E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen Elbasani, goleadë Gramshit në derbi

Nga Elbasani, Elton Karaj

 Elbasani Gramshi      5-1

Elbasani: I. Toçi, Bello (Ibrahimi 52), Kacollja, Sekseni, Kaçuli, Merxha (Halilaj 85), Gava, Hila, Dalipi, Olatunji (M. Toçi 32), Galica. Trajner: I. File.

Gramshi: Koçi, Doçi, Dushku, Kote, Marishta, Duka, Çekrezi, Balla (Pengu 52), Trashi (Lezi 38), Maçolli (Latifi 74), Le. Koçi: Trajner E. Mustafaraj.
Shënues: Olatunji 22′, M.Toçi 35′, Galica 54′, 81,’ Merxha 78′ / Dushku 17′
Gjygjtarë: A. Koçi, F.Lamaj, E.Velo (Durrës)
Kartonë të verdhë: Kacollja, Toçi, Gava, Dushku, Kote, Lezi

Elbasani arrin një fitore bindëse në javën e dytë, duke mposhtur 5-1 Gramshin në Ruzhdi Bizhuta. Miqtë nga Gramshi janë dorëzuar përballë një Elbasani pretendent, që nuk e vuri asnjëherë në dyshim fitoren. U duk sikur Elbasani do ta kishte të vështirë, pasi Gramshi e fillon mirë ndeshjen dhe në të 17-tën shënon në portën e Toçit me anë të Dushkut, por vetëm kaq. Verdheblutë marrin menjëherë “frenat” e lojës në duar dhe nisin sulmet e njëpasnjëshme. Goli i barazimit vjen pas 5 minutash nga nigeriani Olatunji, i cili shfrytëzon një krosim të kapitenit Merxha. Elbasani sheh vetëm përpara, duke e vënë nën presion mbrojtjen mike. Në minutën e 32-të, trajneri File bën një zëvendësim të detyruar. Nigeriani Olatunji dëmtohet dhe lë fushën, ndërkohë që vendin e tij e zë Mateos Toçi, i cili shënon menjëherë një supergol nga rreth 20 metra. Në zhvillimet e një goditjeje këndi, Dalipi pason shkurt për Toçin, që me një goditje spektakolare e dërgon topin në rrjetë. Elbasani e sheh veten në avantazh, por vazhdon të sulmojë. Sulmuesi Galica godet nga distanca dhe topi përplaset në traversë. Më pas gjuan edhe Dalipi mjeshtërisht, por përgjigjet bukur portieri Koçi. Në minutën e 40-të kemi një zëvendësim të detyruar për Gramshin. Trashi, i dëmtuar, i lë vendin Lezit.

Në pjesën e dytë trajneri File hedh në fushë edhe Ibrahimin në vend të Bellos. Elbasani sheh drejt portës së Koçit dhe sulmuesi Galica, i cili i shpëton mbrojtjes në minutën e 54-t dhe shënon golin e 3-të. E kanë radhën miqtë nga Gramshi të rrezikojnë, por nuk janë të saktë, pasi portieri Toçi është në lartësinë e duhur. Rastin më flagrant e ka sulmuesi Pengu, i futur në pjesën e dytë, që përballë portierit elbasanas nuk shënon. Minutat e mbetura flasin për Elbasanin, që shënon edhe golin e 4-t në minutën e 78-të me kapitenin Merxha. Për Elbasanin ka kohë edhe për një gol, që shënohet nga Galica, i cili përfiton nga një rrëmujë në zonë. Përfundimisht, 5-1, një rezultat që i shkon përshtat Elbasanit.

Trajnerët

Ilirjan File, trajneri i Elbasanit: Ishte një ndeshje që e dominuam nga fillimi deri në fund. Ekipi e zgjidhi mjaft mirë ndeshjen, edhe pse kishte disa gabime të vogla. Jam mjaft i kënaqur nga reagimi i ekipit pas pësimit të golit. Gramshi na vuri disi në vështirësi në fillim, por djemtë treguan një shpirt të lartë gare. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë.

Edmond Mustafaraj, trajneri i Gramshit: Jam i pakënaqur nga ekipi, pasi e filluam mjaft mirë dhe shënuam, por nuk ditëm ta ruanim ritmin. Gramshi sot la shumë për të dëshiruar në të gjithë repartet, veçanërisht në mbrojtje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›