E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukan: Tranzicioni i qetë i pushtetit politik forcon proceset demokratike

Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan është shprehur se situata paszgjedhore në Shqipëri rezulton më e mirë se në të kaluarën. 

Me anë të një deklarate për shtyp ai theksoi se “do të doja të përgëzoja qytetarët e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare të së dielës. E vizitova Shqipërinë sëbashku me deputetët e tjerë për të vlerësuar situatën politike gjatë procesit zgjedhor. Ne u takuam me liderët e partive kryesore politike dhe patëm diskutime pozitive mbi rëndësinë që kanë zgjedhjet për demokratizimin dhe perspektivën europiane të Shqipërisë. Mirëpres faktin që rezultati u njoh nga të dyja palët dhe liderët politikë komunikuan me mirësjellje me njëri-tjetrin”, - shprehet Kukan në deklaratën e tij.

Mandej kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore theksoj se “besoj fuqimisht që tranzicioni i qetë i pushtetit politik do të forcojë proceset demokratike në vend, diçka thelbësore për procesin e integrimit të vendit. Do të doja të shfrytëzoja këtë mundësi për të përgëzuar zotin Edi Rama për fitoren e tij. Do të doja të falenderoja kryeministrin, Sali Berisha për përpjekjet dhe sukseset e tij në zhvillimin e Shqipërisë dhe për mënyrën demokratike dhe europiane me të cilën njohu rezultatin e zgjedhjeve”, - ka përfunduar Kukan, deklaratën e tij.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›