E Diel, 1 Nëntor 2026

Albpetrol, punonjësit: Pushimet nga puna, për arsye politike

Punonjësit e larguar nga puna janë të gjithë me bindje të majta. Ata shprehen se vendimi është marrë nga drejtori Berani, dhe jo nga komisioni përkatës


KUÇOVË - Punonjësit e pushuar nga puna dje kanë protestuar mëngjesin e djeshëm para ndërmarrjes së Albpetrolit në Kuçovë. Pasi janë njoftuar mëngjesin e së enjtes se ata nuk do të ishin më pjesë e kësaj ndërmarrjeje, ata kanë reaguar, duke kërkuar të drejtat e tyre si dhe njoftimin lidhur me arsyet se pse janë pushuar.


Njëri prej punonjësve, Sotiraq Kristo, shprehet se ka qenë punonjës i kësaj ndërmarrjeje që prej vitit 1981 dhe si ai ka edhe shumë të tjerë, specialistë me shkollë, të cilët e kanë mbajtur në këmbë këtë ndërmarrje për vite të tëra. Kristo shprehet se punëtorët janë të gjithë dakord për reformën në bazë të të cilës pretendohet të jenë bërë pushimet nga puna, por ama kërkojnë të dinë kriteret e zbatuara për pushimin e punëtorëve.


"Këto shkurtime janë bërë pa paralajmëruar, janë partiake, - thotë Kristo, - por mund të jenë edhe personale. Drejtori Rustem Berani ka bërë çfarë i ka dashur qejfi pasi lista e punonjësve të pushuar nga puna ishte e firmosur vetëm prej tij dhe jo nga komisioni përkatës i cili vendos shkurtimet nga puna.


Të gjithë punonjësit e larguar nga puna, - shprehet Kristo, - janë me bindje të majta dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore e nxjerrjes së tyre në asistencë".


Ndërkohë, inxhinieri Tomor Laze, i pushuar nga puna 7 muaj më parë, shprehet se ky veprim nuk mund të quhet ristrukturim i ndërmarrjes, por shkatërrim i saj pasi punëtorët e pushuar nga puna janë specialistë me arsimin përkatës, ndërsa punëtorët aktualë të ndërmarrjes janë tejet të rrezikuar pasi nuk janë të aftë për atë punë, nuk kanë arsimin e duhur për të punuar në atë ndërmarrje.


Laze shprehet se gjatë kohës që ka qenë në punë, në ndërmarrje ka punësuar njerëz pa kriter, për pasojë kanë ndodhur aksidente të ndryshme duke rrezikuar jetën e tyre. Ndër të tjera, punonjësit e pushuar nga puna kanë bërë dhe një peticion të cilin do t'ia dërgojnë kryeministrit Berisha dhe ministrit të METE-s, Dritan Prifti, për t'i mbështetur, në mënyrë që reforma të kryhet mbi bazën e kritereve përkatëse.


Reagon PS: Drejtori Berani, nën akuzë


Lidhur me pushimin nga puna të 75 punonjëve të Albpetrolit ka reaguar edhe deputetja e PS-së, Ermonela Felaj: "Reforma e qeverisë Berisha në sektorin e naftës ka nxjerrë nga puna 75 punonjës të Qendrës së Prodhimit të Naftës në qytetin e Kuçovës, duke i zëvendësuar specialistët e fushës me militantë të PD-së".


Ky ka qenë denoncimi që Felaj ka bërë në adresë të qeverisë pas pushimit të punonjësve. Felaj u shpreh se vendimi për shkurtimin nga puna të 75 punonjësve të naftës i referohet VKM nr.275 dt.26.04.2010


"Për ristrukturimin e Shoqërive Tregtare me kapital shtetëror", ku hyn dhe Albpetrol sh.a. Sipas deputetes Felaj, ky është një vendim i cili zbatohet pasi ka ndodhur pushimi nga puna i punonjësve dhe akti me të cilin janë pushuar punonjësit në këtë qendër nuk i referohet ndonjë vendimi i cili të parashikojë kriteret mbi të cilat duhet të ndodhë ristrukturimi i ndërmarrjeve.


"Janë pushuar nga puna 75 kryefamiljarë të cilët janë me arsim të mesëm profesional dhe në një mënyrë apo në një tjetër kanë ngritur industrinë e naftës në këtë vend. Ky pushim nga puna është bërë mbi bazë selektive dhe jo për efekt të ristrukturimit dhe selektiviteti në këtë rast ka qenë përkatësia partiake e majtë e këtyre punëtorëve",- tha Felaj.


"Kuçova në vitin 2005 numëronte 405 punëtorë ndërsa sot numëron 480 punëtorë, gjë që tregon se nuk ka pasur reformim apo ristrukturim në drejtim të shkurtimit të vendeve të punës, por vetëm janë hequr disa punëtorë për t'u zëvendësuar me militantë të partisë, të cilët nuk kanë asnjë lloj të dhëne profesionale për të kryer atë lloj pune.


Drejtori i qendrës së prodhimit të naftës në Kuçovë është një person i cili është marrë i pandehur nga Prokuroria për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës" dhe është duke u gjykuar.


Rustem Berani akuzohet se në bashkëpunim me shefa sektorësh në mënyrë fiktive ka mbajtur në punë njerëz që nuk jetojnë në Kuçovë apo në Shqipëri por ndodhen jashtë shtetit dhe ndërkohë paguhen, pra në listëprezencat e qendrës së prodhimit të naftës Kuçovë gjen emra fiktive, njerëz që askush nuk i njeh që të jenë punëtorë të kësaj qendre"- tha Felaj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›