E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muça rizgjidhet në krye të KMSH

 

Nga të dërguarit tanë në Kavajë, Ferdinand Dervishi,Fatos Mahmutaj

Në udhën drejt mandatit të dytë, as protesta e dhjetëra besimtarëve “të armatosur” me parulla akuzuese, as edhe provokimet në sallë nga kundërshtarët e paktë, nuk i kanë futur gjemb në këmbë Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Selim Muça. Kështu, pak pas mesditës së djeshme, ai, i futur në garë pothuaj si konkurrent i vetëm, ka marrë 68 vota të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, ose 85 për qind të tyre, duke u rizgjedhur. Ndërsa dy kandidatët e tjerë, të panjohur deri në momentin e votimit, bënë rolin e numërorëve të topit duke pohuar krejt pabesueshëm se nuk ishin të aftë të konkurronin para madhështisë së Selim Muçës. Kështu në ambientet moderne të Medresesë së Kavajës, Selim Muça ka marrë edhe një mandat të dytë katër-vjeçar për të “qeverisur” Komunitetin Mysliman Shqiptar. Nga ana tjetër, kundërshtarët, të iniciuar nga disa imamë të xhamive të Tiranës, kryesisht në moshë të re, nuk kanë mundur të ndërhyjnë qoftë për të devijuar sadopak rrjedhën e paracaktuar të ngjarjeve.
Zgjedhje mes protestash
Të mbërritur në Kavajë në mënyrë të organizuar nga disa rrethe te vendit, kryesisht nga Tirana, dhjetëra protestues me parulla agresive në duar, ishin fasada e parë e zgjedhjes së kreut të Komunitetit Mysliman. Protestuesit, të frenuar nga policia përballë derës hyrëse të medresesë së qytetit, ishin gjithsesi paqësorë dhe të disiplinuar dhe pse policia lokale ishte angazhuar si të kishte të bënte me një miting politik. Ndërsa në njërën nga parullat shkruhej: “Ik bashkëpunëtor i Delijorgjit”. Sipas shpjegimeve të protestuesve, ajo kishte lidhje me një aferë ende të pazbardhur të krerëve të KMSH-së, të cilët i kishin shitur Mihal Delijorgjit, të akuzuarit për Gërdecin, përkundër mësimeve të Islamit, 1600 metër katrorë truall vakëf, që gjendet në afërsi të monumentit të Azem Hajdarit.   
Të lejuar të futeshin në sallën e mbledhjes, gazetarëve iu bë thirrje të dilnin në orën 10:00, por zëra nga salla, të cilët pretendonin për një proces transparent, u bënë barrierë që ata të qëndronin. Gjithsesi aty nga ora 10:30, kur mbledhja kishte nisur, gazetarët u detyruan të dilnin me kërkesë të prerë të krerëve të Komunitetit Mysliman, për të mundësuar një mbledhje me dyer të mbyllura. Një proces që zgjati deri rreth orës 15:00. Ndërkohë që mbledhja ende nuk kishte përfunduar, u mësua se sërish në krye të KMSH-së ishte zgjedhur me shumicë absolute votash, 85 për qind të tyre, Selim Muça, kreu aktual. Ndërsa kandidatët e tjerë, dy të tillë, kishin bërë vetëm rolin e kandidaturave false alternative. “Një nga dy kandidaturat e tjerë, Karafil Manaj, me detyrë Myfti i Fierit, u tërhoq që në momentin kur u përmend emri i tij, duke thënë krejt në mënyrë të paturpshme se nuk mund të kandidonte përpara Selim Muçës, për shkak të respektit që kishte për të, ndërsa edhe tjetri, Sabri Hushi, me detyrë Inspektor i Përgjithshëm i KMSH-së, tha se vizioni i tij për të ardhmen e KMSH-së nuk ishte më i mirë se i Selim Muçës”, pohoi një nga “rebelët” e mbledhjes.
“Presim vendimin e gjykatës”
“Kishim qëllim që të zhvillohej një mbledhje serioze e radhës. Neni 22 i statusit tonë thotë se lajmërimi për mbledhje të tilla bëhet 15 ditë më parë, por kjo nuk u respektua. Gjithashtu në status thuhet se anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm duhet të njihen në të njëjtën periudhë kohore edhe me raportet. Por edhe kjo nuk u bë. Përfundimi: U zhvilluan zgjedhje me kandidatura alternative false”, pohoi për gazetën Ilir Hoxholli, një prej anëtarëve pjesëmarrës në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Sipas shpjegimeve të të njëjtit, kandidaturat ishin krejt false, sepse së pari u mbajtën sekret dhe nuk bënë një farë fushate para se të bëhej mbledhja për zgjedhjen e kryetarit të ri dhe së dyti ato ishin krejt qesharake, kur në vend që të flisnin për vete dhe risitë që do të sillnin në krye të komunitetit, nëse do të zgjidheshin, i bënin lavde Selim Muçës. Gjithsesi kundërshtuesit e kësaj mënyre të vepruari pohuan se ende kanë shpresë që gjykata do të ndërhyjë për të ruajtur të paprekur statusin. “Gjykata do të shprehet për pavlefshmërinë e kësaj mbledhjeje më 24 mars në seancën e sigurimit të padisë”, pohoi Hoxholli, duke shtuar se në rast se shkelja e statusit provohet, zgjedhja e Selim Muçës në krye të KMSH-së bëhet e pavlefshme. 

