Ky është veç fillimi
Sezoni pranveror i Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll ishte i mbushur me befasi. E nisi Prishtina, e cila barazoi me KEK-ut, për të vazhduar më pas me Dritën, Drenicën dhe Hysin, të cilat pësuan humbje në përballjet përkatëse.
Njohësit e futbollit kosovar nuk e dramatizojnë punën, sepse mendojnë se ky është vetëm fillimi i sezonit, kështu që është evidente që befasitë mund të ndodhin. Trajneri i njohur kosovar, Gani Sejdiu është befasuar sidomos me barazimin e Prishtinës. Ndërkaq, humbjen e Hysit nuk e konsideron të papritur.
“Është normale që disa rezultate ishin të papritura. Sidomos barazimi i Prishtinës. Drenica humbi nga Besa, por s’duhet harruar se pejanët i kanë kthyer disa lojtarë cilësorë. Pastaj Drita u mposht nga Trepça, e cila po ashtu është përforcuar. Kurse humbjen e Hysit nuk e shoh si befasi, sepse Trepça ’89 është ekip mjaft kualitativ”, deklaroi Sejdiu.
Madje, edhe pse është ende herët, trajneri mitrovicas nuk e sheh më Hysin kandidat për titull, pas humbjes së pësuar të dielën. Ai përmend katër ekipet kryesuese aktuale si kandidate potenciale për ta fituar epitetin e më të mirit.
“Hysi nuk ka treguar asgjë, nuk ka qenë as hija e Hysit që jemi mësuar ta shohim. Në të kaluarën ky ekip ka humbur, por ka luajtur mirë. Me të gjithë trajnerët që ka pasur, ka luajtur shumë më mirë. Prandaj, me humbjen e djeshme, mendoj unë, Hysi veç është distancuar nga titulli”, shtoi Sejdiu.
Sipas tij, Trepça ’89 është kandidati më serioz për titull, pas fitores së arritur ndaj kampionit aktual. Por, ai sheh një pranverë të nivelizuar.
“Kualiteti në mes të ekipeve nuk ka dallim të madh. Për këtë arsye priten befasi edhe në të ardhmen. Klubet bëjnë ndryshime të mëdha në ekipe dhe nuk kanë kontinuitet, kështu që nevojitet kohë për t’u komponuar. Trepça ’89 ka përparësi ndaj ekipeve tjera në aspektin psikologjik, sepse e ka fituar takimin e parë. Mendoj se do të jenë katër ekipe në luftë për titull. Vërtet do të jetë interesant”, nënvizoi Sejdiu i cili mendon se ndeshja e fundjavës ndërmjet Trepçës ’89 dhe Prishtinës do të tregojë shumëçka rreth fuqisë së këtyre dy ekipeve.
Trajneri tjetër i njohur kosovar, Hysni Maxhuni thotë se në çdo fillim të kampionatit ndodhin befasi të tilla, por që ky fakt nuk e tregon vlerën e ekipeve. Sipas tij, kjo mund të jetë diçka pozitive, sepse shtohet motivi dhe serioziteti, duke e ngritur formën në vazhdimin e sezonit.
“Këto befasi ndodhin, derisa të komponohen ekipet. Për shembull, Drenica ka 6-7 lojtarë të rinj, kështu që duhet durim, sepse komponimi nuk bëhet për një muaj. Mendoj se do të jenë 4-5 ekipe që do të luftojnë për titull dhe të cilat do të luftojnë deri në fund. Edhe në luftën për mbijetesë do të jenë 3-4 ekipe që do të luftojnë deri në xhiron e fundit. Kur të zhvillohen edhe 4-5 ndeshje, do të dihet më shumë, si për titull, ashtu edhe për mbijetesë”, theksoi trajneri mitrovicas.