Mamurrasi barazon, Dedë Ndreca shkrin ekipin
Nga Mamurrasi, Altin Preçi
Mamurrasi Butrinti 0-0
Mamurrasi: Ago, Matraku, Baçi, Dashi, Taullau, Dosti, Gecaj, Allamani, Nelaj, Ndreca (Lika 70), Metaj (Demaj 26). Trajner: S.Bardhi.
Butriniti: Demi, Xhovani, Xhibro, Alzeneli, Zharkalliu, Nela (Tepelena 80), Ngjela (Myrtaj 87), Muço, Dorti, Papa, Sulejmani (Kordha 75).
Trajner: M.Gurma.
Gjyqtarë: E. Dyrmishi, F. Mata, E. Potomi (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Ngjela, Taullau, Demi, Zharkalliu
Mamurrasi nuk shkon më shumë se barazimi me Butrintin debutues, edhe pse luante në fushën e tij. Ndeshja ka pasur emocione, sepse vendësit kanë bërë presion, por tifozët e Mamurrasit nuk kanë mundur të shijonin fitoren. Mamurrasi ka hasur në një mbrojtje hermetike dhe në një portier në formë të mirë. Sulmuesi Allamani jep sinjalin e parë, duke gjuajtur bukur, por topi përplaset në shtyllë. Më pas vendësit e ulin ritimin, edhe pse qëndrojnë vazhdimisht në gjysmëfushën e Butrintit. Kundërshtari ndërhyn dhe nuk lejon rrezikimin e portës. Edhe Gecaj gjuan mjeshtërisht në ecje e sipër, por pa gjetur kuadratin e portës mike. Lojtarët e Mamurrasit mundohen të oganzohen, por mungesa e liderit në ekip është evidente, ndërsa sulmuesit thyhen në kufijtë e zonës kundërshtare. Rastin më të mirë e ka Allamani, kur i vetëm me portierin Demi gjuan fort, por drejtpërdrejt në duart e portierit Demi. Mesfushori Dosti gjuan nga larg, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule. Pjesa e dytë nis më e bukur, pasi Mamurrasi kërkon me ngulm ta zhbllokojë rezultatin. Ndërsa miqtë janë të qetë dhe mbrohen mjaft mirë. Në të 53-tën vjen edhe gjuajtja e parë për sarandiotët. Eshtë Sulejmani që gjuan bukur, por Ago pret i sigurt. Edhe kapiteni i Mamurarsit, Ndreca, gjuan bukur me kokë në zonën e rreptësisë, por topi kalon ngjitur me shtyllën. Në 30 minutat e fundit miqtë çlirohen, organizohen në lojë, por edhe ata nuk arrijnë të shënojnë. Ngjela vë në alarm mbrojtjen vendase, teksa shmanget bukur dhe gjuan fort, por Ago pret. Në minutën e parafundit të kohës së rregullt, sulmuesi Allamani gjuan bukur me kokë, por edhe ai nuk arrin ta kalojë të pakalueshmin Demi. Mbyllet në barazim kjo ndeshje, ku Mamurrasi lë 2 pikë, ndërsa Butrinti merr pikën e parë jashtë fushe.
Trajnerët
Sinan Bardhi, trajneri i Mamurrasit: Nuk u prononcua
Milto Gurma, trajneri i Butrintit: Jam i kënaqur me pikën e fituar, ndërsa më shqetëson gjykimi tendecioz. I falënderoj djemtë për lojën që zhvilluan. E arritëm objektivin që kishim dhe na duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës. Jam i kënaqur nga pritja dhe i uroj suksese ekipit vendës.
Jep dorëheqjen presidenti Dedë Ndreca
Presidenti i Mamurrasit, Dedë Ndreca, ka dhënë dje dorëheqjen dhe ka lajmëruar shkrirjen e ekipit pak minuta pas përfundimt të ndeshje me Butrintin. I falënderoj futbollistët për mundin dhe djersën që derdhur për këtë ekip, ka theksuar në fillim Ndrca. Sipas tij, në kushtet kur bashkia nuk plotëson detyrimet financiare që i takojnë, pasi ekipi është i saj, është i detyruar të japë dorëheqjen. Nuk është e lehtë, pasi për mua futbolli është gjithçka në jetë. Të hënën të gjithë futbollistët do të dorëzojnë bazën material dhe janë të lirë të federohen me çdo ekip tjetër, që të mos e prishin karreerën e tyre. Asnjë nga drejtuesit aktualë të bashksië nuk ka ardhur qoftë edhe për ta parë ekipin, prandaj jam i detyruar të jap dorëheqjen, ka thënë më tej Dedë Ndreca, I cili, në kohën që drejtoi bashkinë, arriti të ngrite Mamurasin në kategorinë e parë, madje ta çojë deri në fazën e play-off-it. Javën e ardhshme kampionati ka shumë mundësi të mos ketë Mamurrasin, që sezonin e kaluar i dha tonin kategorisë së parë.