Rritet entuziazmi në Lushnjë, mendohet edhe për kreun
Verdhejeshilët do të luajnë sot në Roza Haxhiu një miqëosre me një ekip nga Gjakova, por titullarët do të kursehen për në fundjavë
Lushnja, pas analizës së takimit me Skraparin, ku fitoi thellë, 4-0, ka nisur dje javën stërvitore. Fitorja e bukur në stadiumin Roza Haxhiu është përcjellë me entuziazëm në qarqet futbolldashëse lushnjare, që në fakt e kanë bërë detyrën për mbushjen e stadiumit.
Takimi me Skraparin, edhe pse nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe, si për pikët, që konsideroheshin të fituara, ashtu edhe për kundërshtarin, që lufton për mbijetesë, solli në stadium një numër rekord tifozësh, që nuk ishin parë këtë sezon. Mbi tre mijë tifozë e kanë ndjekur skuadrën lushnjare të shtunën që kaloi, kur ajo mori vendin e dytë në klasifikim, duke u shkëputur nga Kukësi, ndërkohë që nga Luftëtari kryesues e ndajnë vetëm 4 pikë.
Entuziazmi Atmosfera në fillimjavë ka qenë mjaft e bukur për Lushnjën. Koha ka qenë me diell, por në stadium frynte një erë e fortë, që e vështirësonte sadopak përgatitjen e lushnjarëve. Megjithatë, stafi teknik, me në krye trajnerin Malko, ka nisur zbatimin e programit javor në funksion të ndeshjes së radhës, që është transferta e vështirë e Lezhës. Me Besëlidhjen është një sfidë mes skuadrash, që nuk e kanë vendin në kategorinë e parë, por ky është realiteti i futbollist shqiptar dhe duhet pranuar si i tillë.
Miqësorja Klubi i futbollit lushnjar ndërkohë konfirmon ndeshjen me një skuadër të ligës inferiore të kampionatit kosovar. Lushnjarët e rinj, kryesisht ata që janë pjesë e stolit, do të luajnë sot në mesditë në Roza Haxhiu një miqësore me një skuadër të Gjakovës. Lajmi konfirmohet nga drejtori teknik i Lushnjës, Altin Hysko, që sqaron se Lushnja do të përdorë kryesisht futbollistët rezervë dhe të rinjtë e saj, pasi titullarët do të ruhen për transfertën me Besëlidhjen.
Do të kemi një takim miqësor me skuadrën Mikeli të Gjakovës. Do të përdorim kontigjentin e futbollistëve të stolit dhe të rinjtë. Titullarët për nesër (sot) do të zhvillojnë një seancë stërvitore të diferencuar paradite, kurse pasdite do të jetë takimi me skuadrën kosovare. Takimi miqësor do të na vlejë si drejtues për të pasur parasysh paraqitjen e elementëve të rinj të skuadrës sonë, – ka thënë Hysko.
