Kule: “Dypunësim i pedagogëve, vetem me universitet qe kemi marrëveshje”
Jonida Tashi
Pedagogët do të lejohen të jenë të dypunësuar vetëm nëse ata do të kenë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi midis universiteteve. Vendimi për të mos lejuar dypunësim e pedagogëve në shtet dhe privat, bëhet i ditur nga kreu i Universitetit të Tiranës Dhori Kule. Në një intervistë për gazetën “Albania” Kule sqaron se do të ndjekë procedurat ligjore për këtë problem, duke theksuar se do të lejohen të jenë të dypunësuar vetëm pedagogët që kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunmimi. Gjithashtu, ai bën të ditur se deri tani vetëm dy universitete private kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës, që janë Universiteti “UFO” dhe ai ”Kristal”. Në intervistën e tij për gazetën ish-profesori i ekonomisë sqaron panoramën e përgjithshme në arsimin e lartë, problemet dhe sfidat e Universitetit më të madh në vend për vitin e ri akademik, si dhe masat që do të marrë ai për zgjidhjen e problemeve më të mprehta në këtë fushë. Me natyrën e mprehtë dhe të saktë të një ekonomisti, Kule i ka bërë shumë mirë llogaritjet për zhvillimin e arsimit, por i nevojitet edhe mbështetja e qeverisë, që ai shpreson se do e gjejë te ministri i ri i Arsimit.
Si ju duken pranimet në universitete sipas sistemit Meritë-Preferencë pa ndërhyrjen e universiteteve?
Viti i ri akademik për universitetet shqiptare fillon me disa specifika. Së pari, universitetet publike shqiptare do e fillojnë nga e para me ekipet e reja drejtuese, të zgjedhura në janar të këtij viti, një prej të cilëve jam edhe unë. Viti i ri akademik fillon me një situatë të re bashkëpunimi dhe organizimi të universiteteve. Tashmë është promovuar ideja dhe realiteti i qershorit të këtij viti, që në Kukës universitetet shqipëfolëse në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, organizuan edhe rrjetin e funksionimit të këtyre universiteteve për të akorduar dhe bashkëpunuar në funksion të realizmit të misionit ligjor, social që kemi ndaj shoqërisë për përgatitjen e specialiteteve të fushave të ndryshme. Natyrshëm pyetja e parë që bëhet kur fillon një vit i ri shkollor është problemi i pranimeve. Pra, si është problemi i pranimeve në universitete në lidhje me sistemin Meritë-Preferencë? Unë kam shfaqur mendime që kur filloi ky sistem. Tashmë ai është një sistem i konsoliduar edhe në format ligjor, pasi është viti i tretë që pranimet në universitete bëhen me këtë sistem. Por, ka një problem ndryshe në raport me pranimet dhe funksionimet e vendeve të tjera. Në shumë vende të botës provimet përfundimtare në sistemin parauniversitar bëhen të përqëndruara. Kudo ka provime Mature, edhe në vendin tonë provime të tilla ka pasur edhe para këtij sistemi. Problemi i sistemit dhe i pranimit sipas specifikave kudo në botë është një kompetencë e universiteteve. Ajo që ka nevojë të ndryshohet në pranimet e tanishme, pasi të përfundojë procei i Maturës Shtetërore, e cila është përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit dhe sistemit parauniversitar, për problemet e pranimeve në shkollën e lartë është një përgjegjësi që nuk duhet të cënohet për asnjë universitet. Është e drejtë ekskluzive në të gjithë botën e universiteteve që të marrin pjesë në pranimin e studentëve të rinj. Pa bërë konkurse, që të mos keqkuptohet askush që bën komente të tilla, por çdo fakultet ka sepcifikat