Kukësi ka mungesa, por me Butrintin ska shaka
Kuksianët duan fitoren e pare të 2012-ës, ndërkohë që skuadra, pas blerjeve të janarit, i ka rritur pretendimet për fazën e dytë
Skuadra e Kukësit u ka dhënë fund përgatitjeve dje në kryeqytet, ndërkohë që sot, me shumë mundësi, stafi dhe futbollistët do të udhëtojnë drejt qytetit verior, ku edhe do të grumbullohen në prag të ndeshjes së javës së parë me Butrintin. Kuksianët e kanw nisur fazën përgatitore që në ditët e para të janarit, madje për 10 ditë janë zhvendosur në Ulqin të Malit të Zi, në kushte të shkëlqyera.
Ata kanë zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore, ku ka rënë në sy gjendja e mirë e grupit sidomos ndaj Vllaznisë, Tomorit dhe Dinamos. Pavarësisht rezultatit, skuadra ka pasur harmonizimin e duhur të reparteve me njëri-tjetrin. Kukësi i fazës së dytë, falë edhe blerjeve cilësore, pritet që të jetë më i fortë dhe objektivi është zënia e vendit të pare, edhe pse faza e dytë do të jetë më e ashpër dhe me më shumë rivalitet.
Mungesat Kuksianët në sfidën e parë kanë tri mungesa dhe bëhet fjalë për lojtarë titullarë të fazë së parë, dy prej të cilave janë në mbrojtje. Nuk janë gati për trajnerin Shahin Berberi, Vilson Lila dhe Endri Rënxa. Megjithatë, pritet që në repartin difensiv të rikthehet Besmir Berberi. Falë eksperiencës që ai ka dhe shpirtit të sakrificës, ka gjasa që trajneri Berberi ta aktivizojë në krah ose në qendër.
Krahas Besmir Berberit do të luajnë Rexhepi dhe Premçi. Ndërkohë, në mesfushë mungon Sokol Mziu, një nga lojtarët e dalluar në gjysmën e parë të kampionatit. Me afrimet e Memishajt, Lenës, Allamanit dhe Hamzait, mesfusha dhe sulmi janë top te kuksianët, madje edhe konkurrenca është e madhe.
