E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëmbehet për t’u trafikuar 18-vjeçarja, në pranga i riu



SHKODËR - Një 22-vjeçar është ndaluar dje nga policia me akuzat e rënda të tentativës së trafikimit të qenieve njerëzore dhe shfrytëzim prostitucioni. Policia e qytetit të Shkodrës ka bërë të ditur se ka vënë në pranga të riun Mark Maloca, i njohur me emrin Mark Ciobanu, 22 vjeç, nga fshati Trush i Shkodrës. Arrestimi i tij është bërë pasi dyshohet se ai ka shfrytëzuar për prostitucion një vajzë 18-vjeçare me inicialet F. K. nga Kallmeti i Lezhës. Policia ishte vënë në kërkim të vajzës që pas denoncimit për zhdukjen e saj, në datën 19 korrik të këtij viti. Por, gjatë kërkimeve, policia ka zbuluar se vajza ishte rrëmbyer me qëllim trafikimin e saj drejt Italisë. Pasi është gjetur në Shkodër, vajza është marrë në pyetje dhe ka treguar peripecitë që kishte kaluar. Ndërkaq, në pranga është vënë 22-vjeçari, i cili duhet të përgjigjet për disa akuza.
Denoncimi
Më 19 korrik të këtij viti, familja e vajzës me inicialet F. K. ka bërë denoncim në polici për zhdukjen e saj. Të afërmit kanë treguar se ajo ishte zhdukur pa lënë gjurmë dhe nuk e kishin idenë se ku mund të ishte. Të ndodhur në këtë situatë, efektivët e Policisë së Lezhës kanë nisur kërkimet në zona të ndryshme të rrethit, sidomos në zonën bregdetare. Por 18-vjeçarja nuk është gjetur. Për shkak të kërkimeve pa rezultat, uniformat blu kanë njoftuar dhe kolegët e tyre të rretheve. Këta të fundit kanë nisur kërkimet. Por, më shumë se një muaj më vonë, policia e Shkodrës ka rënë në gjurmët e vajzës së zhdukur. Ajo ishte rrëmbyer nga një i ri dhe gjatë kësaj periudhe ishte përdorur si prostitutë.
Hetimet
Të njëjtat burime bëjnë të ditur madje se 22-vjeçari tentoi ta trafikonte në Itali 18-vjeçaren. Fillimisht 18-vjeçarja është denoncuar në polici si person i zhdukur që prej 19 korrikut të këtij viti, ditë kur ishte larguar nga banesa e saj dhe nuk ishte gjetur deri ditën e djeshme. Nuk bëhen të ditura detaje të shumta, por mësohet se ka qenë vetë vajza që e ka denoncuar në polici Malocën se e ka shfrytëzuar për prostitucion. Më tej vajza ka rrëfyer se 22-vjeçari do ta trafikonte në shtetin fqinj, Itali. Policia po heton për çështjen, ndërsa ka marrë në pyetje 22-vjeçarin. Ndërkohë po hetohet për mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në këtë ngjarje.

Trafik me vajzat shqiptare, kapet organizata italo-shqiptare
KAMPANJA - Që prej 2005-s ishte aktive në rrugët e Kampanjës një organizatë kriminale italo-shqiptare, pjesëtarët e së cilës janë vënë në pranga gjatë paradites së djeshme. Hetimet e drejtuara nga Drejtoria e Antimafies në Napoli kanë çuar në pranga tetë persona, tre italianë, katër shqiptarë dhe një rumun. Siç bën të ditur media lokale e Kazertës, patrullat e lëvizshme të Kuesturës së Salernos kanë vënë në pranga anëtarët e bandës, ndaj të cilëve ishin lëshuar urdhër-arrestet. Organizata, me anë të kontakteve që kishte në Shqipëri, sillte vajza të reja në Itali, të cilat gënjeheshin me faktin se do të bënin një jetë më të mirë në gadishullin Apenin. Por të gjitha përfundonin në rrugë, duke shitur trupin kundrejt pagesës. Policia ka bërë të ditur se vajzat që shfrytëzoheshin ishin të gjitha shqiptare. Por karabinierëve mësohet se u kanë shpëtuar dy krerët e kësaj organizate kriminale, që merrej me shfrytëzimin e vajzave për prostitucion. Të ikur mësohet se janë një italian dhe një shqiptar. Nga hetimet është zbuluar se shqiptarët kryesisht merreshin me dërgimin e vajzave në Itali, mes të cilave kishte dhe minorene. Ndërkaq, italianët bënin pjesën tjetër të punës, atë të nxjerrjes në rrugë dhe mbledhjes së parave që bënin vajzat. Organizata kriminale e kishte bazën e saj në Aversa, Parete, si dhe në Serino. Këtu vajzat e trafikuara në mënyrë klandestine priteshin dhe nxirreshin në rrugë.

