Kujtimet jugosllave

Sot (e hënë), nga ora 19:30, Qendra Multimedia jep premierën e shfaqjes “Shkolla e vogël e kujtimeve”.
Është ky prodhim i realizuar në kuadër të projektit Networking Memories, që ka filluar në muajt e parë të këtij viti, projekt ky i përkrahur nga Komisioni Europian i cili po implementohet në bashkëpunim të disa organizatave të shoqërisë civile nga rajoni, gjegjësisht nga Italia, Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Nën regjinë e Aleksandra Urosheviç, me dramatizim te Jeton Neziraj, kjo shfaqje do të trajtojë kujtimet për të kaluarën, nga të rinjtë e lindur mes viteve 1983-1990, të cilët janë rritur duke dëgjuar tregime nga prindërit e tyre, se si ata kanë udhëtuar kilometra të tëra pa poseduar pasaportë, tregime se si kanë udhëtuar për në Trieste për të blerë veshjet për mbrëmjen e maturës, apo si kanë udhëtuar nga Prishtina për në Zagreb vetëm për të pirë një kafe. Megjithatë kjo gjeneratë asnjëherë nuk kanë qenë Pionierët e Titos apo asnjëri prej tyre nuk ka marrë pjesë në Aksionet Rinore të Punës.
Dramaturge e shfaqjes është Vesa Qena, skenografe Ivana Lovre, lëvizja skenike dhe koreografia Sanja Krsmanoviç Tashiç, ndriçimi Skënder Latifi, ndërsa aktrojnë: Arta Selimi, Muhamed Arifi, Afrim Muçaj dhe Lyra Gjoci. Koordinator i projektit për Kosovë Qërim Ondozi ndërsa koordinator i marrëdhënieve me publikun Adelina Berisha.