Kukësi shkruan historinë, kualifikohet në play-off-in e Europa League
Ukrainë- Kukësi ka arritur të shkruajë historinë duke u bërë ekipi i parë shqiptar që arrin të kualifikohet në tre ture të kompeticioneve europiane.
Në stadiumin e Metalurg Donteskut në Ukrainë, verilindorët arritën të mbanin të kufizuar vendasit me vetëm një gol që hyri në portën shqiptare në minutën e 27-të.
Skuadra shqiptare, edhe pse me dhjetë lojtarë pas përjashtimit me karton të kuq të Malindit në minutën e 75, arriti të kualifikohej.
Duke u favorizuar edhe nga fitorja 2-0 e arritur në stadiumin “Qemal Stafa” Tiranë. Tashmë verilindoret mund të synojnë kundershtarë si Tottenham, Udinese apo Fiorentina, në play-off të Europa League, ku pas eliminimit nga Champions League në raundin e tretë, do të jetë pjesëmarrës edhe Skëndërbeu.
Sakaq, Federata Shqiptare e Futbollit tha se do t’i akordojë Kukësit si shpërblim shumen e 100 mijë eurove.
Ndërsa kreministri në ikje Sali Berisha ka uruar nëpërmjet rrjetit social Facebook skuadrën e Kukësit për arritjen:
“URIMEEEE!!! KUKESI DREJT ZENITIT!
Te dashur miq, ekipi i futbollit te Kukesit arriti ne play-off te Europa League. Fitore historike e ekipt te Kukesit dhe futbollit shqiptar. Le t’ju dergojme ne urimet me te perzemerta lojtareve te talentuar, kapitenit te sprovuar, trajnierit te shkelqyer dhe presidentit vizionar te skuadres se Kukesit qe me suksesin e tij çuditi futbollin europian. Suksese gjithnje me te medha Kukesit! Fitore te tjera!!! sb”, shkruan Berisha në FB.