Haxhinasto: Të respektohen institucionet e pavarura

Zv.kryeministri dhe njëherësh ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto ka deklaruar se të gjitha palët duhet të respektojnë institucionet e pavarura dhe vendimit të gjykatave për të ecur përpara drejt procesit të integrimit. I pyetur nga gazetarët për kritikat e Bashkimit Europian kundrejt Shqipërisë, Haxhinasto theksoi se palët duhet të respektojnë logjikën e institucioneve të pavarura dhe angazhohen për të plotësuar 12 rekomandimet e KE-së.
“Këto janë thirrje që I bëhen politikës dhe jo Tiranës zyrtare. Ajo që është e rëndësishme është që palët të respektojnë logjikën e institucioneve të pavarura, të plotësojnë detyrimet për 12 prioritet dhe të ecim përpara drejt BE-së dhe të angazhohen edhe për përmirësimin e kodit në të ardhmen” theksoi Haxhinasto.
Ndërkohë i pyetur edhe letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës Thorbjorn Jagland drejtuar kryeministrit Berisha, Haxhinasto theksoi se ai i referohet të ardhmes dhe refomës zgjedhore.
“Jagland i referohet të ardhmes dhe kur Shqipëria do të realizojë reformën zgjedhore për të përcaktuar më mirë ligjet duke ofruar eksperiencën e Komisionit të Venecias për ndryshimin e legjislacionit ekzistues. Kjo ofertë i është bërë edhe opozitës që të paraqesë amendimet e kodit dhe ato do të miratohehsin si amendime por ato nuk janë miratuar dhe kjo nuk është për faj të mazhorancës. Komisioni i Venecias do të jetë një pikë referencë për hartimin e legjislacionit në Shqipëri” theksoi Haxhinasto. Ndërkohë Haxhinasto e cilësoi si gabim njerëzor vendosjen e flamurit shqiptar me yllin me pesë cepa në Parlamentin Europian ndërsa shtoi se është në pritje të një shpjegimi dhe një falje nga protokolli i PE-së që ka organizuar mbledhjen.