Kukës, makina bie në greminë, 1 i vdekur dhe 2 të plagosur
Një aksident me pasojë vdekjen e një 35-vjeçari dhe plagosjen e dy personave të tjerë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në askin rrugor Kukës-Shemri. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë fshatit Kalimash ku një makinë tip golf me targa gjermane LA 245 C në të cilën udhëtonin 3 persona ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në greminë. Për pasojë ka gjetur vdekjen 35-vjeçari Kujtim Neci dhe janë plagosur shtetasit Indrit Hoxha 22 vjeç i cili ishte drejtuesi i mjetit dhe Besnik Hila 43 vjeç.
Menjëherë të plagosurit janë dërguar në spitalin e Kukësit dhe sipas mjekëve gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.
Dyshohet se shkak i aksidentit është shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonte automjeti dhe humbja e kontrollit nga ana e drejtuesit të mjetit.
Ndërkohë policia e cila ka shkuar në vendngjarje ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.