E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukësi, mbledhje dhe zotime para Gjirokastrës

Nga ERJON SALIU

Zëvendëspresidenti Safet Gjici ka zhvilluar dje një mbledhje me skuadrën në Golem, ku ka kërkuar rezultat pozitiv në ndeshjen e nesërme

Skuadra e Kukësit është grumbulluar në Golem qysh pas ndeshjes me Ilirinë, për tu përgatitur e qetë për sfidën e rëndësishme me rivalët dhe kryesuesit e kategorisë së parë, Luftëtarin të mërkurën. Pavarësisht se morën vetëm një pikë në transfertën me fushë-krujasit, duhet thënë se kuksianët patën pretendime edhe për gjykimin, por edhe me rastet e shpërdoruara nga skuadra e tyre.

Ndërkohë, dje pasdite në Golem, ku skuadra kuksiane është e grumbulluar, ka pasur edhe një mbledhje, ku ka qenë i pranishëm edhe zv.presidenti i skuadrës, Safet Gjici. Ky i fundit ka mbledhur stafin teknik dhe lojtarët dhe u ka kërkuar që të bëjnë më të mirën në sfidën me Luftëtarin. Madje, Gjici u ka kujtuar lojtarëve se ata janë në gjendje të fitojnë ndaj çdo kundërshtari, qoftë edhe jashtë fushe.

Stafi kuksian, veç të tjerash u ka kërkuar lojtarëve që në këtë sfidë delikate të bëjnë më të mirën për të marrë rezultat pozitiv. Gjirokastra është një skuadër me tradita dhe aq më tepër ka një terren ku luhet futboll dhe fiton më i miri.

Ndërkaq, lojtarët kanë deklaruar para drejtuesve se në këtë transfertë jo vetëm që do të bëjnë më të mirën, por do të mobilizohen si në asnjë ndeshje tjetër të këtij sezoni, për të mos dalë pa pikë nga Gjirokastra. Sot në mesditë, skuadra do të lërë Golemin dhe do të niset drejt Gjirokastrës, ku do të kalojë natën në prag të sfidës që do të luhet nesër.

Tifozët Kukësi, edhe pse do të luajë në skajin më të largët jugor të Shqipërisë, pritet që të ketë edhe mbështetjen e tifozëve kuksianë. Këta të fundit e kanë kthyer në traditë që nuk mungojnë edhe në ndeshjet jashtë fushe, ndaj duke qenë se është një transfertë që ja vlen të ndiqet, pritet që të ketë edhe sportdashës kuskianë në mbështetje të skuadërs së tyre të zemrës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›