Përdhunojnë dy vajza të mitura, dënohen dy shqiptarë
LONDËR - Dy të rinj shqiptarë janë dënuar me 16 vite burg nga një gjykatë në Angli, të akuzuar për përdhunimin e dy vajzave minorene. Jeton Jashari, 18 vjeç dhe Binak Hasa, 19 vjeç, pasi i kanë mashtruar vajzat i kanë çuar ato në një park duke i përdhunuar. Ngjarja ka ndodhur shtatorin e shkuar, në zonën “Grove Open Space”, në lagjen “Harrow”. Gjykatës iu tregua se si Binak Hasa, pasi e përdhunoi minorenen, i vodhi telefonin celular dhe i telefonoi vajzës tjetër të përdhunuar nga shoku i tij Jeton Jashari. “Do të të hedh shtëpinë në erë. Bëj kujdes nëse merresh me mua dhe nuk e mbyll gojën”. Ky ka qenë kërcënimi tronditës lëshuar nga Binak Hasa, i cili u dënua me 8 vjet burg. Po të njëjtin dënim mori edhe bashkautori tjetër në këtë krim, Jeton Jashari. Gjatë procesit gjyqësor që zgjati dy javë, të dy shqiptarët nuk i kanë pranuar akuzat, por juria i ka gjetur ata fajtorë. Binak Hasa, për policinë lokale ishte një personazh i njohur pasi ishte dënuar më parë për 7 vepra penale. Përfshirja në krime për të fillon që në moshën 10-vjeçare, kur ai do të arrestohej në shkollë për mbajtje të një thike. Gjithashtu ai ishte edhe një përdorues i rregullt droge.

Rruga Plepa-Kavajë, vendi me më shumë aksidente
DURRËS - Aksi Plepa-Kavajë ka qenë nga më të ngarkuarit gjatë sezonit veror, sidomos fundjavave. Ai ka përballuar një fluks të jashtëzakonshëm mjetesh sa i takon qarkullimit drejt plazheve. Ndaj edhe krijimi i radhëve kilometrike apo bllokimi i qarkullimit për orë të tëra ka qenë më i shpeshtë krahasuar me vitet e mëparshme. Numri i aksidenteve të ndodhura, qoftë me pasojë vdekje, qoftë me plagosje ka qenë thuajse i njëjtë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shefi i Qarkullimit të Durrësit, Ervin Hoxha, evidenton segmentet më problematike të rrugës. "Segmenti më i vështirë dhe më i ngarkuar në këtë sezon për shkak të disa punimeve që po zhvillohen në rrugë dhe në autostradën që do të vazhdojë matanë Rrogozhinës, ka qenë segmenti rrugor Plepa-Kavajë. Në këtë segment janë përcaktuar dhe gjithë pikat e nxehta që janë burim aksidenti dhe njësia rajonale e policisë rrugore ka marrë të gjitha masat për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore”, - tha Hoxha. Riformatimi i strukturave të Policisë Rrugore ka sjellë reduktimin e prezencës së policëve në autostrada dhe superstrada, por ka sjellë njëherësh edhe rritjen e ndëshkimeve për drejtuesit e mjeteve. Kjo falë sistemeve të reja të monitorimit që janë instaluar muajt e fundit.

Aksidentet, plan masash për kontrollin e rrugëve në Gjirokastër
GJIROKASTËR - Parandalimi i aksidenteve në akset kryesore nacionale të Jugut për shkak të numrit të madh të emigrantëve që lëvizin në to, ka qenë objekt i një plani të përbashkët masash të tri institucioneve në qarkun e Gjirokastrës. Për këtë qëllim, drejtuesit e këtyre institucioneve kanë kryer një inspektim në aksin nacional Kakavijë- Tepelenë, ku kanë parë nga afër problematikën e rrugës dhe në këtë kuadër kanë bërë edhe koordinimin e veprimeve sipas specifikës së secilës drejtori. “Duhet të bashkëpunojmë për sigurinë rrugore dhe pajisjen e të gjitha akseve me sinjalistikën rrugore për eliminimin e njollave të zeza, të cilat janë burim aksidenti gjatë sezonit. Ne po punojmë edhe për zëvendësimin e sinjalistikës që dëmtohet gjatë sezonit turistik”, - deklaroi Paqësor Aliko, drejtori rajonal i Rrugëve në Gjirokastër. “Nga data 1 shtator fillon kolaudimi dhe të gjitha mjetet që do dalin nga kolaudimi do të jenë në bazë të parametrave të BE-së. Do jenë të detyruara të gjitha mjetet të jenë të kolauduara dhe të jenë të mirëmbajtura teknikisht për të lëvizur në rrugë”, - thotë Bexhet Çobani, drejtor i Transportit në Gjirokastër.

Fluks emigrantësh në port, nis kthimi në vendet e punës
DURRËS - Emigrantët shqiptarë që jetojnë në shtetin italian kanë nisur të kthehen për në vendet e punës. Të paktën 11 mijë persona janë regjistruar në sportelet e pikës kufitare të policisë së Portit të Durrësit mbrëmjen e kaluar, ndërsa në fundjavë numri i tyre pritet të jetë edhe më i madh. Policia Kufitare e Durrësit ka hartuar një plan masash për lehtësimin e procedurave të kalimit në kufi të të gjithë emigrantëve që pritet të largohen nga vendi ynë nëpërmjet Portit të Durrësit. Nga ana e Policisë Kufitare është shtuar numri i sporteleve nga 12 në 25 të tilla, si dhe janë vënë në dispozicion hapësira të reja të terminalit të ri të pasagjerëve, me qëllim përpunimin sa më të shpejtë të udhëtarëve. Sipas të dhënave për pushimet verore, në vendin tonë, vetëm përgjatë muajve korrik-gusht kanë hyrë mbi 250 mijë shtetas dhe po aq pritet të largohen.

29 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›