E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtohen pas një dite

Ngjarja e djeshme që ndodhi në pikën kufitare Jarinje të Leposaviqit, ka nxitur shumë reagime nga institucionet dhe OJQ-të e ndryshme të Kosovës.

Madje, veprimi i djeshëm i ”Gardës së Car Lazarit”, është ngritur si çështje edhe në seancën e plenare të së premtes në Kuvendin e Kosovës. Kritika të ashpra u bënë nga ana e opozitës.

Naser Rugova, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), tha se hyrja e kësaj çështjeje si pikë e ditës në seancë është fyese, kur dihet që për siguri janë përgjegjës Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it.

“Nëse një grup i tillë njerëzish hyn në territorin e vendit në pikë dite, atëherë çfarë mund të bëhet natën me kontrabanda e krime të ndryshme”, tha i habitur Rugova gjatë seancës së sotme.

Për hyrjen e këtij grupi të personave me dhunë, brenda territorit të Kosovës, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Sipas tij, hyrja e këtij grupi ka qenë e palejueshme.

“Ata nuk kanë dashtë me u ndalë që të legjitimohen, edhe pse një gjë e tillë u është kërkuar. Ne kemi reaguar menjëherë dhe i kemi informuar strukturat tona të Policisë edhe të EULEX-it”, ka thënë ministri Rexhepi.

Ai thotë që ky ka qenë vetëm një mesazh që edhe pse është festë, ai ka paralajmëruar se nuk do të ketë tolerime.

“Kemi dashur të ju japim mesazh që për festën e Vidovdanit, më 28 qershor, nuk do të tolerohet askush pa u legjitimuar. Ata që vijnë për celebrim, ose për çështje të tjera, nuk do të ndalohen, por jo me ikonografi provokuese, jo me forma të ndryshme të provokimit”, ka thënë Rexhepi.

Edhe KMDLNJ-ja, Qendra Rajonale në Mitrovicë, ka reaguar rreth provokimit të këtij grupi të serbëve, ndaj qytetarëve shqiptarë, në anën tjetër të lumit.

Halit Barani, kryetar i KMDLNJ-së në Mitrovicë, tha se serbët me uniforma të zeza, të cilët në shpinë kishin të shkruar “Car Lazar” dhe në kokë mbanin kapela çetnike me të ashtuquajtura 'kokarda', pas rreth gjysmë ore qëndrimi në urë, kanë filluar të zbresin buzë lumit Ibër dhe të hedhin gurë në drejtim të anës tjetër të lumit.

“Përveç hedhjes së gurëve dhe këngëve nacionaliste, ata gjatë gjithë kohës ngrinin tre gishtërinj dhe gishtin e mesëm të dorës, duke provokuar në këtë mënyrë popullatën shqiptare në anën tjetër”, u shpreh ai.

Megjithatë, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, sqaron se në territorin e Kosovës kanë hyrë një grup i personave prej tridhjetë vetash, të cilët, sipas Hotit, vijnë çdo vit të marrin pjesë në manifestimin tradicionale të Vidovdanit.

“Të gjithë ata persona që vijnë në Kosovë, si pjesëmarrës të manifestimit të Vidovdanit, paraprakisht e dorëzojnë listën me emrat e personave që do të vijnë në Kosovë. Kjo listë, edhe këtë herë i është dorëzuar policisë me emrat e personave që do të hyjnë në Kosovës, si pjesë e procedurës për të gjithë ata që kalojnë pikën kufitare”, tha zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

Megjithatë, Hoti e konteston faktin që ka pasur ndonjë përleshje midis forcave të rendit, apo se ky grup i personave kanë hyrë me dhunë në Kosovë. Sipas tij, personat në fjalë nuk kanë qenë të armatosur dhe mu për këtë, policia nuk ka marrë ndonjë veprim me qëllim që të mos shkaktojë ndonjë incident edhe më të madh.

“Absolutisht nuk ka të bëjë me armatim, mirëpo udhëheqësi i këtij grupi e ka shtyrë policin, duke e larguar nga rruga dhe në atë moment, kanë hyrë një grup personash prej tridhjetë vetash”, pohoi për Express, Hoti.

Zëdhënësi i Policisë, Besim Hoti nuk e mohoi faktin që policia ka kërkuar asistencën e nevojshme dhe për këtë u kanë dalë në ndihmë, njësia policore nga Leposaviqi dhe EULEX–i.

“Grupi është kontrolluar, duke i identifikuar secilin veç e veç dhe për 24 prej tyre, Policia e Kosovës ka inicuar paraqitje penale, për mosrespektim të urdhrave të zyrtarëve policorë dhe për pengim në punën zyrtare të policëve”, pohoi zëdhënësi Hoti.

Policia e Kosovës, sipas Hotit, për manifestimin e 28 qershorit ka përgatiture planin operativ, për mbikëqyren e të gjitha veprimeve, prej fillimit deri në mbarimin e këtij manifestimi, për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›