E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, zhdukjae Bleonës, një prokurornë Kosovë

KUKES- Zhdukja e 6-vjeçares Bleona Mata e ka dërguar prokurorin e Krimeve të Rënda, Anton Martini në Kosovë. Pak ditë më parë, Martini, i cili ka marrë në dorë drejtimin e hetimeve për të hedhur dritë mbi misterin e zhdukjes së të miturës, ka kapërcyer kufirin për të bërë disa verifikime që i ka çmuar të nevojshme për zbardhjen e ngjarjes. Fillimisht, përfaqësuesi i organit të akuzës është ndaluar në Zapod të Kukësit, fshat ku është zhdukur vajza dhe më pas ka udhëtuar drejt Kosovës. Zapodi është fshat kufitar me Kosovën, ndaj prokurori ka menduar të bëjë verifikimet e duhura edhe matanë kufirit. Ndërkaq, prej tri ditësh po merren në pyetje gjithë pjesëtarët e familjes Mata, persona të cilët kanë pasur kontakte me vajzën e vogël ditën e zhdukjes, si dhe banorë të fshatit Zapod apo fshatrave përreth. Dy ditë më parë është pyetur halla e vajzës dhe kushërira e saj, të cilat kanë pasur dhe pikën e fundit të kontaktit me vajzën e zhdukur. Gjatë dy ditëve në vazhdim hetuesit do të marrin në pyetje edhe vajzat e tjera, kushërirat që ishin me të për kullotjen e bagëtive, si dhe disa persona, banorë të fshatit ngjitur me Zapodin, pasi mendohet se mund të japin të dhëna për hetimin. Burime nga prokuroria bëjnë të ditur se kanë bërë dhe disa ballafaqime mes personave, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimore. Bleona Mata është zhdukur që prej 23 ditësh dhe çdo ditë që kalon shuan shpresën për gjetjen e saj. Ajo ndodhej me hallën dhe kushërirat ne mal me bagëti, kur është larguar pa asnjë gjurmë. Kërkimet e deritanishme për gjetjen e saj kanë rezultuar të kota. Prokuroria po heton në disa pista, por më kryesorja është ajo e rrëmbimit të së miturës.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›