e veta dhe pasi mbaron Matura Shtetërore, ai sheh rezultatet dhe përcakton se si dhe çfarë kontigjentesh do të marrë nga ata që kanë mbaruar provimet e Maturës Shtetërore. Kjo është ajo që duhet të përmirësohet. Ndërsa problematikat e vetë realizimit nuk janë objekt dhe kompetencë e imja. Unë kam mendimin tim personal në mënyrën se si funksionon, çfarë problemesh dhe defektesh ka realizmi, pasi është një proces administrimi dhe unë e njoh shumë mirë si specialist i kësaj fushe. E rëndësishme është që universitetet tona në procedurat e pranimeve duhet të bëjnë po atë politikë që bëhet kudo në botë. Sespe ne kemi edhe një gjë tjetër, kemi dy grupe universitetesh, publike dhe private. Privatet kanë zgjedhje ndryshe në pranimin e studentëve, e kanë të cënuar atë autonomi pranimesh që e kanë universitetet kudo në botë. Megjithatë, ajo që do doja të bëja prezent për pranimet është se në Universitetin e Tiranës gjatë gjithë kohës, që është edhe më i preferuara, dhe kjo vërtetohet në të gjitha sistemet si me të mëparshmin dhe me të tanishmin, këtu vijnë nxënësit më të mirë të Shqipërisë. Pra, ky është një problem dhe lidhet edhe me diskutimet që bëhen sot përsa i përket kush universitet është më i miri dhe kush është më pak i miri. Më i miri duhet ta dinë të gjithë ata që kanë merakun se si përcaktohet më i miri, duhet të kenë bindjen që prindërit dhe maturantët janë aq të mençur sa dinë të zgjedhin më të mirin. Dhe kur mbaron ajo që është e nevojshme të bëhet është prezantimi i gjithë atyre që janë të interesuar të dinë se kush është më i miri është që, rezultatet e Maturës Shtetërore sipas gjithë kritereve të vlerësimit cilësor të tyre, të shikojnë se cilët nxënës vijnë në Universitetin e Tiranës për të ndjekur studimet. Pra, më të mirët vijnë tek ne. Çdo të thotë kjo? Fakti që vinë më të mirët në Universitetin e Tiranës ka një impakt tjetër për ne si drejtues edhe për stafin tonë. Kërkon shumë më tepër punë krahasuar me çdo universitet tjetër. Kërkon gjithashtu edhe një mbrojtje më të mirë të studentëve tanë krahasuar me të tjerët, sepse shoqëria në çdo vend të botës pjesë elitare të nxënësve nuk i ka të gjihtë, vetëm 15-20 për qind janë elitë. Ky 15-20 për qindësh vjen në Universitetin e Tiranës dhe është detyrimi prioritar i yni që këtë pjesë, që është elitë për shoqërinë shqiptare ta mbrojmë ne. Por këtë elitë duhet ta mbrojnë të gjithë strukturat e shtetit shqiptar në emër të përgatitjes së specialistëve të mirë. Nuk duhet të rrijë indiferent asnjë drejtues, rektorë, dekanë, përgjegjësa departamenti, pedagogë të Universitetit të Tiranës përballë faktit dhe detyrimit që ka për të bërë shërbim të mirë dhe për të mbrojtur diplomat e Universitetit të Tiranës. Ju keni parë që shumë universitete publike dhe jopublike dalin dhe bëjnë promocion që ata janë më të mirët. Kjo është e natyrshme, është në linjën e tyre që ata do ta bëjnë këtë promocion, kurse ne e kemi detyrimin shumë më të madh për ta bërë këtë. Në qoftë se, ata dalin bëjnë promocion me nxënës që mbeten pa ardhur tek ne, sepse nuk fitojnë dot tek, ne kemi detyrimin që ta bëjmë shumë më tepër se të tjerët mbrojtjen e nxënësve të mirë që vijnë në Universitetin e Tiranës. Pra, ky është problemi i pranimeve, që edhe me këtë sistem na sjellin sido që të jetë përsëri nxënësit më të mirë.
A do të vendosin fakultetet e Universitetit të Tiranës kritere të veçanta pranimi për këtë vit?
