Kukësi bind me lojë e rezultat, tregolësh nga Ivanaj
Nga Bashkim SHALA
Kukësi Burreli 4-0
Kukësi: Koçi, Berberi (Syla 46), Renxa, Lila, Rexhepi, Malo, Thana (Pashaj 73), M.Kola, Mziu, Xhetani (E.Kola 62), Ivanaj. Trajner: Sh. Berberi.
Burreli: E.Haxhiaj, Gjoka, Frisku, Mata, Lleshaj (Saliaj 79), Neli, Ambroz (Aliaj 85), Radaj, L. Haxhia, Hoxha, Allmeta. Trajner: L. Kola.
Shënues: Ivanaj 14, 25, 74, Mziu 81
Gjyqtarë: B. Ziri, I. Veseli, Sh. Ziri (Fushë-Krujë)
Kartonë të verdhë: Thana, Renxa
Kartonë të kuq: Mata, Malo
Kukësi ka qenë superior në të gjitha drejtimet ndaj Burrelit dhe në fund ka regjistruar fitoren 4-0, pas një triplete të Ivanajt dhe një goli të Mziut. Kuksianët zhvillonin ndeshjen e parë në fushën e tyre në kategorinë e parë, ndaj dhe interesimi ishte i madh. Loja ka filluar pas një ceremonie hapjeje, ku kanë përshendetur presidenti Ramë Geci dhe kryebashkiaku Hasan Halilaj. Ndërkohë, është mbajtur një minutë heshtje për ish-futbollistin e shquar të Kukësit të viteve 70, Sulejman(Mano) Meçka, i cili është ndarë nga jeta pak ditë më parë.
Loja nis me sulmet e vendësve, ku Xhetani e Mziu rrezikojnë në portën e Burrelit. Miqtë kundërpërgjigjen me Allmetes, por pret portieri Koçi. Goli për Kukësin vjen në minuten e 14-të, kur Ivanaj ka shënuar afër portës. Mziu rrezikon më pas, por pa rezultat. Në të 23-tën Burreli detyrohet të luajë me 10 lojtarë, pas daljes me te kuqe të Matës, që pengon si lojtar i fundit sulmuesin Malo në hyrje të zonës. Xhetani gjuan nga jashtë zonës, por grushton portieri matjan Haxhiaj. Në të 25-tën Kukësi shënon golin e dytë përsëri me Ivanajn, që gjendet i pambuluar brenda zonës .Pjesa e dytë nis me një rast të pastër të miqve, ku Radaj, me portën e boshatisur, gjuan jashtë. Në minutën e 58-të, forcat në fushë barazohen, pasi gjyqtari Ziri nxjerr me të kuqe Malon për një ndërhyrje të rëndë ndaj Lleshajt. Megjithatë, kuksianët vazhdojnë të sulmojnë dhe Thana e Kola humbasin raste. Edhe Mziu, i vetëm me portierin mik, nuk arrin të shenojë, pasi ndërhyn Haxhiaj. Në minutën e 74-t përsëri Ivanaj shënon golin e tretë për vendësit, duke shfrytëzuar një mosmarrëveshje mes portierit Haxhiaj dhe mbrojtesit Lleshaj. Dy minuta më vonë, Migen Kola rreh shtyllën pingule të Burrelit, ndërkohë që Mziu vulos rezultatin në 4-0, pas një gjuajtje me kokë, ku portierit i shpëton topi nga duart.
Trajnerët
Lulëzim Kola, trajneri i Burrelit: Gabuam shumë në mbrojtje. Kemi shumë punë për të bërë, sidomos në repartin e mbrojtjes. Nuk realizuam rastet që na u krijuan. Kukësit i uroj suksese.Gjykimi ishte mjaft korrekt.
Shahin Berberi, trajneri i Kukësit: Ekipi realizoi detyrat e dhëna dhe tregoi shpirt gare, duke e kërkuar fitoren me insistim dhe dëshirë. Megjithëse fituam, kemi ende shumë punë per të bërë dhe për të korrigjuar gabimet në të ardhmen.
Presidenti Geci takon ekipin, kërkon superioren
Presidenti i Kukësit, Ramë Geci, bashkë me donatorë të tjerë dhe kryebashkiakun e qytetit Hasan Halilaj, kanë zhvilluar një takim me futbollistët dhe drejtuesit e ekipit para ndeshjes me Burrelin. Kryebashkiaku Hasan Halilaj, që zoteron rreth 40% të aksioneve, ka falënderuar donatorët dhe veçanërisht presidentin Ramë Geci per gatishmërinë e treguar për financimin e ekipit në masën 60%. Jemi të parët që i kemi përmbushur të gjitha detyrimet ndaj futbollistëve. Nuk jemi në kategorinë e parë për të shtyrë kohën, por për të parë më lart. Duam superioren, ndaj dhe duam një vend në 5-shen e parë, tha kryebashkiaku i Kukësit. Ai i ka porositur futbollistët që të jenë model sa i takon disiplinës në fushë, madje ka paralajmëruar se nuk do të ketë tolerime pë rata që bëjnë gjeste antisportive. Presidenti Ramë Geci, që dje kishte takimin e parë me futbollsitët, ka thënë: Edhe unë para 30 vitesh kam qenë një sportist i vogël, ku kam luajtur për të rinjtë e Kukesit. Pranova të financoj për Kukësin, në mënyrë që kjo krahinë të jetë më dinjitoze në sport. Ngjitja në superiore kërkon bashkëpunim serioz nga të gjitha palët, nga donatorët, bashkia, futbollistët e drejtuesit. Biznesmeni i njohur është zgjedhur presidenti i sh.a Sport Klub Kukësit më 21 gusht, ndërkohë që ndihmësa të tij do të jenë kuksiani Safet Gjici dhe Flamur Hoxha. Të tre drejtuesit do të zotërojnë 60% të aksioneve, ndërsa bashkia do të ketë 40%. Ardhja e Gecit në krye të Kukësit është pritur me entusiazëm nga futbollistët dhe stafi drejtues, por edhe nga sportdashësit vendës.