E Diel, 1 Nëntor 2026

Avramopulos Deklaratat e Berishes e kthejne rajonin ne te kaluaren

Ministri i jashtëm grek, Dimitris Avramopulos ka komentuar sërish sot, deklarimet nga Vlora të kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, me ç’rast shefi i diplomacisë greke anulloi pjesëmarrjen e tij në kremtimet e 100 vjetorit të pavarësisë.

Në një intervistë për të përjavshmen “Parapolitika”, dhe i pyetur se si e vlerëson incidentin, Avramopulos është përgjigjur:
“Ato deklarat ishin të papranueshme. Vendosa të anulloj vizitën, pasi më parë kërkova që të sqaroheshin deklaratat (e Berishës), gjë që përfundimisht u bë, por me vonesë. Deklarata të tilla e kthejnë rajonin në të kaluarën e vet më të keqe. Duam marrëdhënie miqësore. Marrëdhënie fqinjësh të mirë. Dhe do të vazhdojmë të ndërmarrim iniciativa në këtë drejtim. Mirëpo për çështje të dinjitetit dhe integritetit kombëtar, nuk tolerojmë. Këtë mesazh Tirana e mori në mënyrë të qartë. Dhe ka rëndësi të veçantë, që edhe Komisioni Europian i drejtoi një paralajmërim të rreptë Shqipërisë”, ka përfunduar ministri i jashtëm grek, Dimitris Avramopulos për të përjavshmen “Parapolitika”.
Mbrëmjen e të premtes, Avramopulos, që është dhe nënkryetar i partisë Demokracia e Re, kishte theksuar në mënyrë lakonike se “Politikanët nuk mendojnë e flasin duke parë 100 vjet mbrapa, por duke parë 100 vjet përpara”.

Kjo deklaratë u publikua në web site-n e ministrisë së jashtme greke, si reagim ndaj sqarimeve që kishte bërë zëdhënësja e kryeministrit Berisha.

Analistët grekë me të cilët ka komunikuar ABC NEWS, kanë mbështetur vendimin e Avramopulos për të anulluar vizitën, por nuk pajtohen me rritjen e dimensioneve incidentit, duke theksuar se vazhdimi i kësaj teme nuk u ndihmon as “iniciativave të Athinës për marrëdhënie miqësore me fqinjët”.

Nëpërmjet zëdhënëses Erla Mëhilli kryeministri Berisha ka reaguar duke u shprehur se deklarata i referohej kontekstit historik dhe nuk paraqet asnjë pretendim territorial ndaj fqinjëve tanë të Jugut, Veriut apo Lindjes.
Ky qëndrim do të rikonfirmohej një ditë më vonë edhe nga vetë kryeministri Berisha, deklaratat e të cilit u mbështetën ndërkohë nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani si dhe nga opozita shqiptare, që nëpërmjet deputetit socialist, Pandeli Majko konfirmoi se për Prevezën, klasa politike shqiptare nuk ka dallime.

Deklarata e Kryeministrit Berisha ka gjetur mbështetjen edhe të kreut të Dhomës së deputetëve në Itali Xhanfranko Fini, i cili është shprehur se Berisha theksoi identitetin kombëtar dhe pa rrëshqitur në nacionalizma.
“Pikërisht kjo gjë vlerësohet nga partnerët ndërkombëtarë, kur Shqipëria merr nota pozitive për rolin e saj stabilizues dhe të moderuar në rajonin e Ballkanit”- ka deklaruar Fini.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›