E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekui Shqiperia me afer BE se nje vit me pare

Ambasadori i BE-së Etore Sekui ka deklaruar se e sheh Shqipërinë më afër BE se një vit më parë. Në një intervistë për radion italiane “Radio Radicale”, ndërsa paralajmëron krizë në politikën shqiptare, nëse ndalet procesi i integrimit. Sipas Sequit integrimi për shqiptarët mbetet objektiv kombëtar, por në një varkë nëse jo të gjithë i shtyjnë rremat në të njëjtin drejtim, varka nuk shkon përpara.

“Ka një ndërgjegjësim që nëse procesi i integrimit do të ndalonte, kriza të mundshme nuk mund të përjashtohen. Por, duhet të them gjithashtu që procesi i integrimit që shihet nga njerëzit dhe pasqyruar kjo tek politikanët edhe pse me vështirësi në momente të veçanta, sidoqoftë po përparon. Dhe kjo shihet në një seri reformash që janë realizuar. Pra, përgjigja ime është se sigurisht Shqipëria është më afër Evropës. Duhet të thuhet gjithashtu që Shqipëria është larg akoma...Mund ta përkthejmë duke thënë këtë që unë nuk e di sa vite do ti duhen Shqipërisë që të bëhet vend anëtar i Bashkimit Evropian. Sigurisht unë e di që padyshim do të jetë Anëtare e BE-së. Më pëlqen të përsëris që ne jemi këtu për të ndihmuar, për ti dhënë një dorë përgjegjësisë të klasës politike shqiptare, por edhe shoqërisë shqiptare, shoqërisë civile, mediave, opinionit publik që ky vend është aktori parësor i fatit të tij. Kur themi që integrimi është objektiv kombëtar edhe duhet të dimë se, në një varkë nëse jo të gjithë shtyjnë rremat në të njëjtin drejtim, varka nuk shkon përpara”, thotë ambasadori.

Ambasadori Sequi deklaron se dialogu mbi të gjitha perceptohet nga politika shqiptare si i rëndësishëm për rrugën drejt BE.

“Dialogu simbolizon të dish të flasësh, të interpretosh të tashmen dhe perspektivën, por në të njëjtën kohë simbolizon të dish edhe të dëgjosh. Është kjo që unë kërkoj ti them politikanëve shqiptarë kur më thonë se janë dakord me dialogun, por më duhet ti kujtoj se dialog nuk simbolizon monologë të ndryshëm të palëve. Në fakt, më duhet të them që dialogu me politikanët shqiptarë është shumë interesant. Ashtu si me pjesën tjetër të qytetarëve të cilët janë pasionantë shumë të mirë. Por unë kam vënë re që në dialogun me politikanët shqiptarë ka një element që po bëhet gjithmonë e më shumë element bashkues: perceptimi që ëndrra shqiptare për Evropën është e rëndësishme. Dhe politikanët po bëhen më të ndërgjegjshëm për këtë që bashkon shumicën, ose më thjeshtë që dialogu është i rëndësishëm për rrugën evropiane të Shqipërisë”, deklaron Sequi.
Ndër të tjera Sequi ka thënë se “Nga Shqipëria do më mbesë në mëndje sigurisht pasioni, miqësia e kësaj popullsie. Por, ajo që më bën shumë përshtypje këtu, janë të rinjtë të cilët janë të jashtëzakonshëm. Janë të rinj kurioz dhe me një vitalitet të madh. Janë në gjendje të vënë bast mbi jetën e tyre, mbi rëndësinë e ekzistencës së tyre. Kanë një kuroja të jashtëzakonshme për përmirësimin e jetës së tyre dhe kanë një vullnet studimi të jashtëzakonshëm. Njohin disa gjuhë evropiane të cilat shpesh i kanë mësuar në mënyrë autodidakte dhe duhet të them se shpesh herë, shoh një vitalitet për fat të keq të panjohur tek të rinjtë italianë”, vijon ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›