E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëse konsumon peshk, bëhesh më inteligjent

Mami na e përsëriste gjithmonë: peshku të bën mirë për trurin. Në fakt kishte të drejtë, edhe fëmijët dhe të rriturit i shtrembërojnë gjithmonë buzët përpara kësaj pjate. Insistimet dhe thëniet e mamave janë më shumë se të justifikueshme. Studimet e fundit kanë treguar se, po të konsumosh peshk të paktën një herë në javë gjatë adoleshencës, rritet koeficienti i inteligjencës verbale. Ndoshta nuk na ndihmon të bëhemi gjeni, por të kemi një "tru më në formë", sidomos kur konsumohet gjatë periudhës së rritjes.

Studim i gjerë

Një studiuese nga Suedia përfshiu në projektin e saj pothuajse 4000 meshkuj nga 15 deri në 18 vjeç, pikërisht për të verifikuar efektet e konsumit të peshkut në një moshë kur zhvillimi cerebral është shumë i rëndësishëm dhe dijet që ai merr e ndryshojnë për të gjithë jetën. Lidhja mes peshkut dhe zgjuarsisë duket qartë: nëse në moshën 15-vjeçare fëmijët konsumonin peshk të paktën një herë në javë, kur mbushnin të 18-at, pikët në testet e zgjuarsisë ishin mesatarisht 6 për qind më të larta në krahasim me ata që refuzonin të ushqeheshin me shtojzë deti dhe salmon. Ai që konsumonte peshk më shumë se një herë në javë, vërente se performancat e tij njohëse përmirësoheshin me 12 për qind. Fëmijët ishin më të aftë në testet e zgjuarsisë verbale. Atëherë a është e vërtetë se peshku të bën mirë? "Shumë studime kanë treguar se konsumimi i peshkut ndihmon zhvillimin neuropsikologjik të fëmijëve që kur ata janë në barkun e nënës. Gjithashtu, nëse konsumohet çdo ditë ndihmon të kemi një kujtesë të shëndetshme", thotë studiuesja. "Studimi ynë tregon se efektet pozitive mbi mirëqenien dhe funksionimin cerebral duken edhe gjatë adoleshencës".

Acidet yndyrore

"Motivi? Ende nuk është i qartë, por sipas të dhënave, përgjegjëse për këto efekte pozitive janë acidet yndyrore polinsature, me të cilat është i pasur peshku, në veçanti omega-3 dhe omega-6", vazhdon më tej studiuesja. "Në fakt, këto yndyra, grumbullohen në tru gjatë zhvillimit të embrionit, duke favorizuar kështu zhvillimin".

"Natyrisht që e gjithë kjo nuk është falë fosforit, i cili është një mit i rremë. Veç të tjerash, nëse merita do të ishte e fosforit, atëherë do të konsumonim ushqime të tjera që e përmbajnë më shumë këtë element", thotë një tjetër studiuese e Institutit Kombëtar të Kërkimeve për Ushqimet. "E dini se çfarë mbart vërtet në vetvete peshku? Përmban një numër të madh proteinash me vlerë biologjike (nuk ka yndyra dhe kolesterol), dhe yndyrash polinsature si omega-3. Ndër të tjera, sasia e omega-3 është më e rëndësishme se çdo ushqim tjetër. Gjithashtu e dimë se këto yndyra janë të vlefshme si për shëndetin cerebral ashtu dhe për mbrojtjen e sistemit kardiovaskular".

Gjithsesi, cilido që të jetë motivi, efekti duket qartë: duke marrë parasysh edhe faktorët e tjerë (etni, vendi ku jetojnë, aktiviteti fizik që kryejnë adoleshentët dhe gjendja e tyre shëndetësore), studiuesit suedezë kanë treguar se lidhja mes peshkut dhe zgjuarsisë mbetet. "Lidhja reciproke është e vërtetë, pavarësisht nga një prej elementëve që shpesh i dallon aftësitë njohëse të fëmijëve, ose më saktë nivelin e shkollimit të prindërve", shton një studiuese nga Universiteti i Goteborgut. "Gjithsesi, mbeten shumë gjëra për t‘u zgjidhur dhe do të përpiqemi t‘i përfundojmë me studimet e tjera, nëse ndikon apo jo lloji i peshkut të zgjedhur".

Fatmirësisht, po t‘u hedhësh një vështrim të dhënave, vërehet se zakonet e mira nuk janë dhe aq të rralla: 58 për qind e fëmijëve konsumon peshk të paktën një herë në javë, ndërkohë që 20 për qind e konsumonin më shpesh. Të paktën kjo ndodh në Suedi.

Mjafton të jetë peshk

"Rezultate të ngjashme do të përftoheshin edhe në vende të tjera evropiane, por duhet theksuar se ajo që ka vërtet rëndësi nuk është vetëm ushqimi, por një dietë, në të gjitha kuptimet e fjalës", thotë studiuesja. "Konsumimi i lartë i peshkut është sinonim i një ushqyerje të shëndetshme dhe kjo është ajo që nevojitet vërtet, madje edhe trurit". Por cilët peshq duhet të zgjedhim? "Vlera ushqyese është e njëjtë për të gjitha llojet, nga peshku i kaltër, te merluci. Fëmijët mund të konsumojnë pa problem peshq të pasur me shumë kalori, siç është salmoni. E rëndësishme është që ta konsumojnë të paktën dy herë në javë. Nuk kam kundërshtime nëse do ta konsumonin më shpesh. Përpiquni të mos e hani të skuqur, sepse përveç kalorive të veta, do t‘i shtohen edhe yndyra e kalori të tjera. Gjithashtu mund të konsumohet edhe i ftohtë, mjafton të përdoret disa herë në javë".

Teste të tjera

Konfirmimi më i fundit vjen nga "Harvard Medical School" në Boston, ku sapo ka përfunduar një kërkim që tregon se si fëmijët e nënave që kanë konsumuar shumë peshk gjatë shtatzënisë ishin më inteligjentë dhe më të shkathët se bashkëmoshatarët e tyre. Grupi i shkencëtarëve amerikanë arriti të testonte 341 fëmijë me moshë tre vjeç së bashku me nënat e tyre. Grave që u ishte bërë një analizë gjaku në tremujorin e tretë të shtatzënisë iu ishte dhënë edhe një pyetësor për të shënuar llojin e dietës dhe sasinë e peshkut të konsumuar, ndërsa kur fëmijët e tyre mbushën tre vjeç iu nënshtruan një testi mbi analizën e të folurit. Rezultatet përfundimtare treguan se fëmijët e grave që kishin konsumuar peshk të paktën 2 herë në javë arrinin pikët maksimale në test. Por, pavarësisht kësaj, duhet treguar gjithmonë kujdes në llojin e peshkut që vendosni të konsumoni, sepse studimi tregoi se fëmijët e grave që në analizat e gjakut rezultuan se kishin një përqendrim më të lartë të mërkurit arrinin rezultatet më të dobëta njohëse. Për këtë arsye, studiuesit paralajmërojnë se duhet konsumuar të paktën 2 herë në javë nga ai lloj që është shumë i pasur me yndyra omega-3 dhe nuk përmban mërkur, substanca këto që luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e trurit të fëmijëve. Më i miri padiskutim është merluci, që përmban yndyra omega-3, por edhe ka përqendrimin më të ulët të mërkurit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›