E Shtunë, 31 Tetor 2026

QKK nxjerr fituesit

“Tri dritare dhe një varje”, me skenar të Zymber Kelmendit dhe regji të Isa Qosjes, kap shumën më të madhe nga Qendra kinematografike e Kosovës për këtë vit; ndërkohë QKK-ja ka subvencionuar gjithsej pesë filma të gjatë, tre filma të shkurtër, dy dokumentarë dhe një film të animuar. Nga Albana S. Muja më 25 shtator 2011 në ora 14:09

“Tri dritare dhe një varje” është skenari, i cili përveç regjisorit Isa Qosja, ka provokuar edhe Qendrën Kinematografike të Kosovës, e cila do të japë 250 mijë euro për realizimin e këtij filmi.

Pasojat e luftës, dhunimi që mbetet një plagë e madhe e shoqërisë sonë e njëkohësisht temë tabu, është trajtuar ndryshe, me një qasje origjinale të mentalitetit tonë karshi këtij problemi, nga dramaturgu Zymber Kelmendi.

Ndërkohë, kjo temë, së pari është parë si film i metrazhit të shkurtër, regjinë e të cilit e ka bërë regjisori Faton Bajraktari.

“Ky skenar së pari është bërë në versionin e shkurtër pastaj nga mënyra se si e ka trajtuar regjisori, Faton Bajraktari këtë film, ka zgjuar interes edhe tek regjisori Isa Qosja”, theksoi Zymber Kelmendi.

Kelmendi shtoi që po e njëjta temë është zgjeruar, janë ndjekur të gjitha ato linjat që e karakterizojnë një skenar të gjatë për dallim nga i shkurtër, dhe në bashkëpunim me regjisorin Isa Qosja është përfunduar versioni i skenarit të gjatë i cili u vlerësua tani nga Qendra.

Sipas Kelmendit tema është ajo që e ka provokuar jurinë e QKK-së, ndërkohë ai ndihet mirë si fitues, së pari në cilësinë e krijuesit por edhe për dy arsyeje tjera.
“E para është për shkak të asaj që në Kosovë e vetmja është QKK-ja ajo që prodhon film të gjatë, dihet që konkurrenca është e madhe, pritjet janë të mëdha karshi këtij konkursi dhe e dyta fati i këtij projekti për mua është që qëndron prapa regjisori i madh, siç është Isa Qosja”, theksoi Kelmendi.

Juria në përbërje të Fadil Hysaj, regjisor/dramaturg dhe profesor; Andamion Murataj, producent, skenarist; Shkëlzen Berisha, aktor, përkthyes dramash dhe drejtor artistik i Teatrit në Gjilan; Rebeka Qena, aktore; dhe Yll Çitaku, regjisor filmi, për këtë vit kanë bërë këtë përzgjedhje: Në kategorinë e filmit artistik të metrazhit të gjatë, përzgjidhen këto projekte “Tri dritare dhe një varje” me skenar të Zymber Kelmendit dhe regji të Isa Qosjas, i shtëpive filmike N.SH. “CMB” dhe P.K. “ISSTRA”, subvencionohet me shumën prej 250,000.00€ , “Babai” me skenar dhe regji të Visar Morinës, i shtëpisë filmike N.SH. “Produksioni Krusha”, subvencionohet me shumën prej 100,000.00€ me fuqi vepruese brenda vitit 2012, gjithmonë nëse producenti arrin të sigurojë mjete. Këtë të drejtë shtëpia filmike N.SH. “Produksioni Krusha” mund ta shfrytëzojë më së largu deri në 30 shtator të vitit 2012. “Njerëz të tepërt” me skenar dhe regji të Arben I. Kastratit, i shtëpisë filmike N.SH. “Some Kind Of Productions”,subvencionohet me shumën prej 20,000.00€, për realizimin e post-produksionit. “Kthimi” me skenar dhe regji të Kastriot Abdylit, i shtëpisë filmike N.SH. “Shkupi Film”, subvencionohet me shumën prej 29,000.00€, për pagesën e grupit të aktorëve nga Kosova.

Regjisori, Kastriot Avdyli, ndihet mirë, që edhe Kosova apo QKK-ja po kontribuon në filmin e tij, përveç Fondit të filmit të Maqedonisë, mirëpo sa i përket shumës, ai thotë që mund të jetë e arsyeshme për ata që i kanë ndarë mjetet mirëpo kjo shumë nuk i mbulon të gjitha shpenzimet e aktorëve dhe autorëve nga Kosova, sepse sipas Avdylit, rreth 80%, janë nga Kosova, ndonëse ky projekt është një produksion i trekëndëshit shqiptar, Shkup, Prishtinë dhe Tiranë, mirëpo ai shpreson edhe në fondacione tjera. “Si fillim është e mirë kjo që ka bërë QKK-ja, që i ka financuar disa projekte dhe disa reforma që i ka bërë, unë i përshëndes për qasjen profesionale të cilën e ka Qendra, kurse për të holla, do të shoh edhe nëpër fondacione tjera, nëpër të cilat kam konkurruar” theksoi Avdyli.

Filmi tjetër i subvencionuar është “Muret” me skenar dhe regji të Mark Lucaj, i shtëpisë filmike N.P.SH. “The Group” L.L.C. / PRISHTINA FILMS,subvencionohet me shumën prej 3,500.00€ , për zhvillimin e Skenarit sipas sugjerimeve të Jurisë, me kusht që të sjell skenarin e plotësuar para afatit të konkursit të ardhshëm të QKK-së. Në kategorinë e projekteve të filmave të shkurtër artistikë përzgjidhen për realizim: “Zëvendësimi”, me skenar dhe regji të Ilirjan Himajt, i shtëpisë filmike N.SH. “Tri dritare”, subvencionohet me shumën prej13,000.00€, “Ne të tre”, me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, i shtëpisë filmike N.T.SH.” Init Production”, subvencionohet me shumën prej: 8,000.00€, “Përqafimi i fundit”, me skenar dhe regji të Lulzim Guhelli, i shtëpisë filmike N.T.SH., “CINEPRODUCTION”, subvencionohet me shumën prej 1,500.00€ për zhvillimin e Skenarit sipas sugjerimeve të Jurisë, me kusht që të sjell skenarin e plotësuar para afatit të konkursit të ardhshëm të QKK-së.

Në kategorinë e filmave dokumentarë përzgjidhen projektet: “Tingujt e rrënjës”, me skenar dhe regji të Shota Bukoshit, i shtëpisë filmike N.SH. “3V”, subvencionohet me shumën prej 15,000.00€, “Heil Hitler”, me skenar dhe regji të Alban Mujës, i shtëpisë filmike N.Sh. “MF GR Media Film Productions”, subvencionohet me shumën prej 5,000.00€. Në kategorinë e filmit të animuar përzgjidhet projekti “Përtej”, me skenar dhe regji të Nexhat Krasniqi, i shtëpisë filmike “Studio Nekra”, i cili subvencionohet me shumën prej 20,000.00€.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›