E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të pëndjekurit, hapat që duhet të ndjekin për të mos humbur dëshmpërblimin



TIRANË - Pjesa më e madhe e dosjeve që kanë dorëzuar ish-të përndjekurit rezulton të ketë probleme me dokumentet. Për këtë shkak ato janë ende në fazën e shqyrtimit edhe pse mund të ketë kaluar shumë kohë nga momenti i parë i dorëzimit në Ministrinë e Drejtësisë. Pikërisht janë këto dosje të cilat iu marrin më shumë kohë dhe grupit të specialistëve që po shqyrtojnë kërkesat për dëmshpërblim. Për pjesën më të madhe të tyre, përgjigjja e parë nga Ministria e Drejtësisë ishte që dosja duhej plotësuar me të tjera dokumente. Kjo do të thotë që për të gjithë këta persona nis një punë e dytë, duke shkuar sërish nëpër institucione shtetërore për të marrë dokumentet e nevojshme. Burime pranë Ministrisë së Drejtësisë pohuan se vetëm pak kohë më parë ky dikaster ka nxjerrë një udhëzim posaçërisht për këtë kategori, që ende nuk i ka kaluar dosja në shqyrtim në themel.
Udhëzimi
Ministria e Drejtësisë njofton të gjithë qytetarët që kanë aplikuar për të përfituar dëmshpërblim financiar bazuar në Ligjin “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, se aplikantët që marrin njoftime për plotësim dokumentesh apo plotësim formularësh të vetëdeklarimit në përgjigjen e tyre duhet të përcaktojnë numrin e dosjes dhe datën e regjistrimit të saj. Ky element është shumë i rëndësishëm sepse ndikon në përfshirjen e menjëhershme të dokumentacionit plotësues në dosjen përkatëse. Paraqitja e dokumentacionit plotësues pa numrin e dosjes e bën pothuajse të pamundur identifikimin e dosjes konkrete për shkak të numrit të madh të tyre për shqyrtim pranë Ministrisë së Drejtësisë. Aplikantët që nuk kanë marrë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë, për shkak të adresës së gabuar apo për shkaqe të tjera, do të ndihmohen nga sektori i trajtimit të kërkesave të ish-të dënuarve politikë në Ministrinë e Drejtësisë.
Dosjet
Në listë nuk jepen vetëm gjeneralitetet, por edhe kërkesat e tyre. Në shumicën e rasteve, ashtu siç është bërë publike, pjesa më e madhe e kërkesave është rikthyer për shkak të mungesës së dokumentacionit. Për trajtimin e këtyre kërkesave është ngritur një grup pune, i përbërë nga 21 specialistë. Dosjet e paraqitura në Ministri i nënshtrohen shqyrtimit paraprak dhe konkluzionet e tyre u bëhen të ditura të interesuarve brenda një periudhe të caktuar kohore që zakonisht zgjat disa ditë. Për shumë dosje, që rezultojnë me mangësi në dokumentacion, njoftohen të interesuarit.

