Kukeli, i panevojshëm për Luzernin

Edhe pse është njëri ndër lojtarët më të mirë të ekipit dhe titullar i padiskutuar, Burim Kukeli nuk bën pjesë në planet e klubit zviceran, Luzern për sezonin e ardhshëm.
Mesfushori kosovar, i cili prej vitit 2008 luan për Luzernin, në ketë skuadër do të jetë vetëm deri në fund të këtij sezoni.
Drejtuesit e klubit i kanë kumtuar lajmin 28-vjeçarit se nuk llogarisin më në shërbimet e tij dhe se nuk do t`i vazhdohet kontrata e cila i skadon në fund të këtij sezoni.
Edhe pse është lojtar i rëndësishëm për skuadrën, presidenti i Luzernit, Walter Stierli thotë se mosha ka qenë faktori kryesor që nuk i është vazhduar kontrata Kukelit.
"Ne nuk deshëm që një 28-vjeçari t`ia vazhdojmë kontratën trivjeçare. Në atë mënyrë, do t`u rrezikohej perspektiva lojtarëve tanë të rinj", ka thënë Stierli për "Zuger Zeitung".
Por Stierli nuk merr përgjegjësinë për këtë pasi trajneri Murat Yakin ka vendosur për këtë.
"Trajneri u përcaktua kundër Burim Kukelit dhe pro lojtarit 24-vjeçar, Philip Muntwiler, të ardhur nga St. Galleni", thotë ai.
Nga ana tjetër, trajneri i Luzernit, Murat Yakin ka lavdëruar kosovarin. Por ai ka theksuar se e ka prekur deklarata që Kukeli e ka bërë që në fillim të sezonit se është duke kërkuar një skuadër të re.
"Një qëndrim të tillë sikur ai i Burimit unë nuk kam parë deri më tash tek asnjë futbollist profesionist", ka theksuar Yakin.
Qysh tash spekulohet se Burim Kukeli, gjatë verës mund të kalojë te klubi Young Boys. Mesfushori me prejardhje nga Gjakova para transferimit te Luzerni ishte aktivizuar në ligën inferiore zvicerane te skuadra Schotz.