Kukan e Svoboda: Presidenti të zgjidhet sipas Kushtetutës
Debati politik për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në të cilin është përfshirë klasa politike shqiptare, duket se është “transferuar” edhe në Parlamentin Evropian. Eurodeputetët Kukan dhe Svoboda, gjatë një prononcimi për “AS”, janë shprehur se do të ishte mjaft e mirë që presidenti të zgjidhej me konsensus, por ata nënvizojnë faktin se nëse nuk arrihet një gjë e tillë, zgjedhja e kreut të shtetit është e përcaktuar mjaft qartë në Kushtetutën e vendit. Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Eduard Kukan, është shprehur se "do të ishte një gjë shumë e mirë ose ideale që presidenti të zgjidhej me konsensus, sepse ai është president i gjithë vendit, i mbështetësve të qeverisë dhe i mbështetësve të opozitës. Pra, është e preferueshme që të zgjidhet president, një person që do t’i përmbushte këto kushte. Por, në qoftë se nuk është e mundur të arrihet konsensusi, atëherë njerëzit votojnë dhe ai që merr më shumë vota, ai është fituesi. Votimi nuk është konsensus, zgjedhja nuk është konsensus. Pra, le të jemi realistë dhe të presim që partitë politike shqiptare të bien dakord për një kandidat, i cili të mund të zgjidhet me shumicën e votave", tha Eduard Kukan. Ndërsa kryetari i social demokratëve, Hannes Svoboda, është shprehur: "mendoj se Kushtetuta është njëra anë dhe sigurisht që ajo duhet të respektohet. Por nga ana tjetër, ajo që i duhet Shqipërisë sot, është jo vetëm të respektojë Kushtetutën, por edhe të arrijë një konsensus për zgjedhjen e presidentit. Pra, presidenti duhet të bashkojë forcat e ndryshme, sepse ai duhet të ketë si mbështetjen e qeverisë, ashtu edhe atë të opozitës. Unë besoj se ishte fillim i mbarë, vitin e kaluar, arritja një marrëveshjeje bazë midis qeverisë dhe opozitës. Dhe ky konsensus duhet të vazhdojë edhe për zgjedhjen e presidentit të ri, në mënyrë që Parlamenti të zgjedhë presidentin e duhur. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për gjithë Shqipërinë". Faktori ndërkombëtar vazhdimisht i ka bërë thirrje klasës politike shqiptare që të gjejë gjuhën e konsensusit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, por pas ndryshimeve të bëra me vullnetin e mazhorancës dhe të opozitës, në Kuvend, ata kanë theksuar dhe ritheksuar se zgjedhja e presidentit është e mirëpërcaktuar në Kushtetutë dhe ajo duhet respektuar. Vendi ndodhet pak muaj para zgjedhjes së presidentit të ri dhe megjithë debatin politik, duket se si opozita, ashtu edhe mazhoranca, nuk kanë ndërmend që për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit të shkelin Kushtetutën, përkundrazi si Rama, ashtu edhe Berisha, janë shprehur se është ende shpejt për diskutimin e emrit dhe se mënyra e zgjedhjes është e caktuar në Kushtetutë.