BoX
Skema si do të përllogarit dëmshpërblimi
Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Enti Kombëtar i Banesave dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në bashkëpunim, do të bëjnë përllogaritjet e masës së dëmshpërblimit financiar si më poshtë vijon:
Në rastin e përfitimit pasuror, në të holla dhe letra me vlerë. Çdo kërkues, brenda dhjetë ditëve nga marrja e njoftimit për shqyrtimin në themel të kërkesës së tij nga Ministria e Drejtësisë, plotëson formularin e vetëdeklarimit për përfitimet, në të holla ose letra me vlerë, të marra prej tij me ligjet e mëparshme. Formulari i vetëdeklarimit i dërgohet kërkuesit nga Ministria e Drejtësisë së bashku me njoftimin për shqyrtimin në themel të kërkesës. Ministri i Drejtësisë, pas mbërritjes së formularit të plotësuar nga ish-i dënuari politik ose i afërmi i tij, i dërgon Ministrisë së Financave një kopje të formularit të plotësuar dhe i kërkon të verifikojë përfitimet, në të holla dhe letra me vlerë, të ish-të dënuarit politik nga ligjet e mëparshme. Ministria e Financave, pasi verifikon përputhjen e formularit të vetëdeklarimit me të dhënat e Raiffeisen Bank, i dërgon Ministrisë së Drejtësisë përgjigjen zyrtare për masën e zbritshme të dëmshpërblimit brenda 30 ditëve nga depozitimi i kërkesës. Përgjigjja formulohet sipas tekstit në vijim: “Pas verifikimit dhe përllogaritjeve të kryera nga institucioni ynë, ju informojmë se masa e zbritshme është (shuma në lekë) përfitim i marrë nga ligje të mëparshme nga ish-i dënuari politik ose, pas verifikimit të kryer nga institucioni ynë, ju informojmë se masa e zbritshme është (shuma në lekë) përfitimi i marrë nga ligje të mëparshme nga ish-i dënuari politik. Kjo shumë është e barabartë me shumën e deklaruar nga vetë kërkuesi, sepse te ne nuk ka të dhëna”.

Box
Shqyrtimi, dokumentet që po u verifikohen
Shqyrtimi i drejtpërdrejtë është faza e parë e hetimit, i cili kryhet në sektorin e Gjendjes Gjyqësore në Ministrinë e Drejtësisë (skedarët e përgjithshëm dhe ato të posaçëm, për të përndjekurit politikë të regjimit komunist) dhe, sipas rastit, në arkivin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Çdo kërkesë i nënshtrohet këtij shqyrtimi, pavarësisht informacionit provues që i bashkëlidhet dosjes. Kopja e ekstrakteve të arkivit printohet, nënshkruhet nga punonjësi që përpunoi informacionin dhe i bashkëlidhet dosjes së kërkuesit. Informacioni, për çdo kërkesë, kërkohet në të gjitha variantet; emër, mbiemër, viti i lindjes, lloji i veprës penale etj., përfshi edhe indiciet për gabime të mundshme, ortografike dhe materiale, të dhëna nga vetë kërkuesi, për gjeneralitetet e tij. Pas verifikimit të drejtpërdrejtë të informacionit, punonjësi vepron si më poshtë. Kur provohet se kërkuesi ka kryer vetëm dënim penal politik, ai evidenton, në një formular të posaçëm, llojin dhe, sipas rastit, kohën e vuajtjes së dënimit, gjithsej, të cilin ia bashkëlidh dosjes. Dosja i përcillet për shqyrtim të bashkërenduar organeve të tjera shtetërore, për të parë nëse çështjet janë në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligjin për dëmshpërblim. Kur provohet se kërkuesi, gjatë të njëjtit gjykim apo gjatë gjykimeve të tjera, është dënuar për një ose më shumë vepra penale, politike dhe jopolitike, ai evidenton llojin dhe, sipas rastit, kohën e saktë të vuajtjes së dënimit, gjithsej, politik dhe jopolitik, në një formular të veçantë, që i bashkëlidhet dosjes. Kur provohet se kërkuesi, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, ka kryer veprime me pasoja për jetën e shtetasve të tjerë, i propozon ministrit ta klasifikojë kërkesën si të pabazuar në ligjin për dëmshpërblim. Në rastet kur provohet se kërkuesi ka kryer vetëm dënime jopolitike, i propozon ministrit ta klasifikojë atë si të pabazuar për të përfituar në këtë proces. Kur provohet se Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna për kërkuesin, kërkesa i përcillet Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit për verifikim të drejtpërdrejtë në burimet e tyre arkivore të periudhës 30.11.1944 - 1.10.1991. Autoritetet përgjegjëse, brenda 30 ditëve, verifikojnë kërkesën dhe dërgojnë informacion në Ministrinë e Drejtësisë edhe për çështje të përmendura në shkronjën “d” të nenit 4 të këtij ligji. Brenda pesë ditëve, Ministria e Drejtësisë e kualifikon kërkesën në një nga rastet e mësipërme.

29 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›