Kukes, 7 orë të bllokuar në borë, shpëton familja, mes tyre 2 fëmijë
MIRDITE- Për më shumë se 7 orë një familje e përbërë nga 5 anëtarë mes tyre dy fëmijë kanë mbetur të bllokuar nag bora në vendin e quajtur Qafa e Kumbullës. Trashësia e dëborës, e cila gjatë natës arriti në 80 cm, nuk ka lejuar që makina e tyre tip fuoristradë të vazhdonte rrugën.Cifti ishte nisur nga Tirana në drejtim të Kukësit. Meqë tuneli Kalimash Thirrë është i bllokuar, kanë vendosur të marrin rrugën nga Qafa e Kumbullës, e cila zakonisht përdoret për automjete të cilat transportojnë mjete drusore. Rreth orës 24.00 të së shtunës, cifti i bashkëshortëve, bashkë me dy fëmijët dhe një i afërm i tyre pasi kanë parë se nuk mund të vazhdonin më tej rrugën kanë kërkuar ndihmë në komisariatin e Mirditës.Nga sa kanë informuar në polici, ata ndodheshin të bllokuar në Qafën e Kumbullës prej 3 orësh. Me të marrë njoftimin nje grup prej 5 policesh eshte nisur në drejtim të vendit ku ishte bllokuar makina dhe në ndihmë të tyre janë vënë në dispozicion dhe 3 fshatarë të cilët e njihnin mirë zonën. Vetëm rreth orës 04.00 të mëngjesit të sotëm është bërë e mundur që t'i vinin në ndihmë familjes ne nevoje. Dy fëmijët, 5 dhe 7 vjecar, dy burra dhe një grua, të cilët ndodheshin në makinë janë mundur të shpëtojnë duke i marrë në këmbë. Mësohet se gjendja e tyre shëndetësore nuk është shumë e mirë, për shkak se temperaturat kanë qenë shumë të ulëta, era e fortë dhe reshjet e borës kanë vazhduar pa pushim. Aktualisht familja e shpëtuar është vendosur në banesën e familjes Marku në fshatin Thirrë. Kryefamiljari ka marrë pjesë në operacionin e shpëtimit të familjes që ishte bllokuar nga bora. (s.g/BalkanWeb)