Kukës, arrestohet vrasësi i dy policëve

Ka përfunduar me sukses operacioni për kapjen e autorit të vrasjes së dy policëve mbrëmjen e kaluar në fshatin Shënmëri të qarkut të Kukësit. Sipas burimeve të policisë vrasësi Afrim Hasani 34 vjeç është arrestuar ditën e sotme nga forcat RENEA ku i është sekuestruar edhe një armë e tipit kallashnivok që iu kap autorit në momentin e arrestimit. Gjithashtu mësohet se autori i vrasjes nuk ka shfaqur rezistencë në momentin e arrestimit. Afrim Hasani 34 vjeç vrau mbrëmjen e kaluar dy policët Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila të cilët hynë në një lokal, jo më shumë se 30 metra larg postës së policisë. Pas disa minutash në lokal ka hyrë i armatosur shtetasi Afrim Hasani, 34 vjeç, dhe ky banor i këtij fshati, i cili pa asnjë paralajmërim ka qëlluar ndaj dy policëve, nën vështrimin e dëshmitarëve që ndodheshin në lokal duke i lënë të vrarë në vend. Mësohet se Afrim Hasani do të shoqërohet nga forcat RENEA drejt Tiranës ku do të përballet me akuzat që rëndojnë ndaj tij.