Kukës, shembet tavani, një i vdekur dhe një i plagosur
HAS - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Golaj të rrethit të Hasit, kur dy persona që po shembnin banesat e vjetra për të përfituar hekur e materiale të tjera ndërtimi, i ka zënë poshtë tavani duke shkaktuar një të vdekur dhe një të plagosur. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 14:00, kur në afërsi të pusit të ish-minierës së Golajt, ku ndodheshin disa ndërtesa të vjetra, dy banorë të fshatit, të afërm me njëri-tjetrin, po punonin për të nxjerrë material prej tyre. Si pasojë, shtetasi Sali Dauti, 58 vjeç, ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa i afërmi i tij, Ymerli Dauti, 33 vjeç, ka mbetur i plagosur. Të afërmit që ndodheshin aty pranë e kanë transportuar menjëherë drejt spitalit civil të qytetit të Kukësit, ku bëhet e ditur se Ymerli Dauti është jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë që po hetojnë në lidhje me ngjarjen. Paraprakisht mendohet se ngjarja aksidentale është pasojë e punës jashtë të gjitha kushteve teknike që banorët e këtij fshati ushtrojnë në ish-sektorin e minierës që ndodhet në afërsi të fshatit.
Provat e Prokurorisë, shtyhet përsëri procesi “Gërdeci”
TIRANË - Gjykata e Tiranës shtyu për të premten shqyrtimin e çështjes "Gërdeci", me 29 të pandehur, pjesa më e madhe, ish-funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Seanca e parashikuar për t'u zhvilluar dje, ku pritej të shqyrtoheshin provat e organit të prokurorisë kundër të pandehurve, u shty për shkak të mungesës së tre prej avokatëve mbrojtës në proces. Të pandehurit e çështjes "Gërdeci" akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur më 15 mars 2008 në fshatin Gërdec të Tiranës, kur si pasojë e një shpërthimi në ish-fabrikën e demontimit të municioneve luftarake humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë u plagosën. Nga kjo ngjarje pati dëme të shumta materiale në zonën përreth. Procesi për çështjen "Gërdeci" është duke hasur vështirësi në zhvillimin normal të tij. Pezullimet e herëpashershme të seancave, kryesisht për mungesë të palës mbrojtëse, janë duke ndikuar në zvarritjen e tij.
Durrës, vritet në derë të shtëpisë shtetasi Nazmi Dulla
Vritet me armë zjarri në kokë në oborrin e banesës shtetasi 66-vjeçar Nazmi Dulla. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në mesditë në Sukth të Durrësit. Dulla, rreth orës 15:30, është transportuar drejt Spitalit të Durrësit i plagosur me armë zjarri. Por, rreth orës 19:50 ky shtetas ka ndërruar jetë. Nga ana e policisë janë kryer veprimet e para hetimore nga të cilat rezultoi se vrasja e Dullës është bërë me armë zjarri, pistoletë tip “Beretta”. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit në fjalë. Vazhdon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Durrës për hetime të mëtejshme.
Korçë, rrëshqet në akull, vdes Ylber Kovaçi
Në Korçë, një 53-vjeçar ka gjetur vdekjen dje si pasojë e motit të keq. Viktima është shtetasi Ylber Kovaçi, 53 vjeç, që gjeti vdekjen si pasojë e rrëshqitjes në akullin që këto ditë ka zënë shtresa në qytetin juglindor. Incidenti ndodhi në Lagjen Nr. 8 të këtij qyteti. Rrëshqitja ka rezultuar fatale për Kovaçin, që u dërgua menjëherë në spital, por fatkeqësisht mjekët konstatuan se ai kishte vdekur.
21 Dhjetor 2010