E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja refuzon kërkesën e PS-së për komisionin hetimor



Eljona Ballhysa
“Projektvendimi i PS-së është antikushtetues, pasi nuk paraqiten prova, por vetëm dyshime”. Ky ka qenë argumenti që ka përdorur maxhoranca demokratike dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve për të mos pranuar kërkesën e Partisë Socialiste për të ngritur një komision parlamentar hetimor për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërkohë që përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafa, gjatë fjalës së mbajtur, e ka cilësuar kërkesën e PS-së në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe në përputhje me Rezolutën e Parlamentit Europian. Ndërsa relatori demokrat Viktor Gumi, argumentoi se projektvendimi i PS-së synon hetimin e dyshimeve për manipulimin e zgjedhjeve dhe jo hetimin e provave që disponon PS-ja për hetimin e zgjedhjeve. Sipas tij, kjo bie në kundërshtim me Kushtetutën. Qëndrimi kundërshtues i demokratëve i nxiti përfaqësuesit e opozitës të braktisin mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Xhafa tha se PD-ja nuk synon që të bëjë transparencën e zgjedhjeve. Sipas tij, ky qëndrim i maxhorancës tregon se po bëhet përpjekje për të manipuluar procesin e ardhshëm zgjedhor.
Debati
“Projektvendimi i opozitës është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ky projektvendim është në bazë të qëndrimit politik të palëve. Rrëzimi i tij do të rrezikonte zgjedhjet e ardhshme. Nëse nuk miratohet, dështon transparenca e zgjedhjeve dhe rrezikon manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme”, - tha Xhafa. Ndërsa demokratët kundërshtuan nenet 2, 3 dhe 4 të kërkesës së socialistëve, duke i cilësuar ato në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. “Projektvendimi mund të miratohet në parim nga ana e Komisionit të Ligjeve. Por kjo nuk do të thotë se teksti i projektvendimit në komision është i gatshëm për votim. Pikat 2, 3 dhe 4 të projektvendimit duhet të riformulohen në mënyrë të pranueshme nga këndvështrimi kushtetues”, - është shprehur Gumi, ndërsa shtoi se projektvendimi i PS-së nuk jep fakte, por vetëm dyshime. Sipas tij, në këtë projektvendim shkelen nene të Kushtetutës dhe se kërkesa e PS-së ka dy kuptimësi. Për opozitën ky ishte konfirmimi i asaj që ishte paralajmëruar, refuzimi i komisionit. “Ky është një mekanizëm për të realizuar qëllimin politik të kësaj maxhorance. Ju nuk dëshironi të ngrihet ky komision hetimor i Kuvendit. Ju duhet të na thoni në qoftë se ju jeni dakord dhe keni të njëjtin mendim me relatorin tuaj. Ne nuk bëhemi pjesë e këtij procesi. Ne po vijmë një ditë tjetër, kur ju duhet t’ju thotë padishahu ‘bëjeni kështu siç ju them un뒔, - tha Xhafa. Më pas deputetët e opozitës braktisën mbledhjen e Komisionit. Pas largimit të opozitës, maxhoranca miratoi e vetme relacionin e Gumit, i cili kërkonte ndryshimin e 3 neneve të kërkesës. Sipas kryetarit Rusmali, Partisë Socialiste i lihej e hapur mundësia për të bërë rregullimet e nevojshme për të proceduar. “Oferta politike e maxhorancës ka qenë dhe është në fuqi. Është e gatshme për t’u zëvendësuar. Pastaj do të jetë komponenti tjetër i parlamentarizmit, ai politik, siç tha Gumi, që do ta çojë përpara këtë çështje”,- tha Rusmali.
Ditën e enjte, në seancë parlamentare, pritet që Kuvendi të shqyrtojë kërkesën e opozitës bashkë me relacionin e deputetëve të shumicës. Ka pak besim se palët do të arrijnë që të gjejnë një zgjidhje sipas Rezolutës së Parlamentit Europian.

