesëdhjetë vjetësh, pamjen e pjatave të ftohta dhe të pijeve të akullta.
E kam takuar sërishmi Xhovani Borxhin në qendrën e tij të punës, atëherë kur industria e eletroshtëpiakëve ishte në zenith. Me mendje të ndritur, inteligjent, i shkathët, kishte të ngulitur në kokë një synim të caktuar: të prodhonte. është një bindje e shëndoshë: shpenzimet për publicitet, gjithmonë rifitohen. Aq më tepër kur, si në rastin e Ignis-it, veprimtaria është e çiftëzuar me sportin dhe shërben për të mbajtur gjallë skuadra që lozin, që fitojnë, që të dëfrejnë. Ideja për të treguar në një libër aventurën e jashtëzakonshme të Xhovani Borxhit dhe për ta paraqitur në këto vite ndryshimesh të mëdha, është sigurisht një ide e mirë. Kemi nevojë për shembuj. E, mbi të gjitha, kemi nevojë në besimin për atë Itali, besim që nuk i ka munguar kurrë mbretit të frigoriferëve””.
Jam i mendimit se këto fjalë të Berluskonit kanë aktualitet për zhvillimin tonë ekonomik të tanishëm. Në një intervistë të Bruno Vespës, botuar tetë vite më parë, ky gazetar me emër në Itali, e pyeste Silvio Berluskonin për nihilizmin e së majtës italiane dhe për zhvillimin ekonomik që kishte përftuar e djathta italiane. Kam shënimet e kohës dhe po jap të riprodhuara, pa luajtur presjen, nja tre rreshta: “Të gjitha anketimet e instituteve që s’janë përgënjeshtruar ndonjëherë nga zgjedhjet, flasin pikërisht se në vështirësi
është e majta, kurse e djathta është në shëndet të plotë”. Përgjigja e shkurtër e Silvios përmbante shifra konkrete të zhvillimit dhe ky nuk mund të mohohej me frazeologji retorike. Për këto hartime në vend të fakteve, të mbrujtura me të pavërteta, e majta jonë e indoktrinuar është fenomenale. Vetëm një shembull konkret: Propagandisti i Ramës, Eduard Shalësi nuk e di (ose bën sikur nuk e di) dallimin ndërmjet bahkëjetuesit (konviventit) dhe bashkëshortit! Nëse ka kaq sedër sa të mos dojë të quhet injorant, atëherë ptanon se është falsifikator. Sepse Albana Vokshi, duke qenë bashkëjetuese dhe duke mos qenë bashkëshorte, do t’ia priste hovin e akuzave të pathemelta kundër kësaj zonje, akuza që synonin që të përligjnin fukarallëkun e E. Ramës!
Për trillin mohues të PS-së e të Ramës, Berisha ka folur në mënyrë të argumentuar dhe gjerësisht kohët e fundit. S’kemi përse të zgjatemi. Ajo që mund të themi, si përfundim, është se mendimet e Berluskonit, të pasqyruara në këtë shkrim, i shërbejnë jo vetëm biznesit tonë, por edhe problematikës sonë në raport me një opozitë obstruksioniste, që është vënë në shërbimin vetjak të një personi të vetëm.