Opozita, në kurthin e fatit personal të Ramës
Gramoz Ruçi ka kërcyer dje nga belaja, sa nga fjala negociatë, tek fjala protestë, duke përcjellë mesazhin e kryetarit se s’do i tregojë lidhjet me partnerët e tij, por do këmbëngulë që të mbajë peng bashkinë e Tiranës. Klimaksi politik i Edi Ramës ka bllokuar ambiciet politike të të gjithë opozitës, por s’dihet ende nëse partiakët e provincave do ta bashkojnë fatin e tyre me dështimin që po i ndodh kryetarit të partisë në qendër
Duket sheshit se Partia Socialiste s’po di si të dalë nga pozicioni antisistem ku është futur prej më shumë se një viti, qoftë për shkak të pamundësisë së një parapolitikani si Edi Rama për të zhvilluar një politikë moderne, qoftë për shkak të rritjes së presionit të brendshëm, në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjet e ardhshme vendore. Për të paraqitur këtë situatë dyzimi e cila tregon se kriza është ulur këmbëkryq në partinë më të madhe në opozitë, dialogu i përjavshëm i xhumasë, s’është kryer drejtpërdrejt, por me delegim, me delegim tek njeriu që shquhet veç për mungesë kompromisi e ligjërimi politik, i delegohet Gramoz Ruçi. I detyruar të flasë si jurist, të flasë si politikan profesionist, të flasë si specialist por edhe si udhëheqës partie, Gramozi ka bërë atë që di të bëjë në fakt, të kërcënojë për revolucion e haxhiqamilizëm, si dhe të shtojë shantazhin për Perëndimin, se destabiliteti do të mbetet në vend, nëse dikush nga Evropa nuk i nxjerr nga belaja ku i ka futur kryetari. “Do kthejmë protestat, nëse s’na nxirrni nga ky hall ku jemi futur”, tha fjalinë kryesore të ligjërimit të vet, Gramoz Ruçi, duke nulifikuar të gjithë tezën që e kishte mësuar përmendësh, lidhur me negociatat e gushtit e me gjasat që në shtator do të arrihej ndonjë marrëveshje.
Por Edi Rama, që u vetëshpall sërish i munguar, për të mos iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, të cilat dje në fakt u shqiptuan nga goja e Aldo Bumçit, se për sa kohë e njeh ai Tan Leprin e sa apartamente e pasuri të tjera ka vendosur ai nën emrin e mikut të tij, e ka bllokuar të gjithë negociatën e s’hap dritë jeshile as për kryerjen e transparencës së lejeve të ndërtimit në Tiranë, e as lidhur me kryerjen e reformës së ardhshme zgjedhore. Fati politik i Edi Ramës është në kurth dhe varet në fije të perit, nga rezultati i zgjedhjeve të ardhshme vendore, por i tmerruar siç është, ai s’ka asnjë vëmendje ndaj këtij procesi, se jo, veç për ta prishur. çfarë s’po shpik për ta prishur këtë proces, që nga protestat e bllokimet e rrugëve, e deri tek kërcënimet për paralizimin e të gjithë strukturës së pushtetit vendor, që aktualisht administrohet nga Partia Socialiste. Gjithçka për të siguruar në tavolinë fitoren edhe për një mandat tjetër në bashkinë e Tiranës.
E kush më mirë se ish-ministri i fundit i Sigurimit të Shtetit, Gramoz Ruçi mund të përcjellë për të disatën herë shantazhit e një parapolitikani si Edi Rama, se nëse unë nuk lejohem të rizgjidhem, tymi i zi do t’i dalë politikës shqiptare e më zgjedhje e zgjidhje nuk do të ketë.
Pikërisht për të përcjellë këtë mesazh anakronik, Edi Rama nxori dje Gramoz Ruçin e s’u shfaq vetë, në pritje të testimit të opinionit publik, se si do të pritej ky shantazh i ri me stabilitetin e vendit. E keqja është se ky shantazh tashmë s’po has ndonjë opozitë institucionale brenda Partisë Socaliste dhe ajo praktikisht është futur në kurthin e Edi Ramës. Klimaksi i tij politik është shndërruar në fatin politik të krejt opozitës dhe rreziku është që Shqipëria të detyrohet para nevojës urgjente për plazmimin e një opozite të re, me të gjitha sëmundjet foshnjore që ajo mund të bartë, sapo fatin e vet privat, Edi Rama t’ia injektojë edhe formalisht Partisë Socialiste. Do mbetet të shihet se si do të sillen muzhikët socialistë të provincave, të cilët asnjëherë s’kanë qenë pa pushtet nëpër bashki e komuna nga vendimmarrje që kanë lidhje veç me fatin personal të Edi Ramës, partnerëve të tij në biznes e në jetën private, dhe gjithçka e lidhur me përpjekjen për të mbajtur gjallë ëndrrën për ndërtimin me ta të Qytetit Privat në rrethinat e kryeqytetit. Sido që të ndodhë përplasja mes linjave në Partinë Socialiste, mund të themi se me daljen e djeshme të Gramoz Ruçit dhe rinovimin e shantazhit për protesta haxhiqamiliste, opozita përfundimisht është futur në kurthin e Edi Ramës dhe të fatit të tij personal, me pak gjasa për të dalë prej andej pa ndonjë kurban të rëndë e të rëndësishëm, në lartësinë e të cilit për momentin do të ishte dyshja Rama-Ruçi, të cilët do të ishin analogonë të Don Kishotit e Sanço Panços, veç të zhveshur nga të gjitha cilësitë e virtytet e tyre qëllimmira, por njëlloj të pashpresë.
I. Nikolla