E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukësi në festivalin poetik të Kumanovës

Me pjesëmarrjen e rreth 50 krijuesve nga Maqedonia, Kosova, rajoni verilindor i Shqipërisë, si dhe nga Lugina e Preshevës është zhvilluar në Kumanovë festivali i poezisë shqipe, "Takimet e Karadakut 2009". Aktiviteti është organizuar nga klubi i shkrimtarëve të Kumanovës në Maqedoni, nën kujdesin e poetit dhe publicistit Burhanedin Xhemaili. Kjo është ngjarja kulturore më e rëndësishme e Kumanovës, e cila këtë vit u cilësua si "minishengeni" shqiptar në Ballkan. Gjatë ditëve të festivalit, pjesëmarrësit janë njohur me veprat e autorëve nga treva të ndryshme shqiptare. Në mënyrë të veçantë janë mirëpritur krijimet e autorëve nga Presheva, Ohri, Struga, Prishtina, Mitrovica, Kukësi etj. Takimet poetike të "Karadakut" kanë nisur në vitin 1993, duke u shndërruar kështu në një traditë që mbahet çdo vit në Kumanovë. Për organizatorët, këto takime kanë për qëllim afirmimin e vlerave të përbashkëta artistike, si dhe mbajtjen gjallë të frymës kombëtare shqiptare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›