Jo, për këtë vit. Ligji parashikon që të gjitha rastet e kritereve specifike të bëhen të njohura një vit para. Ne dhe vitin e kaluar bëmë një propozim në funksion të nenit të këtij ligjit për problemin e koeficientëve në mënyrë që të jetë skema më e thjeshtë më cilësore, që të jetë më e pranueshme nga pikëpamja e sferës, pastaj ka ato problemet e administrimit. Kështu, që për vitin tjetër, specifikat për kriteret do t’i bëjmë një vit para pranimeve.
Si do ta përballojë Universiteti i Tiranës fluksin e studentëve të rinj?
Po, më shumë studentë do pranohen dhe më shumë kemi mundësi të pranojmë. Këtë vit, ne kemi një specifikë pozitive. Sivjet në Universitetin e Tiranës do të pranohen 160 pedagogë të rinj. Pra, 20 për qind e stafit shtohet dhe rifreskohet. Kjo është një sfidë e madhe që kemi për të rifreskuar dhe për të bërë pranime cilësore të stafit pedagogjik. Aktualisht, deri ditën e martë, kanë aplikuar 304 kandidatë, nga të cilët rreth 50 janë nga ata që janë diplomuar në universitetet e ndryshme europiane. Ky është një mesazh jashtëzakonisht pozitiv. Megjithëse kemi vënë kritere cilësore për rekrutimin si, notën mesatare e të tjera me radhë, ka një fluks të madh kërkesash për tu pranuar si staf pedagogjik në fakultete të ndryshme të Universitetit të Tiranës. Ka fakultete ku dyfishohet stafi si për shembull, fakulteti Juridik nga 30 do bëhet me 60 pedagogë. Për fakultetin Juridik deri tani janë rreth 80 aplikime për pedagog. Pra, kjo është sfida e parë, ose elementi i parë progresiv që Universiteti i Tiranës do të ketë një staf të shtuar në numër dhe shpresoj të rekrutojmë një staf cilësor. Ne kemi mundësi ta përballojmë fluksin e studentëve. Madje, do të përballojmë jo vetëm studentët që do të vijnë për të ndjekur studimet me kohë të plotë, por ne kemi bërë propozime edhe për sistemin tjetër ligjor që është sistemi part-time. I kemi paraprirë llogjikës së masivizimit duke specifikuar diçka, që masivizimi nuk do të thotë rënie e standardeve. Masivizimi është cilësor dhe nuk i bën dëm shoqërisë vetëm në rastin kur universitetet janë universitete. Në qoftë se, universitetet nuk janë me standarde, atëherë masivizimi çon në nxjerrjen e diplomave fiktive dhe ky është një shqetësim për shoqërinë.
A do të ketë degë pa limit pranimesh në Universitetin e Tiranës?
Për degët pa limit është marrë vendimi dhe ka dalë edhe vendimi i qeverisë. Të gjitha degët janë të kuotuara me kuota të përcaktuara. Kështu që shifrat e rritura të pranimeve në Universitetin e Tiranës për sistemin me kohë të plotë janë të përcaktuara, të kuotuara në të gjitha degët përkatëse. Në të gjitha degët e universiteteve publike nuk ka asnjë degë të pakuotuar.
Në çfarë faze ndodhet emërimi i pedagogëve të rinj?
Sikurse e theksova edhe me sipër jemi ende në fazën e aplikimit. Deri të premten në orën 15.00 do të priten aplikimet. Deri tani janë 304 aplikime, shpresojmë që të shtohet ky numër dhe gjatë 15 ditëshit të parë të muajit shtator në zbatim të ligjit, do të krijohen komisionet përkatëse, që kanë një specifikë. Komisioni, tre përfaqësues i ka nga departamenti, ku do të pranohen pedagogët e rinj, një përfaqësues e ka të dekanatit dhe një të rektoratit. Për të gjitha pranimet që do të bëhen për pedagogët e rinj krijohet një komision prej pesë vetash dhe besoj se deri në mesin e muajit shtator do e kemi mbyllur ciklin e rekrutimit të stafit të ri pedagogjik në Universitetin e Tiranës.
Çfarë masash do të merrni për dypunësimin e pedagogëve?