Box
Nenet e kontestuara
Neni 2
Objekti i veprimtarisë së Komisionit Hetimor të Kuvendit (KHK) është:
a. hetimi i dyshimeve publike të bazuara, të ngritura nga partitë politike si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë (raporti i OSBE/ODHIR-it), për zbatimin e legjislacionit në lidhje me procesin zgjedhor;
b. hetimi i dyshimeve të ngritura nga partitë politike si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për proces të parregullt votimi në qendrat e votimit, kryesisht lidhur me zbatimin e ligjit nga komisionet e qendrave të votimit në mënyrën e votimit, identifikimin e shtetasve në momentin e votimit; pasqyrimi i të dhënave përkatëse të dokumentit të identifikimit në rubrikën përkatëse të listave të votimit; mundësinë e votimit më shumë se një herë nga shtetas të ndryshëm e votimit familjar; pasqyrimin e të dhënave përkatëse në procesverbalin e mbylljes së votimit dhe në librin e protokollit të mbledhjeve të KQV-ve etj;
c. hetimin e dyshimeve lidhur me përpilimin e listave të zgjedhësve sipas qendrave të votimit dhe kryesisht për verifikimin e zbatimit të ligjit lidhur me hartimin dhe publikimin e listës së zgjedhësve, ekzistencën e dublimeve në to ose lënies jashtë tyre të një numri zgjedhësish, dërgimin e listave në qendrat e votimit nga Drejtoria e Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe përputhshmërinë e tyre me sistemin elektronik të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile etj.;
d. hetimin e dyshimeve në lidhje me shkeljet e kritereve ligjore në procedurat e ndjekura në gjenerimin e të dhënave për efekt të ndarjes së mandateve për çdo zonë zgjedhore dhe zbatimin e legjislacionit lidhur me mënyrën dhe kriteret e zbatuara në caktimin e qendrave të votimit në ambiente private;
e. hetimin e dyshimeve në lidhje me shkeljet e kritereve ligjore lidhur me procedurat e aplikimit, të prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike për periudhën prej fillimit të aplikimit deri më 28 qershor 2009;
f. hetimin e veprimtarisë të administratës së KQZ-së lidhur me prokurimin, funksionimin, përdorimin dhe efektivitetin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në vendet e numërimit të votave;
g. hetimi i dyshimeve dhe pretendimeve të ngritura nga partitë politike si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për përdorim të mjeteve publike si dhe të administratës publike të çdo niveli, në favor të subjekteve të caktuara zgjedhore, për presione të ushtruara për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën qendrore, lokale apo të çdo enti publik, për shkaqe që lidhen me fushatën zgjedhore si dhe për rastet e dhënies në kundërshtim me ligjin të lejeve të përkohshme për personat e dënuar apo duke vuajtur masën e sigurisë arrest me burg, nga administrata e burgjeve gjatë periudhës 29 maj - 28 qershor 2009.

Neni 3
Komisioni Hetimor i Kuvendit përbëhet nga 15 anëtarë dhe kryetari i përket Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Për efekt të vendimmarrjes dhe prezencës në komision, kryetari i tij gëzon të drejtën e 3 votave.
Neni 4
Hetimi i shkeljeve, objekt i veprimtarisë së këtij komisioni (për sa lejon Ligji Nr. 8891, datë 02.05.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit") do të bazohet në materialet, dokumentet ose provat që kërkohen të administrohen për qëllime hetimore, përjashto fletët e votimit që gjenden në kutitë e fletëve të votimit në kuptim të nenit 119, pika 3 të Kodit Zgjedhor.

Procesi i hetimit do të përfshijë administrimin e të gjithë dokumentacionit zgjedhor që përfshihet në kutitë e materialeve zgjedhore, të cilat ngarkohet KQZ-ja t'i ruajë dhe t'i vendosë në dispozicion të Komisionit Hetimor të Kuvendit në kohën, vendin dhe mënyrën e përcaktuar prej KHK.

Filip Gordon uron Berishën për liberalizimin e vizave

Zëvendëssekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Filip H. Gordon, uron kryeministrin Berisha për arritjen nga Shqipëria të liberalizimit të vizave me BE-në. Në një letër dërguar kryeministrit Berisha, zëvendëssekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Filip H. Gordon, shprehet se vendimi i 8 nëntorit, për të dhënë liberalizimin e vizave Shqipërisë, është njohje e shumë përpjekjeve të bëra nga qeveria shqiptare dhe pasqyron aspiratat e qytetarëve shqiptare, të cilët e kanë dëshiruar për një kohë të gjatë arritjen e këtij momenti historik. “Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju përshëndes ju dhe popullin shqiptar për arritjen nga Shqipëria të liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian. Vendimi i 8 nëntorit për t’i dhënë liberalizimin e vizave Shqipërisë, është njohje e shumë përpjekjeve të bëra nga qeveria juaj dhe reflekton ose pasqyron aspiratat e qytetarëve shqiptare, të cilët e kanë dëshiruar për një kohë të gjatë arritjen e këtij momenti historik. Ky hap i rëndësishëm përforcon progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ne mbështesim fuqimisht integrimin e plotë të Shqipërisë në komunitetin euroatlantik. Ndërveprimi në rritje midis qytetarëve të Shqipërisë dhe shteteve anëtare të BE-së është një pjesë jetike e këtij integrimi. Ne mbetemi të interesuar për vazhdimin e bashkëpunimit tonë të ngushtë në fusha me interes të përbashkët”, - shkruhet në letrën e sekretarit Gordon.

Berisha merr mbështetjen e Merkelit për integrimin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka uruar dje kryeministrin Berisha me rastin e heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë. Në një letër urimi, kancelarja gjermane Angela Merkel, e cilëson heqjen e vizave për Shqipërinë një moment historik për popullin shqiptar. Merkel shprehet se ky vendim, jo vetëm që do të lehtësojë marrëdhëniet ekonomike, por gjithashtu edhe kontaktet ndërpersonale midis qytetarëve të Europës.
“Heqja e kërkesës për viza për udhëtime në zonën ‘Shengen’ është me të vërtetë moment historik për popullin shqiptar. Ky vendim jo vetëm që do të lehtësojë marrëdhëniet ekonomike, por gjithashtu edhe kontaktet ndërpersonale midis qytetarëve të Europës. Shqipëria tashmë ka arritur këtë objektiv të rëndësishëm për qytetarët e saj. Unë jam e kënaqur për sigurimet tuaja se qeveria shqiptare po punon për parandalimin dhe mënjanimin e abuzimeve të mundshme me liberalizimin e vizave. Kjo është në interesin e të gjithëve ne”, - është shprehur Merkel në letrën e saj.

21 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›