E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia, e zhytur në drogë

Në një shesh loje, diku në qendër
të Moskës, nuk duket këmbë
fëmije. Lisharëset janë mbuluar
nga një dëborë e pistë dhe kudo të zë
syri shishe të zbrazura vodke e po të
jesh më i vëmendshëm mund të shohësh
edhe shiringa të hedhura atykëtu.
Nënat i pëshpëritin njëra-tjetrës
që të mos i lënë fëmijët të luajnë në këtë
shesh, pasi tashmë nga shesh lojërash
ai është shndërruar në shesh vdekjeje.
Në të narkomanët, kryesisht adoleshentë
e të rinj, kryejnë "furnizimin" me
drogë. Ky shesh lojërash s‘është veçse
një shenjë e vogël e një epidemie të
madhe të përdorimit të heroinës dhe
drogës në përgjithësi, në përmasa gjithnjë
e më të jashtëzakonshme. Sipas zyrtarëve
të shëndetësisë e grupimeve, apo
organizatave të tjera shoqërore, përhapja
e një fenomeni të tillë po kërcënon
vetë ekzistencën e kombit. Është një
kërcënim ndaj sigurisë sonë kombëtare,
shoqërisë, civilizimit tonë", thotë Viktor
Ivanov, zyrtari më i lartë rus që ka lidhje
me luftën kundër drogës. Sipas tij, në
Rusi ka mbi 2 milionë persona që kanë
krijuar një varësi të plotë ndaj drogës,
ose e thënë ndryshe në çdo 50 veta, 1
është i droguar. Kjo shifër është 8 herë
më e lartë krahasuar me vendet e Bashkimit
Evropian. Pjesa më e
madhe e të droguarve kanë
varësi ndaj heroinës, e cila
nga Azia Qendrore vjen
transit përmes Afganistanit,
si dhe kufirit të Rusisë me
Kazakistanin. Edhe zyrtarët
rusë të antidrogës janë të
dëshpëruar për shtimin e
numrit të përdoruesve, që
po sipas tyre përbën numrin
më të madh të përdoruesve
në botë, brenda një vendi të
vetëm. Ivanov, një ish-operativ
i KGB-së së dikurshme
dhe një bashkëpunëtor i
afërt i Presidentit të vendit,
Vladimir Putin, thotë se
pushtimi i Afganistanit nga
perëndimorët dhe "lufta
kundër terrorizmit" janë
ndër faktorët kryesorë që e
kanë çuar Rusinë në këtë
situatë. Situata aktuale në
këtë vend mund të krahasohet
me atë në Kinë në shekullin e 19-të,
kur tregtarët britanikë përhapën
opiumin në Kinë, duke e shndërruar një
pjesë të madhe të popullsisë kineze në
të varur ndaj drogës. Dje Ivanov është
nisur drejt Vjenës për të marrë pjesë në
sesionin e posaçëm të OKB-së mbi
drogën dhe do të bëjë thirrje për rritjen
e bashkëpunimit ndërkombëtar në
gjetjen e zgjidhjeve për ndalimin e
përhapjes së drogës, veçanërisht asaj që
vjen nga Afganistani. Ai, gjithashtu do
të kërkojë në takim, që Rusia të përfshihet
në procesin vendimmarrës në Afganistan.
Situatën në këtë vend e përcaktoi
si "turp të komunitetit ndërkombëtar"
dhe tha se Rusia ishte në favor të spërkatjes
së fushave të mbjella me drogë
me pesticide, për të eliminuar bimët.
Shifrat tregojnë se 90% e drogës vjen nga
Afganistani. Sipas zyrtarit rus, "falë
Zotit, Perëndimi po ndërgjegjësohet se
e gjithë lufta kundër terrorizmit ishte
një gjykim i keq. Kemi dëgjuar që Barak
Obama dhe Devid Miliband do të dalin
dhe do të deklarojnë se gjithçka ishte një
gabim. Për sa i përket Afganistanit, niveli
i drogës që prodhohet aktualisht në këtë
vend është 44 herë më i lartë se ai që
prodhohej në vitin 2001, pra para se
Bushi të niste luftën e tij famëkeqe.
Ndërkohë, në Rusi si qeveria, ashtu
edhe organizatat e ndryshme janë të një
mendjeje për sa u përket përmasave të
jashtëzakonshme që ka marrë epidemia
e drogës, epidemi që nëse do të vazhdojë,
do të ketë pasoja shkatërrimtare
për të gjithë vendin dhe të ardhmen e
tij. Por, ndërsa për qeverinë ruse rrënja
e problemit është dështimi i Perëndimit
në Afganistan, kritikët e këtij këndvështrimi
thonë se pjesa më e madhe e
faktit është e politikave qeveritare për
parandalimin e përhapjes së drogës,
veçanërisht te të rinjtë. "Strategjia ruse
ka qenë gjithmonë për shmangien e debateve
dhe diskutimit në lidhje me
fenomenin dhe demonizimi i përdoruesve
të drogës", thotë përfaqësuesi
i një shoqate joqeveritare ruse. Sipas
tij, deri më tani qëllimi i politikës shtetërore
nuk ka qenë ndihma ndaj të
droguarve, por identifikimi i tyre dhe
më pas dënimi i veprimit.
Asnjë vend në botë nuk ka përdorur
një strategji të tillë ndaj të droguarve si
Rusia. Çdo përdorues droge që kërkon
ndihmë mjekësore për problemin që ka
regjistrohet menjëherë në regjistrin kombëtar
të narkomanëve. Ky informacion
i jepet policisë, e cila mund ta arrestojë
përdoruesin, madje ta lërë pas hekurave
për një kohë të gjatë. Sipas një raporti
nga "Human Rights Watch", politika
ruse për trajtimin e të droguarve është
shumë e vjetër dhe nuk jep asnjë efekt
në përmirësimin e situatës. Si pasojë e
përhapjes së përdoruesve të drogës, Rusia
ka edhe problemin gjithnjë
e në rritje me shtimin e
të infektuarve me HIV.
Vetëm në Rusi mendohet të
jenë 1 milion të infektuar.
Dhjetë vite të shkuara, epidemia
u përhap kryesisht
brenda komunitetit të përdoruesve
të drogës, por aktualisht
ajo transmetohet
kryesisht në rrugë seksuale.
Cilado qoftë arsyeja që ka
shkaktuar epideminë e
madhe të drogës në Rusi,
faji i Perëndimit, apo i
keqqeverisjes ruse, të
gjithë duhet të ndërgjegjësohen
për faktin se çdo vit
mbi 30 mijë rusë ndërrojnë
jetë për shkak të heroinës e
kokainës, një shifër kjo që
edhe për një vend me një
popullsi të madhe si Rusia,
është jashtëzakonisht e
lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›