Për problemin i dypunësimit të pedagogëve do të respektoj procedurat ligjore. Ligji i arsimit të lartë parashikon marrëdhënie bashkëpunimi midis universiteteve. Do të ndjekim këtë procedurë me të gjitha universitetet që do të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi. Pedagogët do të lejohen të japin mësim vetëm në universitetet që kemi nënshkruar marrëveshje. Kemi nënshkruar në Kukës një marrëveshje bashkëpunmi me universitetet e Kosovës dhe me universitetet shqipfolëse të Maqedonisë dhe po aktivizojmë këtë praktikë të lëvizjes së pedagogëve në universitetet reciproke. Kemi nënshkruar një marrëveshje midis universiteteve publike shqiptare për të këmbyer staf pedagogjik në fushat ku kemi nevojë, në fusha që të mbështesim njëri-tjetrin. Gjithashtu, i janë bashkangjitur këtij bashkëpunimi edhe dy universitete private, që kanë nënshkruar marrëveshje deri tani që janë: Universiteti “UFO” dhe “Kristal”. Këto dy universitete do të jenë pjesë e këtij bashkëpunimi. Të tjerët, në qoftë se do të kenë nevojë dhe interes për të qenë në marrëdhënie bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës duhet të ndjekin procedurat ligjore. Aktualisht, do të punohet vetëm me këto dy universitete private që kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dhe me universitet publike që kemi bashkëpunimin dhe detyrimin për të këmbyer staf akademik.
Universitetet kanë rreth gjashtë muaj pa kancelar. Si do të zgjidhet ky problem?
Shpresoj që në fillim të muajit shtator Këshilli i Administrimit ta realizoj detyrimin e vetë ligjor jo vetëm për Universitetin e Tiranës, por për të gjitha universitetet publike që janë pa kanclear. Kjo është një procedurë që ende nuk është mbyllur, shpresojmë që të realizohet tani. Kam bindjen që ministri i ri i Arsimit do të mbështesë realizimin dhe funksionimin ligjor të universiteteve shqiptare dhe patjetër që nuk do të bëhet pengesë sikurse është bërë deri tani ish-ministri i Arsimit.
Kur pritet të nis procesi i akreditimit dhe si e vlerësoni ju atë?
Akreditimi i universiteteve është një diskutim i gjerë dhe i gjatë që është bërë në fund të vitit akademik. Jemi në diskutim, sepse duhet t’i akreditojmë universitetet në mënyrë që publiku shqiptar, familja, prindërit, maturantët ta dinë se kjo shkollë ka domosdoshmëri ligjore normale në kuadrin e transparencës për të paraqitur çdo universitet nëse të ofron atë shërbim që pretendon realisht. Dhe ata le të zgjedhin. Kosova e dha mesazhin e saj e nisi procesin e akdreditmit. Ajo që dua të sqaroj është se të gjithë aktorët në fushën e arsimit të lartë nuk kanë pretendime për të mos e bërë akreditimin pavarësisht nga forma e pronësisë. Publiket dhe privatet duhet të akreditohen. E mira është që të akreditohen nga agjenci të huaja, sepse e kanë më të lehtë të huajt të përballen dhe me ndonjë lloj situate presioni të mundshëm nga ambienti i brendshëm i tyre. Akreditimi besoj se gjatë këtij viti shkollor do të fillojë procedurat përkatëse në mënyrë që ne ta bëjmë vlerësimin e universiteteve sipas vlerësimit të brendshëm, por vlerësimi i jashtëm është i domodoshëm përsa i përket procesit të akreditimit. Pas akreditimit nis edhe procesi i rendtijes së universiteteve shqiptare, kush është i pari, i dyti e të tjera me radhë. Kjo është më e vështirë, por agjencitë e huaja kanë mundësi ta bëjnë. Një element renditje janë edhe vetë preferenca e nxënësve dhe kam bindjen që Universiteti i Tiranës do të jetë i pari.
Edhe problemi i akreditmit është një sfidë që kemi detyrimin ta realizojmë në emër të realizmit të funksionit që kanë universitetet publike dhe jopublike shqiptare.
28 Gusht 2008