Kandidatët

1. H. Sabri Hushi,
Inspektor i Përgjithshëm i KMSH-së
2. H. Karafil Manaj,
Myfti i Fierit
3. Selim Muça,
Kryetari aktual i KMSH-së

Kush është Selim Muça
Selim MUça ka kryer medresenë e Tiranës dhe shkollën e mesme të përgjithshme në kryeqytet. Më pas ai ka vazhduar studimet universitare në degën e Inxhinierisë Gjeodezi-Hartografi në Çeki. Nga vitin 1964 deri më 1991 Selim Muça ka punuar në ndërmarrjen Gjeologjike, Bulqizë - Dibër në funksionin e Inxhinierit. Më pas, nga 1992 deri në 1994 ai ka qenë inspektor Arsimi në Komunitetin Mysliman. Karriera e radhës është funksioni i Myftiut të Elbasanit për katër muaj. Më 1995 zgjidhet Shef Personeli në KMSH, një detyrë që zgjat pothuaj 10 vjet deri në mars 2004, kur karriera kap majën, pra zgjidhet Kryetar i KMSH-së.

“Selim Muça ka qenë bolshevik,të aplikohet ligji i lustracionit”

“Mos e vini në post atë njeri që kërkon post”. Njeriu që e ngre më shumë nga të tjerët zërin e protestës kundër Selim Muçës dhe “marifeteve” të krerëve të Komunitetit Mysliman Shqiptar, quhet Xhaferr Shkodra dhe është hoxha i xhamisë së Kavajës. I njëjti personazh i pazakontë, figura e të cilit është emetuar në televizione, pasi përshtati për minare oxhakun gjigand të një ish-ndërmarrjeje shtetërore pranë banesës së tij, në Kavajë. Sipas Shkodrës, Selim Muça ka qenë një komunist, apo bolshevik, dhe si i tillë u ka dhënë të tjerëve tesera të Partisë Komuniste. “Statusi i Partisë Komuniste në kohën e Enver Hoxhës, i detyronte kandidatët për t’u anëtarësuar në parti të thoshin se nuk kishte Zot dhe këtë detyrë dikur e ka bërë pikërisht Selim Muça. Selimi ndërkohë i dinte mësimet e Islamit dhe i shkeli ato. Prandaj nuk e meriton të jetë në krye të KMSH-së. Në Kur’an thuhet se atij që beson dhe tradhton disa herë, i shtohet tradhtia ndaj Islamit. Kështu ka ndodhur edhe me Selim Muçën. Prandaj unë jam kundër dhe të gjithë këtu janë kundër. Prandaj i kërkojmë Kryeministrit, Presidentit dhe zonjës së Kuvendit, Jozefina Topalli, të ndërhyjnë”, flet me protestë hoxha i Kavajës. Nga ana tjetër i njëjti shton se sot arsimi ka ecur përpara, se shumë të rinj janë arsimuar në universitete prestigjioze dhe se “është koha kur nuk ka nevojë për infermiere, kur të pranishëm ka doktorë”. Sipas të njëjtit, Selim Muça nuk duhet të rizgjidhej edhe për shkak se nuk ka mbajtur dy prej synimeve kryesore të tij të paraqitura, pasi u zgjodh në mandatin e parë më 2004. “Nuk mbajti fjalën për ndërtimin e funksionimin e një universiteti islam dhe të xhamisë së madhe, që do të ndërtohet në qendër të Tiranës”, përfundoi hoxha Xhaferr Shkodra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›