E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, vrau të atin, burg pa afat për 34-vjeçarin

Aida Malaj

Fshati Bardhoc

Fshati Bardhoc

Avdi Laçi, 34-vjeçari që vrau të atin tre ditë më parë, ka deklaruar para trupit gjykues se e kishte vrarë të atin pasi nuk i jepte për të ngrënë. Avokatja e tij ka kërkuar ekspertim të gjendjes së tij psikike, duke pretenduar se klienti i saj ka probleme mendore, ndërkohë që organi i akuzës e ka cilësuar si të ligjshëm masën e arrestit të marrë nga policia dy ditë më parë. Në përfundim të seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, togat e zeza kanë vendosur që 34-vjeçari të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Ndërkaq, vëllai i tij Vexhi Laçi është liruar pasi policia nuk ka pasur prova për implikimin e tij në ngjarje. Sipas efektivëve blu ai ka qenë rastësisht në banesë,kur vëllai i tij më i madh ka qëlluar mbi të atin. Avdi Laçi qëlloi tre herë me pistoletë mbi të atin, teksa ndodheshin në banesën e tyre në fshatin Bardhoc, të Komunës Tërthorë, Kukës.

Policia mundi ta arrestonte autorin e dyshuar më shumë se 12 orë pas vrasjes. Nëna e tij, mësohet se ka deklaruar përpara policisë se shkak për vrasjen është bërë një konflikt pronësie. Sipas saj i ati kishte shitur një tokë në autostradë dhe nuk u kishte dhënë asnjë lekë. Ndërkohë banorë të fshatit deklaruan ditën e ngjarjes se 74-vjeçari kishte shitur një pjesë të tokës pa përfituar të bijtë dhe për më tepër, nuk kishte lejuar të bijtë që ta shisnin pjesën tjetër. Plaku kishte qëndruar për disa muaj në qytetin e Kukësit me qira dhe vetën në ditën e vrasjes kishte shkuar në shtëpi ku dhe u vra nga i biri me tre plumba pistolete.

19 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)

Kukës, vrau të atin, burg pa afat për 34-vjeçarin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›