E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujtohet në ditëlindjen e 68, homazhe Rugovës

PRISHTINE- Kujtohet ne ditelindjen e 68-te, ish presidenti i ndjere i Kosoves, Ibrahim Rugova.

Presidentja, Atifete Jahjaga bëri sot homazhe dhe vendosi lule pranë varrit të Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, dhe vizitoi familjen e presidentit Rugova me rastin e 68-vjetorit të lindjes së tij.

Presidentja Jahjaga tha se është obligim qytetar por edhe institucional, për të nderuar punën, veprën, sakrificën dhe gjithë angazhimin jetësor të presidentit Rugova për shtetin e Kosovës.

Ajo tha se nderimi i figurës së presidentit Rugova është nderim i punës e angazhimit të tij për të gjitha proceset në rrugëtimin tonë për liri, pavarësi dhe demokraci, për vendosjen e themelit të shtetit të Kosovës.

Ajo çmoi lart kontributin e presidentit Rugova në krijimin e urave të miqësisë e bashkëpunimit me miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, për miqësinë tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që në atë kohë dhe në ato rrethana ka qenë punë e vështirë.

Gjithashtu, presidentja Jahjaga tha se ne kemi vazhduar idealin e tij dhe sot kemi shtetin e pavarur, kemi shtet sovran dhe jemi në rrugën e qartë drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian dhe në NATO.

Me rastin e ditëlindjes së presidentit historik, Ibrahim Rugovës, edhe Kryesia e LDK-së të dielën bëri homazhe tek varri i tij si dhe vizitoi familjen e presidentit të ndjerë Rugova.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se presidenti Rugova kujtohet si një president i suksesshëm, i cili ka dhënë kontribut të madh për pavarësinë e Kosovës. Ai po ashtu pohoi se LDK do ta vazhdojë rrugën rugoviane, rrugë kjo e cila sipas tij, është e orientuar në ndërtimin e shtetit me një demokraci dhe liri të mirëfilltë. /Zëri/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›