Shaqiri në Galatasaray?

Telenovelës Xherdan Shaqiri si duket po i afrohet fundit. Galatasaray nuk po heq dorë nga talenti kosovar me pasaportë zvicerane, edhe pse oferta e tyre u refuzua dy herë nga drejtuesit e Baselit.
Për ta kryer me sukses këtë transferim është angazhuar edhe presidenti i gjigantit turk, Unal Aysal. Sipas këtij të fundit, reprezentuesin e Zvicrës e ndajnë vetëm disa detaje të vogla nga transferimi në stadiumin turk, Telecom Arena.
“Jam duke u angazhuar personalisht për këtë transferim. Mund të them se i jam afruar fundit. Në lidhje me Shaqirin kemi arritur marrëveshje për disa çështje. Tani jam duke u përpjekur që ta zgjidh punën e dëmshpërblimit me klubin e Baselit. Inshalla do të përfundojë ky transferim”, ka thënë Aysal për të përditshmen turke, Sabah.
Galatasaray fillimisht kishte ofruar rreth 9 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e mesfushorit kosovar, por ky propozim ishte refuzuar nga kampioni zviceran, Basel
Ndërsa sipas mediave turke, tash Galatasaray i ka ofruar Baselit rreth 10 milionë euro, plus 2 të tjera nga bonuset, varësisht nëse ky ekip kualifikohet në Ligën e Kampionëve këtë vit.
Në anën tjetër, raportohet se futbollistit do t’i ofrohet një kontratë e majme prej 2,5 milionë eurosh në vit. Në kontratën aktuale me Baselin, ai paguhet vetëm 650 mijë euro në vit.
Edhe trajneri i Galatasarayt, Fatih Terim po insiston që me çdo kusht ta transferojë gjatë afatit kalimtar të janarit në skuadër ‘Gjugjin Magjik’, siç e quajnë në Zvicër.
Ndërsa ditë më parë edhe vetë Shaqiri, i cili ka kontratë me Baselin deri në vitin 2014, kishte thënë se e admiron gjigantin turk.
Përveç nga turqit, gjilanasi pëlqehet edhe nga Bayern Munichu e Hamburgu në Gjermani, nga Manchester United e Liverpool në Angli, nga Juventusi, Milani, Napoli e Roma në Itali, si dhe nga Dinamo Kievi në Ukrainë.