E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukësi triumfon në “Qemal Stafa” ndaj Metalurth Donetsk

Mund ta cilësosh Kukësin e mrekullive, Kukësin e të pamundurve, Kukësin e ëndrrave, por Kukësit përtej çdo epiteti që mund t’i vishet është ai i realitet. Në një mbrëmje Gushti në “Qemal Stafa”, skuadra verilindore, bën historinë e futbollit shqiptar, duke ruajtur pathyeshmërinë për plot pesë ndeshje, e duke i bërë shqiptarët të besojnë në vrapimin e një skuadre të tyre në Europë. Kukësi fiton 2-0 ndaj Metalurth Donetsk në “Qemal Stafa”, me gola të Malacarnes dhe Malotës, hedhin një hap drejt raundit të play-off dhe bëjnë të gjithë shqiptarët, pa përjashtim të dashurohen me të, pavarësisht asaj që do të ndodhë një javë më vonë në Donetsk.

Në një atmosferë të zjarrtë dhe nën praninë e 7 mijë tifozëve, Kukësi merr dozën e duhur të karikimit që në start, kur në minutën e 6-të, nga zhvillimet e goditjes së parë nga këndi, Malacarne, titullar surprizë i Cungut, gjen goditjen perfekte duke kaluar përpara skuadrën verilindore. “Qemal Stafa” është i gjithi në delir, si rrallë herë për klubet shqiptare në këto vitet e fundit dhe Kukësi tashmë beson te mrekullia. Optimizmi e bën agresiv ekipin e Cungut, që vë në vështirësi kundërshtarin, aq sa ukrainasit në disa raste detyrohen të luajnë ashpër ndaj Hoxhës dhe Prognit. Goditjet standarte janë madje pika më e fortë e kuksianëve, të cilat prodhojnë për më tepër dhe raste për gol. Në minutën e 44-tërt Malacarne, pëson një dëmtim në zonën kundërshtare, por lojtarët e Metalurth nuk ndalin lojën dhe për pak sa nuk gjejnë golin e barazimit. Gjithsesi mesfushori shtrëngon dhëmbët dhe arrin të mbyllë pjesën e parë duke qënë ndër më të mirët në fushë për të tijët. Në startin e pjesës së dytë, vendin e tij e zë Alikaj.

Kukësi tërhiqet pas, dhe bën atë që di të bëjë në mënyrë të shkëlqyer, mbrohet dhe pret rastin. Në katedër ngjitet portieri Halili, që koleksionon pritje pa fund. Skuadra e Cungut merr frymëmarrje në minutën e 69-të, kur ukrainasit mbesin me 10 vetë, pas daljes me karton të kuq të Morozjuk. 25-vjecari ndërhyn në mënyrë të parregullt ndaj Hoxhës, dhe ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë. Gjithsesi Metalurth nuk heq dorë nga gjetja e rezultatit, dhe në minutën e 76-të, shtylla është bekim për Kukësin, pasi topi i goditur nga Degtiarov përfundon mbi të, duke shpëtuar Halilin. Në “Qemal Stafa”, blutë tashmë kanë aleat dhe fatin aq sa dhe nga atmosfera që ekziston të krijohet përshtypja se kjo është mbrëmja e duhur. Dhe në minutën e 84-tërt ëndrrat fillojnë të marrin formë. Renato Malota, me një kthesë, e dërgon topin të përkedhel fillimisht shtyllën përpara se të depozitohet në rrjetë. Impinati duket sikur zbret i tëri mbi tapetin e gjelbërt për festën kuksiane, që i mjafton vetëm një sezon në Europë për të bërë atë që asnjë skuadër tjetër shqiptare nuk ka guxuar më parë, kalimin e tre tureve në kompeticionet kontinentale. Kukësi e ka thyer rekordin e parë, pasi asnjë skuadër shqiptare, nuk ka mundur të rezistojë plot pesë ndeshje pa humbje. Ky ishte basti i fituar i verilindorëve. Ne besojmë, një javë më vonë, kurorzojeni ëndrrën./Indeksonline/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›